RCCOLA

ATK me produkte elektronike

/ 2 minuta lexim

Nga muaji i ardhshëm tatimpaguesve kosovarë, do t’u mundësohet dhe një shërbim i ri elektronik “on-line”, ku përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ata do të pajisen me Vërtetim Tatimor për personat fizik.

Me këtë rast ATK ka mbajtur seminar me përfaqësuesit e Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës-SHKCAK, me qëllim të prezantimit të mënyrës së pajisjes me Vërtetimit Tatimor përmes ueb-faqes në mënyrë on-line.

Në kuadër të këtij seminari u tha se vërtetimi i lëshuar në formë elektronike nga ATK, do të jetë dokument i plotfuqishëm, ndërsa vërtetësia e përmbajtjes së këtij dokumenti, do të mund të verifikohet përmes adresës elektronike të ATK-së www.evertetimi.atk-ks.org, në çdo kohë dhe nga kushdo.

Vërtetimi tatimor është dokumenti i cili tregon gjendjen aktuale tatimore të tatimpaguesit, i lëshuar nga ATK dhe i cili do të shfrytëzohet për qëllime të ndryshme, si aplikim për vizë, lirim nga shtetësia, fitim i shtetësisë, vazhdim i lejes së qëndrimit në Kosovë, pushim të lehonisë, e tjera.

Uji Dea

Në komunikatën për media të ATK-së thuhet se një vërtetim i tillë do të lëshohet varësisht nga gjendja e tatimpaguesit në ATK dhe atë, me njërën nga këto tri arsyeje: Personi është i regjistruar në ATK dhe NUK ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera apo obligime tjera tatimore.

Personi është i regjistruar në ATK dhe KA borxhe tatimore apo obligime tjera tatimore të pa shlyera dhe ATK nuk ka shënime për personin.

Vlen të theksohet se, përveç prezantimit, në këtë seminar është bërë edhe demonstrimi praktik se si bëhet regjistrimi i personit fizik në sistemin on-line të ATK-së, kërkesa për vërtetim tatimor, marrja e vërtetimit tatimor, verifikimi i vërtetimit tatimor, si dhe pjesëmarrësve u janë shpërndarë materiale me interes, ndër ta edhe udhëzuesi për lëshimin e Vërtetimit Tatimor për Persona Fizik, kushtet se si duhet të përdoret sistemi on-line i ATK-së.

Nxjerrja e Vërtetimit Tatimor në mënyrë elektronike, do të filloj nga muaji i ardhshëm./express/