Asociacioni legjitimon autonomi për veriun
Formimi i shpejtë i Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) do të jetë shumë i rrezikshëm për Republikën e Kosovës, nëse në komunat me shumicë serbe në veri, vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele të sigurisë.
Sipas burimeve të “Zërit”, rreth 80 për qind të komunave të veriut, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kontrollohen nga struktura paraushtarake “Civilna Zastita”.
Nëse ky Asociacion formohet brenda dy-tre muajve, sipas njohësve të rrethanave politike në vend, do të jetë shumë i dëmshëm për Kosovën, sepse e legalizon autonominë për veriun, pasi që asociacioni nën ombrellën e vet do të ketë tre faktorë: buxhetin, sigurinë dhe politikën e orientuar nga Beogradi.
Prandaj një asociacion me qindra miliona euro buxhet dhe me një strukturë paraushtarake të organizuar mirë, e bën veriun vend autonom./zeri/


