RCCOLA

Asociacioni po troket në dyer, ndërkombëtarët duan zbatim të marrëveshjes këtë vit

/ 6 minuta lexim

Pasi mori ndëshkimin e BE-së dhe më pas u pajtua me bllokun europian për një plan për shtensionimin e situatës në veri, Kosovës i kërkohet zbatimi i shpejtë i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Edhe Serbisë i kërkohet e njëjta gjë. Siç pati thënë emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk është sekret që ndërkombëtarët duan zbatim këtë vit. Ata duan t’i kthejnë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq shumë shpejt në tavolinën e bisedimeve. Formimi i Asociacionit konsiderohet çështja thelbësore që Kosova duhet ta zbatojë.

Gazeta Express

Kosovës dhe Serbisë do t’u duhet ta zbatojnë një marrëveshje të finalizuar në mars, të cilën bashkësia ndërkombëtare e konsideroi historike. Megjithëse vetëm rreth dy muaj nga ai takim në Ohër ku kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq u morën vesh për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, tensionet në veriun e Kosovës eskaluan deri në dhunë, ndërkombëtarët duan që sa më shpejt t’i rikthejnë dy liderët në tavolinën e dialogut.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e panë fajtor Kurtin për tensionimin e situatës në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. BE-ja e ndëshkoi Kosovën për t’u marrë vesh më pas me të për një plan për shtensionim.

Qeverisë së Kosovës do t’i duhet të tërhiqet nga veprimet e fundit në veriun e vendit dhe të organizojë zgjedhje të reja në atë pjesë. Dhe më pas, të kthehet menjëherë në dialogun me Serbinë.

Vetëm tri ditë pas finalizimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak pati thënë se s’është sekret që ata duan që zbatimi i saj të bëhet këtë vit. I pyetur në një intervistë në Radion Evropa e Lirë se a presin zbatim të marrëveshjes këtë vit, sepse vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje dhe çështje të tjera të rëndësishme, Lajçak u përgjigj kështu: “Sërish, ne kishim planifikuar shumë afate konkrete kohore në dokumentin fillestar. Tani, ne nuk duam që palëve t’iu imponojmë afate. Ne duhet të pajtohemi për këtë kur të takohemi. Por, ky nuk është sekret”.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot tha të shtunën në një intervistë për Express se “duhet të organizohen takime të reja të nivelit të lartë”, duke i inkurajuar palët që “të mbajnë një qëndrim konstruktiv për të arritur zbatimin e kësaj marrëveshjeje sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Në këtë fazë, një takim i ri i nivelit të lartë ndërmjet BE-së, Kosovës dhe Serbisë duhet të organizohet në fillim të vitit shkollor, por i takon lehtësuesit evropian, z. Lajçak, të vlerësojë ritmin e duhur të bisedimeve. Ne kemi besim të plotë tek ai”, tha ambasadori Guérot.

Hidromorava

Kthim urgjent te zbatimi i marrëveshjes kërkon SHBA-ja. Ambasadori amerikan në Prishtinë. Jeffrey Hovenier tha të martën se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të bëhet gjithashtu shpejt.

“Nga Qeveria e Kosovës ne kërkojmë që të ndërmarrë hapa për shtensionuar situatën në veri dhe të krijojë një mjedis të ri ku të dyja shtetet mund të punojnë në zbatimin e të gjitha zotimeve në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit. Për Kosovën kjo nënkupton që të lëvizë përpara me një urgjencë në procesin për negocimin dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo është pjesë e zotimeve që janë bërë nga Qeveria e Kosovës. Ky nuk është obligimi i vetëm që ka dhe ky nuk është neni i vetëm i Marrëveshjes së Ohrit, por është i rëndësishëm”, tha Hovenier gjatë një adresimi për media.

Më 18 korrik, Kosova ishte çështje kryesore e diskutimit në Capitol Hill, ku i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar raportoi për situatën në rajon. Ai foli për nevojën e zbatimit të marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij është rruga që do ta shpie shtetin e ri ballkanik në organizatat ndërkombëtare. Diplomati amerikan tha se aspirata më e lartë e SHBA-së në rajon është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, e Bashkimit Europian dhe ta sigurojë një ulëse në OKB. Në këtë drejtim, ai tha se formimi i Asociacionit është “një element thelbësor”.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, tha Escobar.

Kjo marrëveshje, Escobar tha se ia ka ofruar SHBA-së “mundësinë më të madhe në 15 vjetët e fundit” që të bashkëpunojë me Qeverinë e Kosovës që të niset “jo vetëm një fushatë europiane e njohjeve, por një fushatë globale e njohjeve”.

Por në këtë çështje, Escobar tha se s’po e sheh Qeverinë e Kosovës të rreshtuar krah SHBA-së. Për mënyrën se si të ecet drejt njohjes së plotë ndërkombëtare, ai tha se “deri më tani nuk e kam marrë atë zotim prej Qeverisë së Kosovës”.

Por, në një intervistë për gazetën kroate që u botua më 24 korrik Kurti dha fjalë të forta për zbatimin e Asociacionit kur gazetari ia kujtoi se në marrëveshje është edhe formimi i Asociacionit me pyetjen “A është kjo e pranueshme për ju?”.

“Neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, i cili lidhet me nenin 10, i cili thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese, duhet të zbatohen plotësisht” tha ai.