Fundamenti

Asociacioni i njëanshëm nuk e tremb Qeverinë “Mustafa”

/ 3 minuta lexim

Paralajmërimi i qarqeve të ndryshme serbe, se si kundërveprim i zvarritjes së formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës mund të përgatitet skenari tjetër që të shpallet dhe vendoset një bashkësi e komunave me shumicë serbe, sipas një plani të hartuar nga Qeveria e Beogradit, në bashkëpunim me serbët lokalë, jo vetëm që nuk do të pranohet, por do të ketë një kundërshtim të fuqishëm nga autoritetet kosovare.

Qeveria po e injoron një paralajmërim të tillë, derisa deputet të subjekteve të ndryshme politike dhe ekspertët e shohin si kërcënim serioz, i cili vjen për shkak të negocimit të dobët me Beogradin për dy mandate rresht nga ish-qeveritë ‘Thaçi 1 dhe 2’.

Këshilltari i kryeministrit, Bajram Gecaj, ka pohuar se realisht nuk ka ndonjë rrezik që Serbia të shtyjë serbët lokalë për një veprim të tillë dhe të gjitha këto paralajmërime janë në nivel spekulimi, por që realisht nuk pritet të ndodhë diçka e tillë. “Këto janë vetëm spekulime, institucionet e Serbisë nuk kanë paralajmëruar diçka të tillë, pra nuk do të ketë shpallje të njëanshme të asociacionit. Tani ka perënduar koha kur për Kosovën dhe në emër të saj vendos dikush tjetër”, tha Gecaj për “Kosova Sot”.

Eco Higjiena

Ekstremizmat e Beogradit

Sido që të jetë, eksperti i fushës së legjislacionit, Muhamet Kelmendi, këtë paralajmërim të qarqeve të ndryshme zyrtare e jashtë-zyrtare në Beograd nuk e sheh si të pamundur, si veprim ekstrem të shtyrë nga Qeveria në Beograd, që mund të paralajmërohet me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj Qeverisë së Kosovës, për të mos e prolonguar tutje këtë segment kyç të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.“Unë konsideroj se në kuadër të të gjitha krimeve dhe veprimeve që deri më tani Serbia i ka bërë në Kosovë, edhe një akt i tillë juridiko-politik, i nxitur dhe i mbështetur nga Qeveria serbe, për komunat me shumicë serbe që janë krijuar në territorin e Kosovës, mund të realizohet, ngase sipas një logjike e ka edhe bazën juridike, sepse ato komuna tani janë formësuar dhe konsoliduar nga të ashtuquajturat zgjedhje të lira lokale, kurse nga ana tjetër asociacioni është i lejuar me ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë, prandaj shteti serb mund t’i keqpërdorë ato, të nxitë komunat e veriut ta thirrin një Kuvend dhe ta deklarojnë formimin e një asociacioni të tillë”, u shpreh Kelmendi. “Nga ky aspekt do të dukej si një rrugë normale e krijimit të këtij asociacioni, por në kuadër të krimeve dhe veprimeve që i ka krijuar shteti serb në Kosovë deri tani një akt i tillë juridiko-politik nëpërmes këtyre komunave do të merrte kompetenca shtesë, derisa institucionet e Kosovës nuk kanë qasje fare në pjesën veriore të mbizotëruar nga pakica serbe e kontrolluar nga Beogradi, prandaj ky akt mund të rrezikojë deri te lëvizja drejt shkëputjes totale territoriale edhe nga autoriteti kushtues i Kosovës”, theksoi më tej ai./kosova sot/