ATK-ja inkasoi mbi gjysmë miliardi euro në vitin që shkoi

“Gjatë vitit 2019 ATK-ja ka arritur për herë të parë të tejkalojë shifrën gjysmë miliardi euro. Të hyrat tatimore të inkasuara në vitin 2019 janë 504 milionë euro. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak – 2018 rezulton se këtë vit për 10,4% kemi më shumë të hyra tatimore të inkasuara”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj në një konferencë për medie, shkruan sot gazeta Zëri.

Administrata Tatimore e Kosovës e ka mbyllur vitin 2019 me mbi 47 milionë euro të hyra nga tatimet. Kjo gjë u tha nga drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencë për medie. “Gjatë vitit 2019 ne si institucion kemi arritur që për herë të parë të tejkalojmë shifrën gjysmë miliardi euro. Të hyrat tatimore të inkasuar në vitin 2019 janë 504 milionë euro. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak 2018 rezulton se këtë vit për 10,4% kemi më shumë të hyra tatimore të inkasuara”, ka thënë ai.

ATK-ja, sipas Murtezajt, ka arritur shifër të lartë edhe të inkasimit të borxheve. “Luftimi i joformalitetit sigurisht se është një sfidë për institucionin e ATK-së. Gjatë vitit 2019 ATK-ja ka arritur të inkasojë 108.1 milionë euro borxhe. Nëse kjo krahasohet me periudhën e vitit 2018 rezulton se kemi 44,7% inkasim të borxheve më të lartë sesa më 2018-n, ndërsa vlera monetare 33.4 milionë euro më tepër”, ka thënë tutje ai.

Rritje enorme ai ka vlerësuar se ka pasur në proceset e konfiskimeve. “Ndër aktivitetet që janë ndërmarr në trajtimin e këtij funksioni rezulton se tek aktiviteti i konfiskimeve gjatë vitit 2019 janë zhvilluar 579 procese të konfiskimeve. Nëse krahasohet me vitin 2018 kemi vetëm 74 rast të tilla të trajtuara”, ka thënë i pari i ATK-së.

Edhe gjobat ndaj bizneseve që nuk u janë përmbajtur kërkesave juridiko-ligjore nuk kanë munguar. Nga shqiptimi i këtyre gjobave ATK-ja ka mbledhur 4.7 milionë euro borxhe. “Trajtimi i gjobave mandatare, nëse shikohet në vlerë monetare e shohim se nuk është i një peshe të theksuar, mirëpo me qëllim të trajtimit të barabartë dhe luftimit të fenomenit të shmangies tatimore, ATK-ja në vazhdimësi shqipton gjoba ndaj bizneseve, të cilat nuk u përmbahen kërkesave juridiko-ligjore. Në këtë drejtim, ne kemi vendosur si objektiv edhe inkasimin e këtyre borxheve te gjobat mandatare. Ne kemi mbledhur 4.7 milionë euro vlerë monetare borxhe nga gjobat mandate të shqiptuara ose 8.800 raste të treguara. Nëse krahasohet me vitin paraprak shohim se kemi një vlerë të rritur për 1 milion euro të inkasimit të gjobave” , ka thënë ndër të tjera Murtezaj.

Si segment të veçantë dhe me numër të madh të tatimpaguesve Murtezaj e ka veçuar atë të ndërtimtarisë. “Një ndër segmentet ose sektorët me numrin më të madh të tatimpaguesve është edhe sektori i ndërtimtarisë. Kemi mbi 6 mijë biznese aktive të sektorit të ndërtimtarisë. Ndërkaq plani për përmirësimin e përmbushjes në sektorin e ndërtimtarisë është luftimi i evazionit fiskal në këtë sektor, identifikimi i bizneseve ndërtimore që nuk përmbushin obligimet tatimore dhe kontrolli i përgjithshëm në këtë sektor”, potencoi ai.

Në kuadër të borxhlinjve më të mëdhenj ndaj shtetit është edhe Telekomi i Kosovës. Lidhur me këtë gjë drejtori i ATK-së pohoi se Telekomi është duke zbatuar marrëveshjen e arritur me ATK-në pas mbylljes së llogarive bankare për shlyerjen e borxheve. “Në vitin që lamë pas janë ndërmarrë 176 aktivitete për shmangie tatimore, 37 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore, ndërsa 5.3 milionë euro është vlera e shmangies tatimore. Plani afatmesëm i reformës 2019 – 2021 është luftimi i evazionit fiskal në sektorin e ndërtimtarisë, identifikimi i bizneseve ndërtimore që nuk përmbushin obligimet tatimore dhe kontrolli i përgjithshëm në sektorin e ndërtimtarisë”.

Murtezaj ka thënë se ATK-ja gjatë vitit 2019 ka aprovuar 626 kërkesa të bizneseve për lirim nga TVSH-ja, ndërkaq për shkak të mospërmbushjes së kërkesave ka refuzuar 32 kërkesa. “ATK-ja vjet ka thyer rekordin e 20 vjetëve, qëkur ekziston ky institucion. Është arritur të inkasohen 504 milionë euro. Ndërkohë, që dihet ky institucion ka arkëtuar në vitin 2000 vetëm 5 milionë euro”, ka thënë ai /ZERI

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).