Eko Higjiena

Asociacion (me Bosnjën) / Bashkësi (për ndarje)

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Albin Kurti – Duke dialoguar Thaçi e Jahjaga me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës në Bruksel, përfunduam me Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, të cilit nuk i përzihen dot në çështje të brendshme as Thaçi e as Jahjaga. Pikat e para të marrëveshjes, pra pikat 1 dhe 2, e kodifikojnë këtë gjë. Pika 1 thotë që “ Do të krijohet një Asociacion/Bashkësi e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësia do të jetë e hapur për çdo komunë tjetër nëse anëtarët janë në pajtim”. Ndërkaq, pika 2: “Bashkësia/Asociacioni do të themelohet përmes statutit. Shpërbërja e tij mund të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse. Do të ketë garanci ligjore përmes ligjit të zbatueshëm dhe ligjit kushtetues (përfshirë rregullën për shumicën prej 2/3).”

Pra, si për zgjerimin, po ashtu edhe për shpërbërjen e Asociacionit/Bashkësisë vendos vetë Asociacioni/Bashkësia. Asociacioni/Bashkësia është praktikisht çështje e (brendshme e) vetvetes. Nëse Presidetja ose Qeveria e Kosovës i përzihen atij, atëherë menjëherë do të futet aty edhe Serbia, përkatësisht Presidenti dhe Qeveria e saj, pasi që ky Asociacion/Bashkësi u sajua e u themelua prej të dy kryeministrave, Thaçit e Daçiqit, e jo vetëm prej kryeministrit të Kosovës. Kur kësaj i shtojmë faktin se në pikën 2 nuk thuhet ligji i Kosovës por ‘ligji i aplikueshëm’ dhe nuk thuhet Kushtetuta e Kosovës, por ‘ligji kushtetues’, rreziku është aq i madh saqë nuk është më, thjesht, vetëm rrezik: e keqja nuk është një keqe e mundshme me gjasë të shtuar – e keqja e shtuar është tashmë këtu.

Për të qenë më të saktë, është edhe ca më keq se kaq. Thaçi e Jahjaga, në fakt, mund të përzihen në punë të brendshme të Asociacionit/Bashkësisë, mirëpo vetëm për t’ia rritur edhe më shumë kompetencat atij, ashtu siç e thotë pika 5, por jo edhe për t’ia zvogëluar ato (sic.). “Asociacioni/Bashkësia do të ushtrojë kompetenca të tjera shtesë siç mund të delegohen nga autoritetet qendrore”, thuhet në pikën 5. Kësisoj pamundësohet prapakthimi dhe Asociacioni/Bashkësia do të mund të forcohet edhe më tej në të ardhmen por jo edhe të dobësohen në ndonjë mënyrë. Ndryshimi lejohet vetëm në njërën kahe – të këqijat mund të shtohen por jo edhe të pakësohen. Kur kemi parasysh që Thaçi së fundi u deklarua edhe për dy mandate shtesë për ulëset e rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës (në kundërshtim me Planin e Ahtisaarit dhe Kushtetutën), nuk do të jetë e çuditshme që ai edhe do t’i delegonte kompetenca të tjera Asociacionit/Bashkësisë.

Mobi Casa

Pa dyshim që Asociacioni/Bashkësia do të jetë shumë më i fuqishëm karshi Thaçit e Jahjagës seç janë Qeveria e Kuvendi i Kosovës. Nëpër institucionet e Republikës, mediet e shtypura e elektronike dhe në ligjërimin publik në përgjithësi, do të flitet jo vetëm për Qeveri e Kuvend të Kosovës, por për Qeveri e Kuvend të Kosovës si dhe për këtë Asociacionin/Bashkësinë. Dyshja Qeveri-Kuvend do të bëhet treshe Qeveri-Kuvend-Asociacion/Bashkësi. Më tutje, në Asociacion/Bashkësi s’do të ketë shqiptarë, së paku jo me të drejtë vetoje, kurse në Kuvend e Qeveri do të ketë serbë me të drejtë vetoje për ligjet me rëndësi jetike. Kështu, varësia e dikurshme e Kosovës nga Serbia për të qenë, zëvendësohet me varësinë e Kosovës nga Asociacioni/Bashkësia (dhe nga Serbia) për të funksionuar. Dhe, asimetria e jashtme Kosovë-Serbi përkthehet në asimetri të brendshme Kuvend e Qeveri me Asociacionin/Bashkësinë.

Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiq tërheq me vete një mori grupesh punuese e grupesh mbikëqyrëse për zbatimin e marrëveshjes nga Brukseli. Lidhja Beograd-Prishtinë zgjerohet e thellohet duke u institucionalizuar e legalizuar. Grupet punuese e mbikëqyrëse për zbatimin e marrëveshjes i afrojnë Kosovën e Serbinë drejt raportit federativ. Në anën tjetër, formimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe e federalizon Kosovën përbrenda duke ia kundërvënë Prishtinës kryeqytetin paralel të veriut të Mitrovicës. Asociacioni i këtillë në Kosovë është asociacion i Kosovës me Bosnjën. Bashkësia e këtillë në Kosovë nuk është bashkim i Kosovës, por ndarje e saj për së brendshmi. Për Bosnjen e paraluftës dikur thuhej të jetë një Jugosllavi e vogël. Për Kosovën tash mund të thuhet se po bëhet një Bosnjë e pasluftës e vogël.

Me dialogun politik në Bruksel, dhe marrëveshjen atje po shkilet Kushtetuta e Kosovës dhe jo ajo e Serbisë. Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe paraqet autonomi pa pavarësi, mirëpo edhe varësia e Asociacionit/Bashkësisë sigurisht që do të jetë më e madhe nga Beogradi sesa nga Prishtina. Ndërkohë, pavarësia e Kosovës do të jetë pavarësi nga shtetet që na njohën (sidomos pavarësi nga ata ishujt e largët), mirëpo jo edhe pavarësi nga Serbia (sidomos jo pavarësi nga Serbia).

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.