ATK, tejkalon objektivat

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë vitit 2013, ka tejkaluar objektivat e parapara, sa i përket të hyrave. Gjatë vitit 2013 ATK ka realizuar të hyra prej 425 milionë euro, apo 8 për qind më shumë se vitin paraprak. 305.4 milionë euro janë të hyrat nga tatimi dhe 120 milionë euro nga kontributet pensionale

Këto të dhëna u bënë të ditura në një konferencë për media, ku u prezantua raporti vjetor i punës së ATK-së, për vitin 2013.

Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti tha se ATK me angazhimet e saj gjatë vitit 2013, ka arritur ta zvogëloj hendekun tatimor dhe evazionin fiskal. Haliti thotë se që nga viti 2009-të, shihet një trend permanent i ngritjes së të gjitha llojeve të tatimeve, derisa ekonomia e Kosovës, është përafërsisht e njëjtë.

“Objektivi kryesor, i planifikuar me buxhetin 2013 ka qenë dhe është realizuar nga ATK, me një tejkalim të të hyrave. Nëse krahasojmë me vitin paraprak, kemi një rritje për rreth 22 milionë apo 8, për qind. Nëse këtu i shtojmë edhe rreth 120 milionë të grumbulluara në emër të kontributeve pensionale, del se ATK, vitin që lamë pas ka inkasuar rreth 425 milionë.Nga viti 2009 deri në vitin 2013, kemi ngritje mesatare prej 10 deri në 18 për qind prej vitit në vit me norma të zvogëluara. Nëse kemi parasysh që nga viti 2009 kemi zvogëlim të normave tatimore në 10 për qind, kemi heqjen e tatimit të devidentës dhe kemi mos inkasimin e ekstra profitit. Do të thotë se është realizuar një rritje dy fish deri në katër fish më shumë se shkalla e rritjes të Bruto produktit vendor, që do të thotë se me angazhimet, planet dhe aktivitetet e ATK-së, është zvogëluar dhe hendeku tatimor dhe evazioni fiskal”, tha ai.

Mobi Casa

Haliti, gjithashtu thekson se përkundër pohimeve që të të hyrat kryesisht mblidhen në kufi dhe jo në brendi, realiteti është krejt ndryshe. Sipas tij, ATK menaxhon, përpunon dhe realizon 61 për qind të të gjitha të hyrave, të Buxhetit të Kosovës.

Ai, po ashtu ka folur dhe për borxhin aktual që bizneset i kanë ATK-së, e të cilat kapin shumën prej 220 milionë euro. Megjithatë, thotë se mbledhja e detyrueshme, ka treguar një funksionalitet më të lartë, duke e konsideruar sukses, mbajtjen e borxheve në këtë nivel. “Borxhet aktuale këto tri vitet e fundit, sillen rreth 220 milionë. Dhe përkundër të gjitha angazhimeve dhe përpjekjeve dhe inkasimit të borxheve, ATK, konsideron sukses që ka arrit ta mbajë këtë nivel, duke pasur parasysh se brenda vitit, ne rreth 50 milionë, kalkulojmë borxhe të reja për shkak të tatimeve”, tha ai.

Ai ka pohuar se ATK për dy muaj, që nga marrja e kërkesën nga Ministria e Financave, e cila ka përcjellë rekomandimet e Kuvendit, për mbylljen e lojërave të fatit, ka bërë një plan të veprimit dhe se për dy muaj sa janë duke implementuar këtë plan, kanë mbyllur mbi 250 pika, të lojërave të fatit. /Telegrafi/