ARKATANA

Astriti i bindur: 2015-ta, viti im

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Ishte i ri vetëm 16 vjeç, por mosha e tij nuk e pengoi gjigantin anglez Liverpool që t’i shpenzojë 1.2 milion euro për ta transferuar.Mesfushori kosovar, Astrit Ajdareviq, aktualisht është pjesë e një skuadre tjetër të madhe, asaj belge Standard Lutich, dhe sapo është kthyer nga një lëndim që e mbajti jashtë fushave për disa muaj.

Përpos Liverpoolit dhe Standardit, mesfushori prishtinas ka bërë karrierë edhe në Suedi tek skuadrat Falkenbergs, Orebro e Norrkoping. Ndërsa, në Angli ka luajtur edhe për Charlton Athletic, Leicester City dhe Hereford.

Në pesë ndeshje këtë stinor, me Standardin, Ajdareviq ka shënuar një gol, dhe ka asistuar në një tjetër. Në një intervistë për Telegrafin, 24-vjeçari flet rreth karrierës së tij, dëshirës për të luajtur, të ardhmes me Kombëtare, si dhe për ish-shokun e tij të ngushtë, të ndjerin Besian Idrizaj.

“Tani sapo jam kthyer nga një lëndim i gjatë që më mbajti jashtë fushave, dhe po ndihem mirë. E rëndësishme është që kam dëshirë dhe vullnet të madh për të luajtur, dhe kur ekzistojnë këto atëherë gjërat bëhen më të lehta”, deklaroi fillimisht Ajdareviq për Telegrafin.

“Viti që lamë pas nuk ishte më i miri, për mua, pasi kisha disa probleme me lëndime por tani krejt ndryshe janë gjërat. Jam mirë, dhe kam marrë besimin e trajnerit, dhe kjo është e rëndësishme. Nëse dikush më beson mua atëherë unë do të jap më të mirën nga vetja ime për t’ia kthyer besimin. Më keq më nuk ka se ku të shkoj, prandaj po them se viti 2015 do të jetë vit i imi dhe suksesve”, vazhdoi tutje ish-anëtari i Liverpoolit, duke treguar edhe për ofertat që kishte.

“Kam pasur tri oferta të mira, por që emrat e klubeve nuk mundem t’i them. Krejt çfarë mund të them është se kam pasur ofertë nga kampionatin holandez, gjerman dhe ai anglez por pasi trajneri më ka kërkuar të qëndroj kam qëndruar. Ai më ka në plane dhe dua t’i tregoj aftësitë e mija këtu”, vazhdon tutje Ajdareviq.

Rreth Kombëtares

Kosovari deri më tani ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Suedisë, nga U17 deri më U21, por aktualisht karriera e tij është duke u zhvilluar vetëm në klube.
Ai zbulon se për shërbimet e tija është e interesuar Suedia, ndërsa një gjë të tillë nuk e ka shfaq edhe Shqipëria.

Eco Higjiena

Edhe pse nuk kishte kontakte nga Federata Shqiptare e Futbollit, Astriti thotë se për të më me rëndësi momentalisht është vetëm arritja e formës më të mirë në klub.

“Momentalisht jam përqendruar vetëm në klub. Dua ta arrijë formën time më të mirë fillimisht me klubin pastaj shohim. Ka pasur interesim nga Suedia, por nuk jam i interesuar njëherë për asgjë. Gjithashtu pasi po insistoni dua të them se nuk kam pasur kontakte nga Shqipëria”, thotë ai, duke treguar se do të vendosë se për kënd do të luaj vetëm pasi ta arrij formën maksimale.

“E rëndësishme është se unë e dijë se kush jam, unë e di se çka jam. Jam shqiptarë i lindur në Kosovë, dhe këto i dijë dhe nuk i harrojë asnjëherë. Nuk i harrojë ata që më kanë rritur dhe më kanë edukuar. Kur të vijë koha do të vendosi se për kënd do të luaj, Suedinë, Shqipërinë apo Kosovën”, tha mesfushori ofensivë.

Krenari të luash me Gerrardin, Besiani më mungon

Pothuajse nuk ka futbollistë në botë që nuk ka dëshirë të luaj përkrah një legjende si Steven Gerrard, e këtë gjë e ka bërë kosovari Astrit Ajdareviq.

“Të luash me yje të mëdha, si Gerrard, Torres, Carragher, Rise etj, ishte kënaqësi e madhe për mua. Unë jam krenarë që kam luajtur në një skuadër aq të madhe siç ishte Liverpool. E rëndësishme është që ata të gjithë e dinin se nga vija unë, por më e rëndësishmja është që nuk i kam dëshpëruar asnjëherë. Atje kam treguar së pari karakter dhe kulturë të madhe, dhe për këtë edhe sot më vlerësojnë”, tha Astriti.

Gjatë asaj kohe në Liverpool, ishte edhe ish-futbollist kosovar, Besian Idrizaj, i cili pastaj u largua në drejtim të Swanseas, ku ndërroi jetë. Astriti dhe Besiani ishin shokë të ngushtë, ndërsa largimi nga kjo botë e Idrizajt, ishte shokuese për Ajdareviqin.

“Besiani ka qenë si një vëlla i madh për mua në atë kohë. Ende e kujtoj, pasi ka qenë një futbollist i jashtëzakonshëm por mbi gjitha ka qenë njeri i mrekullueshëm. Ndarja e tij nga jeta më ka shokuar mua dhe gjithë shokët tjerë. Sa ishim së bashku në Liverpool, ai më ka mësuar shumë gjëra, çka duhet të bëjë e çka jo. Sikur të ishte gjallë, jam i bindur se do të ishte një futbollist i madh. Më mungon shumë”, përfundoi Ajdareviq. /Telegrafi/