Asnjë kokërr grurë nuk është mbjellur në arat e Gjilanit

Gjilan – Ekspertët nga drejtoria për bujqësi në Gjilan, rekomandojnë fermerët që në vend se të presin shiun, të bëjnë përpjekje për përgatitjen e tokës dhe të mbjellin grurin. Mund të ndodhë që duke pritur shiun të vije bora dhe të pamundësojë mbjelljen e grurit.
Edhe pse afati optimal po skadon, mbjellja e grurit në komunën e Gjilanit ende nuk ka filluar. Dhe kjo po ndodhë për shkak të thatësisë ekstreme, e për pasojë fermerët e komunës së Gjilanit, ende nuk kanë filluar mbjelljen e grurit tha Nazmi Rapuca drejtor për bujqësi.
Sipas tij afati optimal për mbjellje fillon nga 5 dhe zgjatë deri ka fundi i muajit tetor. Mbjellja duhet të bëhet edhe pas afatit optimal, por duhet shtuar sasinë e farës për njësi të sipërfaqes dhe në anën tjetër çdo vonesë reflektohet në zvogëlimin e rendimentit.
Në komunën e Gjilanit për këtë vit janë paraparë për tu mbjellur rreth 2400 ha me grurë dhe 100 ha me elb. Deri tani nuk është mbjellur asnjë kokërr. Situatë e ngjashme është thuajse në tërë rrafshin e Kosovës.
Vetëm në rrafshin e Dukagjinit, kanë filluar mbjelljet me kohë, pasi në atë regjion para disa ditësh pati reshje të konsiderueshme të shiut.
Ekspertët nga drejtoria për bujqësi në Gjilan, rekomandojnë fermerët që në vend se të presin shiun, të bëjnë përpjekje për përgatitjen e tokës dhe të mbjellin grurin. Mund të ndodhë që duke pritur shiun të vije bora dhe të pamundësojë mbjelljen e grurit. Ekspertët parashohin që vitin e ardhshëm (2013), në botë do të prodhohet 600 milion ton grurë më pak se këtë vit. Kjo do të thotë se njerëzimin e presin ditë të vështira./rajonipress/