Fundamenti

Asociacioni dhe zgjedhjet në SHBA – përcaktues të mundshëm të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Shmangia e presionit ndërkombëtar për miratimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe droja nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA, janë dy arsye përse Qeveria e Kosovës e mbështet idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, thotë Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, me seli në Prishtinë.

“Nëse partisë në pushtet nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje, ajo do ta pengonte çdo alternativë të mundshme për ta çuar vendin në zgjedhje”, thotë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për REL-in më 19 mars se për partinë e tij “është njësoj”.

“Nuk kam unë problem për asnjërin variant… Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi”, ka thënë ai, por nuk ka përmendur ndonjë arsye përse do të duheshin zgjedhjet e parakohshme vetëm disa muaj para përfundimit të mandatit qeverisës.

Kurti e ka përsëritur këtë edhe në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ku ka thënë se për shpërndarjen e Kuvendit, partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, mund ta ndihmojë opozitën për t’i arritur votat e nevojshme.

Opozita, në anën tjetër, kërkon prej kohësh zgjedhje të parakohshme, për shkak të, siç konsideron ajo, dështimeve të vazhdueshme të Qeverisë, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në politikën e jashtme. Megjithatë, ajo nuk ka konsensus për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Mandati katërvjeçar i Qeverisë aktuale përfundon marsin e ardhshëm.

Çka thonë partitë opozitare?

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, thotë se partia e saj mbështet idenë që në zgjedhje të parakohshme të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.

“Ne nuk e kemi saktësuar ende, si lidership i PDK-së, nëse do të ketë shpërbërje të Kuvendit ose mocion të mosbesimit [ndaj Qeverisë]. Por, ai që na bashkon, është fakti se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe duhet të kërkohet legjitimitet i ri qytetar”, thotë Deliu-Kodra për Radion Evropa e Lirë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim – për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, Qeveria duhet të japë dorëheqje.

Sipas tij, deklarata e Kurtit se partia në pushtet do t’i ndihmojë opozitës t’i arrijë numrat për shpërndarjen e Kuvendit, është “kurth politik, për t’i mbuluar dështimet”.

“Nëse [Kurti] i lexon drejt dështimet e veta, le të japë dorëheqje”, thotë ai.

Haziri pranon se edhe ndërmjet partive opozitare ekziston një “hendek i madh” dhe thotë se nuk mund të ketë marrëveshje për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje.

“Ndërmjet opozitës nuk ka bashkëpunim. Jemi larg me agjenda, dallimet janë shumë të mëdha. Sikurse që janë dallimet me partinë shumicë, ashtu janë dallimet në substancë edhe ndërmjet opozitës”, thotë Haziri.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë se kjo parti nuk do të këmbëngulë më në idenë e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Pse zoti Kurti, kur kërkuam ne mocion, nuk e ofroi këtë në periudhat tjera, pa i shkaktuar dëme vendit? Pse nuk bashkëpunoi me opozitën? Tash po kërkojmë që zoti Kurti të japë dorëheqje”, thotë Kadrijaj.

Udhëheqësi i partisë së saj, Ramush Haradinaj, ka dalë me idenë e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë qysh verën e kaluar, por ajo nuk ka shkuar përpara.

Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet ka 56 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse, ndërsa tri partitë opozitare kanë 42. Dy janë të pavarur, ndërsa të tjerët u takojnë partive më të vogla ose komuniteteve pakicë.

Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha në një konferencë për media se për të caktuar eventualisht një datë për zgjedhjet e parakohshme dhe mënyrën se si të shkohet në atë proces, partitë politike duhet të jenë të përkushtuara për dialog politik.

“Përderisa grupimet politike të opozitës nuk e kanë këtë, duket paksa joserioze të kërkohen votat e pushtetit për të shpërbërë Kuvendin apo për të mbështetur mocionin e mosbesimit”, tha Kusari-Lila.

Hidromorava

“Lojë politike” e partive për zgjedhjet

Njohësi i zhvillimeve politike, Demhasaj, thotë se “problematizimi” i çështjes se si vendi mund të dërgohet në zgjedhje të parakohshme, është “lojë politike” e partisë në pushtet dhe opozitës.

Sipas tij, Lëvizjes Vetëvendosje i përshtatet që në zgjedhje të parakohshme të shkohet përmes marrëveshjes së partive politike për shpërndarje të Kuvendit.

Në rast se Qeveria do të jepte dorëheqje, thotë Demhasaj, një pjesë e madhe e publikut do ta konsideronte këtë veprim si dorëzim të Kurtit para presionit ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.

Demhasaj beson se, me njërin ose tjetrin opsion, vendi do të shkojë në zgjedhje më së largu deri në shtatorin e këtij viti.

“Fakti që Vetëvendosja ka shumicën në Kuvend dhe pa votat e saj është e pamundshme të shpërndahet Kuvendi apo të shkarkohet Qeveria, me shumë gjasë, alternativa e Vetëvendosjes [për shpërndarjen e Kuvendit me konsensus] është më e mundshme”, thotë Demhasaj.

Por, sipas tij, nuk mund të përjashtohet as mundësia që Lëvizja Vetëvendosje të mos i rezistojë presionit ndërkombëtar për fillimin e procedurave për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“… dhe Qeveria mund të japë dorëheqje dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje në pranverë, për shkak se presioni është shumë i madh. Të gjitha opsionet janë të mundshme”, thotë ai.

Çështja e formimit të Asociacionit ka vite që zvarritet, edhe pse për të ka një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë qysh në vitin 2013.

Në fund të vitit të kaluar, bashkësia ndërkombëtare u ka prezantuar palëve një draft për statutin që do të kishte ky asociacion.

Palët, fillimisht, kanë thënë se e pranojnë në parim, por nuk kanë bërë asnjë hap përpara.

Në intervistën dhënë REL-it më 19 mars, Kurti ka thënë se nuk e ka pranuar këtë draft-statut.

Sipas tij, ai do duhej të shkonte në paketë me Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilën, siç ka thënë, Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë.

Demhasaj thotë se pushteti aktual në Kosovë do të synonte të siguronte një mandat të ri edhe para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, që do të mbahen në nëntor.

Në këtë garë pritet të marrin pjesë presidenti aktual, Joe Biden, dhe ish-presidenti Donad Trump.

Kur përballja ka qenë e njëjtë në vitin 2020, Kurti u ka bërë thirrje shqiptarëve në SHBA që të votojnë për Bidenin. Këtë e rikujton edhe Demhasaj.

“Në rastin e zgjedhjeve të fundit, [përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje] publikisht dolën dhe mbështetën Partinë Demokratike [të Bidenit] dhe kundërshtuan Partinë Republikane [të Trumpit]. Mendoj se kanë frikë se mund të ketë pasoja për ta”, thotë ai.

Nën Trumpin, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në vitin 2020, por shumë pika të saj kanë mbetur vetëm në letër.

Në shkurt vitit të kaluar, Serbia e ka nderuar ish-të dërguarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të emëruar nga Trumpi, për, siç ka thënë, “qasje të balancuar ndaj Serbisë”.

Javëve të fundit, disa zyrtarë të administratës Biden kanë shprehur shqetësim për lëkundjen e raporteve SHBA-Kosovë, për shkak të refuzimit të Kurtit për të pezulluar një rregullore që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë. /REL/