Uji Dea

Ata janë e keqja, jo bordet

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Ibrahim Rexhepi – Ekipi që vjen nga Britania e Madhe për bërë fuqizimin dhe pavarësimin e bordeve fillimisht duhet të merret me dy nënshkruesit e memorandumit- Qeverinë dhe Kuvendin, meqenëse ato janë ideatorë dhe zbatues të politikës së zhvatjes dhe të nepotizmit përmes emërimit të “njerëzve tanë” nëpër borde.

Duhet thënë faleminderit ekipit britanik që pritet të vij në Kosovë, por edhe ambasadorit Ruairi O’Connel që do të marrin mundin që kosovarët t’i mësojnë për gjëra të zakonshme që ndërlidhen me mënyrën e funksionimin shtetit: Ruajtjen, valorizimin dhe menaxhimin me vlerat e përgjithshme, si janë ndërmarrjet publike. Së bashku me këtë ata duhet të japin leksione edhe për pavarësinë e agjencive dhe rregullatorëve, e cila vërehet fillimisht nga mënyra e përzgjedhjes dhe emërimit anëtarëve të bordeve – atyre që duhet të përkujdesen për zbatimin politikave të drejta dhe me interes për të gjithë pjesëmarrësit në treg – duke filluar nga konsumatorët.

Pa dyshim se britanikët do të japin leksione edhe për zhvillimet më të reja drejt forcimit dhe pavarësimit të bordeve, për të cilat shumë prej atyre që bëjnë seleksionimin dhe emërimin e tyre as që kanë lidhje se çka është ndërmarrja publike, agjencia, apo rregullatori i pavarur.

Bordet e tyre, qeveritarët dhe kuvendarët i konsiderojnë vetëm si vende pune për njerëzit e vet, përmes të cilëve realizojnë interesa personale dhe ruajnë ndikimin te keto subjekte për mënyrën e qeverisjes, ndarjen e tenderëve, punësimin…

Pra të këtillët, që zakonisht janë të gjithëfuqishëm dhe të paprekshëm nga ligji, përbëjnë mekanizmin për të krijuar të keqen dhe të dëmin e përgjithshëm, por në të mirën e vet. Kjo qasje ndaj bordeve mbretëron me vite, dihet botërisht, është thëne e dëshmuar sa e sa herë nga mediat e shoqëria civile, ndërsa tash duket qartë edhe pas skandalit të telefonatave ndërmjet “shefit të shefave” me “shefat” e tjerë.

Prandaj, këtu nuk ka asgjë të padukshme dhe të paditur. Madje as për britanikët që do të vijnë këtu. Ata fillimisht duhet të kërkojnë zbatimin ligjit, i cili, sa do që mund të ketë defekte, por , megjithatë, jep bazën e shëndoshë për ndërtimin e bordeve të shëndosha, apo për funksionalizimin e qeverisjes korporatave edhe në Kosovë.

Pra, puna e tyre duket të jetë shumë e thjeshtë kur është në pyetje ligji, liria e tregut, forcimi i konkurrencës, qeverisja korporatave, etj. Por, a janë të gatshëm “shefat” dhe “shefat e shefave” të pranojnë dicka që është dashur ta kuptojnë në momentin kur kanë marrë përgjegjësinë për të përzgjedhë për emëruar anëtarët në borde ?

A janë të gatshëm ata të heqin dorë nga pozita e të qenit i gjithëfuqishëm dhe nga ajo që iu krijon beneficione të pa merituara shoqërore dhe përfitime materiale përmes margjinave të ligjit, madje edhe zhvatjes.

Në fakt, krejt problemin duhet parë më ndryshe- këta njerëz kanë pasur mundësi të mësojnë dhe të kuptojnë se cka është pavarësia dhe integriteti i institucionit, por mënyra e deritashme e punës dhe e sjelljes ndaj përgjegjësive që kanë buron nga bindja e tyre që kanë për shtetin dhe institucionet e tij. Ato i konsiderojnë si çështje private dhe se gjithçka aty duhet të funksionoj sipas vullnetit të “shefit” e të “shefit të shefave”.

