Asllani e do finalen e kupës së Francës

Kosovare Asllani ka folur për objektivat e saj të këtij viti, ku ka përmendur pozitën e dytë në ligën franceze dhe finalen e Kupës së Francës. Futbollistja kosovare e pret me padurim edhe Evropianin, i cili do të mbahet pikërisht në Suedi, ku synon të shkojë deri në fund. Ajo ndihet mirë në Paris, derisa e nderon krahasimi me Zlatan Ibrahimovicin.
Kosovare Asllani synon që me Paris Saint Germainin të kualifikohet në finale të Kupës së Francës.
Skuadra nga kryeqyteti francez do ta zhvillojë të dielën ndeshjen çerekfinale të këtij kompeticioni ndaj ekipit Yzeure, ndërsa futbollistja kosovare e dëshiron një finale të madhe me Olympique Lyonin.
Gjithashtu, përfaqësuesja suedeze tregon se parisienet e kanë objektiv të rëndësishëm pozitën e dytë në ligën franceze, për të luajtur në garat evropiane sezonin tjetër.
“Ne jemi të përgatitura 100 për qind për këtë lojë. Deri tash e kishim një sezon të mirë. Në kampionat duam ta konsolidojmë pozitën e dytë, e cila qon në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, ky është objektiv yni kryesor”, deklaroi 23 vjeçarja në një intervistë dhënë uebfaqes zyrtare të klubit.
“Pastaj, mos ta harrojmë as Kupën. Duam të shkojmë në finale. Së pari duhet ta mposhtim ekipin Yzeure. Në vazhdim mund të përballemi me Lyonin, që do të ishte një motiv shtesë, sepse është skuadra më e fortë në botë. Ky do të ishte ekipi më i fortë me të cilin mund të përballeshim”, shtoi ajo.
Përpos nivelit ekipor, futbollistja e lindur në Kristianstad po mendon edhe për përfaqësuesen suedeze, të cilën do ta përfaqësojë gjatë verës në Kampionatin Evropian, që do të mbahet pikërisht në këtë shtet skandinav.
“Jam shumë e lumtur, e lumtur që këtë eveniment do ta luajmë në shtëpi. Do të jetë vërtetë një periudhë e mirë për t’u shijuar. Kemi shpresa të mëdha në këtë Evropian. Duam të shkojmë deri në fund, por duhet të luajmë me kundërshtarët më të fortë të mundshëm, prej tyre edhe Francën, që ka skuadër mjaft të mirë”, vijoi ajo.
Asllani ka folur edhe për jetën në Francë. Ajo tregon se në fillim kishte vështirësi me gjuhën, por tash ka bërë progres në këtë aspekt.
Sulmuesja kosovare shton se është ambientuar tashmë me stilin e jetës në Francë dhe se ndihet mjaft mirë në Paris, të cilin e konsideron si një qytet mjaft të bukur.
Futbollin francez ajo e ka krahasuar me atë amerikan, ku kishte luajtur në të kaluarën, pasi sipas saj, në Francë loja bazohet shumë në teknikë dhe posedim të topit, njëjtë si përtej Atlantikut, për dallim nga Suedia, ku loja bazohet më shumë në fizikus dhe në taktikë.
Ajo ndihet mirë me përparimin që ka bërë PSG. Kosovarja është e bindur se ky klub ka perspektivë dhe se ambiciet e tij janë që të bëhet skuadra më e mirë.
Edhe këtë herë, nuk mund të mungonte pyetja rreth Zlatan Ibrahimovicit, me të cilin e krahasojnë shpesh Asllanin.
Ajo thotë se është kënaqësi dhe nder të krahasohet me një lojtar të kalibrit të sulmuesit suedez, por preferon që mediat të merren më shumë me lojën e tyre, ose me ndonjë aspekt tjetër, sesa me krahasime.