Fundamenti

Atalanta – Leverkusen, Gjimshiti përballë Xhakës në finale të Ligës së Evropës

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Atalanta dhe Bayer Leverkuseni do ta kërkojnë sonte trofeun e çmueshëm të Ligës së Evropës.

“E bukura dhe Bisha” është konsideruar kjo ndeshje.

Kjo për faktin se Atalanta bën futboll të bukur dhe spektakolar, kurse përballë do ta ketë bishën e pamposhtur Leverkusen.

Ky njëherësh do të jetë edhe një duel mes shqiptarësh. Në njërën anë Berat Gjimshiti, një mbrojtës i pakalueshëm i ekipit italian, shkruan “Gazeta Express”.

Nga ana tjetër, Granit Xhaka, dirigjent i lojës së skuadrës gjermane. Pra, njëri prej lojtarëve shqiptarë do të festojë gjithsesi sonte.

Një sfidë e jashtëzakonshme mes dy skuadrave kaq të ndryshme, por që e kanë një emërues të përbashkët – suksesin, në një finale që askush nuk mund ta parashikojë.

Ekipi bergamask e pati një rrugëtim të jashtëzakonshëm duke e eliminuar Liverpoolin. De Ketelaere dhe Scamaca kanë impresionuar me paraqitje solide në ekipin e Gasperinit.

Hidromorava

Ndërkaq, ata s’do të kenë punë të lehtë pasi përballë do ta kenë një skuadër të pamposhtur prej plot 51 ndeshjesh.

Pasi e fitoi titullin historik të kampionit në Gjermani, Xabi Alonso me skuadrën e tij e synojnë një tjetër arritje të paimagjinueshme.

“Farmaceutikët” kanë ditur të ngriten edhe atëherë kur dukeshin të gjunjëzuar, duke përmbysur gjithçka në fund.

Ata nuk dorëzohen asnjëherë dhe duan ta mbyllin sezonin në mënyrë perfekte.

Por, edhe ekipi nga Bergamo i ka bërë llogaritë e veta dhe dëshiron t’ia sjellë futbollit italian një trofe evropian.

Ndeshja mes Atalantës dhe Leverkusenit do të luhet sonte duke filluar nga ora 21:00. /Gazeta Express/