ATK-ja merr masa për parandalimin e korrupsionit
Perceptimi i bizneseve për korrupsion brenda Administratës Tatimore të Kosovës, nuk është i bazuar, kështu ka thënë ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, Nahit Sharku, mbrëmë në emisionin Ekonomia me Erëzën, në Kohavision. Megjithatë, Sharku i ka përmendur vendime që i ka marr për të parandaluar korrupsionit.
“Me qëllim të parandalimit të çdo dukurie negative kemi marr disa vendime. I pari për ta parandaluar punën sekondare për stafin e ATK-së dhe i dyti deklarimi i pasurisë për të gjithë stafin. I kemi dërgua mesazh të qartë gjithë stafit që nuk ka keqpërdorime në detyrën zyrtare”, tha Sharku.
Ka thënë se do të ketë analizë të pasurisë dhe të ardhurave të punëtorëve për të parë nëse ka mos-përputhje në mes tyre. Aktualisht në ATK, rroga mesatare e inspektorëve është nga 500 euro deri në 700 euro, në vartësi të pozitave që i kanë. I pyetur në lidhje me trajtimin bizneseve nga ana e ATK-së, Sharku e pranoi që e kanë për obligim që çdo biznes ta trajtojnë në mënyrë të barabartë si dhe çdo tatimpaguesit t’i ofroj mundësi për shfrytëzimin e të drejtave ligjore.
“Ne dëshirojmë që ti trajtojmë të gjithë tatimpaguesit në mënyrë të barabartë, me kohë edhe veta ata do të binden që ATK i trajton barabartë. Ne jemi të gatshëm ti përmirësojmë të gjitha gabimet tona nëse ka. Biznesi duhet ta kuptoj që ATK-ja është për biznesin dhe ne jemi aty për ta mbrojtur të drejtën ligjore të secilit . Ligjet tatimore janë për biznese ata kanë obligim ti zbatojnë ato” , deklaroi Sharku.
Sipas tij, Administrata Tatimore e Kosovës, ka arritur që ta zvogëloj kohëzgjatjen në 45 ditë nga 60 ditë sa i përket rimbursimit, siç parasheh ligji. Tha se bashkë me USAID, po punojnë në krijimin e procedurave më të lehta të kthimit të rimbursimit për biznese. Sharku, gjatë debatit foli edhe për fiskalizimin e naftëtarëve. E pranojë që një pjesë e naftëtarëve ende nuk kanë montuar sistemet e fiskalizimit, që është faza e dytë e fiskalizimit.
“Nuk mund të themi që ata nuk janë të fiskalizuar, ata duhet ta vazhdojnë fiskalizimin edhe në fazën e dytë. Unë themë se të gjitha bizneset që bëjnë shitjen e derivateve të naftës janë të fiskalizuara, kanë printer dhe arkë fiskale. Në bazë të informatave mbi 600 pika janë në procedurë ndërsa pjesa me e madhe e bizneseve janë të fiskalizuara”, tha Sharku.
Ai i ka përmendur mundësit që i ofron ligji ATK-së që t’i gjobisë dhe t’ia tërheq numrin fiskal naftëtarëve që nuk fiskalizohen, por nuk tregoj nëse këto masa janë marrë ndaj tyre. Ka thënë se i është bërë e qartë naftëtarëve që nuk do të ketë tolerime nëse vazhdojnë të mos fiskalizohen.
Javën e kaluar ministri i Financave nuk kishte arritur të shkojë deri në pikën kufitare në veri. Ndërsa, të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës kanë qasje të limituar në pjesën veriore. Sharku në emisionin Ekonomia me Erëzën, ka thënë se mundësia e deklarimit online të tatimeve i’a ka mundësuar ATK-së të shtrijë qasjen e saj në Veri.
“Kemi 1 mijë e 300 biznese që kanë marr numrin fiskal dhe që paguajnë obligimet e tyre. 680 biznese kanë deklaruar që punojnë. Të gjithë tatimpaguesit marrin numrat fiskla, jemi duke punuar edhe në integrimin e pjesëtarëve nga pakica brenda ATK-së. Bizneset në veri, kryesisht janë biznese që importojnë brenda por ka edhe të atillë që blejnë e shesin në veri”, shtoi Sharku.
Për lojërat e fatit u tha se deri më tani nga aktivitetet në teren janë mbyllur rreth 700 pika. Sa i përket ekonomisë jo formale, Sharku tha se po punohet në mënyrë të fuqishme për ta luftuar këtë dukuri.