Pra, britanikët mund të japin leksione për forcimin dhe pavarësimin e bordeve, por a do të mund t’ua ndryshojnë bindjen si shteti është pronë e tyre dhe me të bëjnë çfarë t’ua do pika e qejfit.

Ka shumë fakte që më bëjnë skeptik se britanikët do të kenë mundësi të ndryshojën dicka në kokat e “shefave” dhe të “shefave të shefave”. Posacërisht kur kam parasysh shumë e shumë raste kur këta kanë mundur të na bindin se dinë të punojnë edhe më ndryshe- në të mirën e përgjithshme.

Janë pikërisht ata që kanë toleruar bordin, i cili ka tetë vite që ndërmarrjen publike më profitabile në vend po e qojnë drejt humnerës, ndërsa po ky bord, për vete cakton shpërblime (bonuese) sa herë të ketë dëshirë dhe pa pyetur fare as menaxhmentin e kompanisë se a ka para, apo jo ;

FIDANISHTJA

Janë pikërisht ata që kanë toleruar bordin, i cili me vite të tymra miraton plane biznesi kur 90 për qind të të hyrave të kompanisë i shpërndanë për paga dhe beneficione të tjera për punëtorët, duke dëshmuar nivelin më të ulët profesional për mënyrën e qeverisjes me një kompani;

Janë pikërisht ata që kanë mbështetur bordin e një ndërmarrje me qëllim të punësimit dhe dhënies së tenderëve për militantët partiak, si edhe për emërime duke qenë në konflikt të hapur interesi;

Janë pikërisht ata që nuk kanë kërkuar asnjë përgjegjësi për bordin e një institucioni të rëndësishëm publik, raporti i të cilit për dy vite me radhë nuk miratohet në Kuvendin e Kosovës;

Janë pikërisht ata që asnjëherë nuk kanë treguar se si është e mundur që një anëtarë bordi për një ditë punë (mbledhje) të përfitoj sa 5-6 paga mesatare mujore në Kosovë;

Janë pikërisht ata që nuk kanë përmbushur detyrimin për kompletimin dhe ngritjen e shkallës së profesionalizmit në mekanizmin që monitoron ndërmarrjet publike;

Janë pikërisht ata që për shkak të mosmarrëveshjeve për ndarjen e posteve bllokuan një autoritet të tërë dhe sollën “Trepçën” para mbylljes, meqenëse nuk kishte kush të nënshkruaj licencë ?

Janë pikërisht ata që me vite të tëra mbajtën pezull një agjenci me qindra miliona euro të huaja, të cilat nuk ka mundur t’ua shpërndajë punëtorëve, e as t’i paguaj në buxhetin shtetit, meqenëse nuk kishte kush të nënshkruaj letrat ;

Janë pikërisht ata që kaherë kanë mbytur autoritetin e konkurrencës me të vetmin qëllim që të mos ketë mekanizëm që kontrollon tregun dhe monopolet e krijuara nga qeveritarët e kuvendarët;

Janë pikërisht ata që hapur kanë deklaruar se ne nuk do të lejojmë shtrenjtimin e energjisë elektrike , duke u përplasur keq me ligjin, i cili atyre nuk ua beson këtë punë;

Pa dyshim se ka edhe shumë raste të tjera, por këto mjaftojnë të bindin britanikët se është e vërtetë se bordet punojnë keq dhe se janë të kapura nga individët që kanë privatizuar cdo funksion të shtetit. Pra, bordet janë pjellë e së keqes, e cila a ngulë rrënjë shumë thellë dhe është vështirë të shkulen qoftë edhe me MI-5.

Prandaj, e para që duhet menduar është ajo se mund të ndryshojnë bindjet në kokat e këtyre njerëzve, apo duhet të bijnë kokat së bashku me bindjet ( të merren në përgjegjësi dhe të zhvishen nga fuqia që ia kanë uzurpuar institucioneve të shtetit).