Aty ku kambana e kishës dhe ezani bëhen një
Banorët në Janjevë s’mbajnë mend që ndonjëherë të ketë pasur paragjykime mbi bazë të përkatësisë fetare e kombëtare. Aty ku kambanat e kishës i lënë vend ezanit, banorët janë dëshmi e respektit për njëri-tjetrin.
Xhamia e Janjevës është krejt afër kafenesë në çarshi, në zemër të këtij vendbanimi. Sipër është kisha katolike “Shën Nikolla”. Që të dyja këto objekte mbrohen me ligj. Por me to nuk përfundon kompleksi i objekteve të kultit fetar në këtë vendbanim. Në anën tjetër të tyre, një fshat e ka marrë emrin Teqe, në bazë të teqesë së Isakut, ushtarit osman që vdiq aty, derisa Perandoria Osmane po merrte territore të reja në Gadishullin Ballkanik.
Rrugën e ndan në mes shkolla e moçme, ku fillimisht ndoqi e më pas dha mësim Atë Shtjefën Gjeçovi. Nga aty bëhen dy rrugë gjarpërore, njëra që përmes kalldrëmit shumëshekullor të çon te shtëpia muze e priftit shqiptar me nam, e tjetra për te kasha madhështore “Shën Nikolla”. Ai është objekti i vjetër më i madh në Janjevë.
Më së lehti bien në sy edhe nga tarraca, që fshatin që po kërkon lavdinë e dikurshme e shpërfaq si në pëllëmbë të dorës.
Objekti i kultit ndodhet në mes të një kompleksi ndërtesash që aktualisht ka kisha. Ajo është e lartë, në formë katërkëndëshi, tipike për kishat katolike, dhe tash mban fasadë të bardhë, të freskët. (Koha Ditore )


