Uji Dea

Asociacioni kusht për anëtarësim në KiE – ekspertët e quajnë të padrejtë, proceset s’duhet të lidhen

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) është i lidhur me progresin që Kosova do ta ketë në dialogun me Serbinë, por që mund të kushtëzohet edhe me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kanë vlerësuar analistët.

Ata i thanë Ekonomia Online se do të ishte gabim nëse shtetet anëtare të KiE-së do ta kushtëzonin hyrjen e Kosovës në këtë Këshill me formimin e Asociacionit.

Analisti politik Gazmir Raci, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në KE është i lidhur progresin që do të ketë në dialogun me Serbinë.

Ai tha se do të ishte gabim që tani Kosova të kushtëzohej me këtë, pasi sipas tij, Serbia me pranimin e planit franko-gjerman dhe aneksit të Ohrit ka dhënë zotime ndërkombëtare se nuk do ta pengoj Kosovën në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës unë mendoj që ka lidhja komplet me progresin që do të kemi në dialogun Kosovë-Serbi, sepse hy në kuadër të marrëdhënieve rajonale dhe marrëdhënieve politike mesë Kosovës dhe Serbisë. Por që për mendimin tim do të ishte gabim nëse shtetet anëtare të KE-së e kushtëzojnë hyrjen ose jo të Kosovës, sepse tashmë Serbia me pranimin e planit franko-gjerman dhe aneksit të Ohrit ka dhënë zotime ndërkombëtare se nuk do ta pengoj Kosovën në as një organizatë ndërkombëtare”, tha ai.

Uji Dea

Raci ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në KiE në këtë fazë është shumë e rëndësishme. “Në këtë fazë që gjendet Kosova është shumë e rëndësishme hyrja e Kosovës në KE sepse tregon që Kosova është e gatshme për të kontribuar edhe në këtë organizatë ndërkombëtare. Dhe natyrisht nëse hyet aty atëherë kjo dëshmon që Kosova ka plotësuar kriteret bazike që mund të bëhet anëtare e KE-së”, tha ai.

Analisti politik, Arbnor Sadiku, ka thënë se duke parë procesin e zgjerimit që ka ndodhur edhe në vendet e tjera të Ballkanit edhe anëtarësimi i Kosovës në KiE mund të kushtëzohet me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe krijimin e Asociacionit. Kjo sipas tij, nuk është e drejtë që proceset të ndërlidhen me njëra-tjetrën, raporton EO.

“Faktikisht po për shkak se kemi parë edhe procesi i zgjerimit që ka ndodhur vendet e tjera të Ballkanit, ta zëmë rastin e Kroacisë ku përveç kriterit të Kopenhagës ka qenë bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës nga Kroaci për dorëzimin e krimineleve të luftës dhe ky ka qenë kushte shtesë nga Unioni Evropian”.

“Prandaj edhe për Kosovën varësisht nga konteksti politik, BE-ja përveç atyre kritereve bazike mund të shtoj edhe ndonjë kërkesë të veçanta, në këtë rast për Kosovën sigurisht do të jetë zbatimi i marrëveshjes së Ohrit dhe krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Natyrisht që gjasat mund të jenë të mëdha që në rast se Kosova nuk e krijon vetë atëherë obligohet të themeloj këtë Asociacion si kusht për anëtarësim ose për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE”, tha ai.

Kosova në maj të vitit të kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të medieve, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.