UBT

Atë ditë nuk ndodhi aksidenti

/ 4 minuta lexim

Nga Bilall Haliti – ( Legjenda: Një ditë, duke u kthyer nga puna, shqiptari nga Kosova me inicialet I.F. i shqelmoi qenin në trolejbus zonjës zvicerane.)

Nuk di pse u zemërua atë ditë zonja
pse i shqelmova qenin në trolejbus
nuk di kush kujt duhet t’i kërkonte falje
unë – asaj apo ajo – mua
atë ditë nuk ndodhi aksidenti
dëshmitar kam Agronin
dëshmitare kam Teutën.
Thjeshtër më bëri ajo, Evropa
asnjëherë nuk u këndell nga dehja
asnjëherë nuk i fërkoi sytë
asnjëherë nuk shikoi esëll
njëmijë herë ishte në jerm
njëmijë herë më shpalli bastard
njëmijë herë më mallkoi pa faj
njëmijë herë më dënoi pa gjyq
njëmijë herë më shau
njëmijë herë më shkroi nekrologun
njëmijë herë më shpalli të vdekur
njëmijë herë u bë prokuror
njëmijë herë ngriti aktakuzë
njëmijë herë dha urdhër arresti
njëmijë herë ma mori hisen
njëmijë herë ma mohoi autorësinë
njëmijë herë më qiti në ankand
njëmijë herê bëri plagjiaturë
e unë isha djepi i saj.
Nuk di pse u zemërua at ditë zonja
pse i shqelmova qenin në trolejbus
atë ditë nuk ndodhi aksidenti
ai kish ndodhur mijë vjet më parë
dëshmitar kam Agronin
dëshmitare kam Teutën
unë vetëm hisen time po kërkoja.

1) Poezia në konkursin letrar shpërblyes të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2007 ” mori çmimin e dytë.

Satirike

Nuk nis bota jo prej sotit

Dje – goxha burrë
e me nam or mik ,
zot i penës e i titullit –
prof., dr. e akademik .

Po pse treti, kushedi ,
pse tatëpjeta tash e mori –
e la shkencën, përçudi ,
shkruan pamflete ky doktori !

Shfaqet në simpozium
tribunë a kuvend ,
në TV e në gazeta ,
pa ditur as rend !

Deshti si në shkencë
të nis me politikë,
hesapi s’ i doli
e mbeti në antikë !

UBT

Herë thumbit, herë patkoit,
kalemxhiut si i ka hije ,
u ngatërruan fijet e lëmshit –
bota mbet pa fije !

Nuk sheh bardhë po veç zi,
herë me rrotlla, herë açik ,
s’ ka më vlerë fjalë e tij –
na u bë dhe munafik !

Pak iu duk simpoziumi,
tribuna iu duk pak,
edhe akademinë solemne
e bëri me farmak !

Mohon e shan të tjerë,
veten ngre maje lisit ,
dekokrat për nasihat –
i shëmbëllen vetë narcisit !

Hardall i doli politika,
se nuk bëhet me kashtë zjarri ,
trazon eshtrat e dëshmorit,
mban fjalime mu te varri !

Mat pa hile në kandar jeta,
kjo dihet që prej motit,
nuk vonon jo e vërteta –
nuk nis bota jo prej sotit !

TAKIMI ME VËLLAIN

Mijëra herë kisha imagjinuar takimin
pritja e gjatë shekull
GJYSMËNËNA e parë vetëm në ëndërr
edhe i mitur po ia dëgjoja zërin
po nga largësia
në Radio Tiranë e në Radio Kukës
për pushtuesin isha ilegal
person non grata
e po bëja kundërvajtje
po lexoja ilegalisht
po dëgjoja ilegalisht
se harta ish ndërruar
p a d r e j t ë s i sh t
GJYSMËNËNËN s’ mund ta shihja
vëllain s’ mun ta takoja
pritja e gjatë shekull
GJYSMËNËNA e parë në hartë
GJYSMËNËNA e parë në libër
GJYSMËNËNA e parë në ëndërr
tash kur po takohem ,,live,,
si t’ i përmbaj emocionet
si të çmallem me vëllain
me vëllain prej një babai
me vëllain prej një nëne .