ARKATANA

Askush s’ka vdek nga turpi

/ 10 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ardian Azemi – Kosova e pasluftës pos që është ballafaquar me shumë probleme si; papunësia në nivel të lartë, jo funksionimi i institucioneve qendrore dhe ato lokale, ekonomia të dobët dhe pa projekte për të rimëkëmbur zhvillimin e saj, dhe e keqja më e madhe është korrupsioni, apo siç njihet në popull “hajnia”.

Për ata që nuk e dinë, korrupsioni është keqpërdorimi i detyrës në një funksion të lartë shtetëror dhe lokal, ekonomi e politikë, që kanë për qëllim realizimin e përfitimit material apo jo material për të cilin nuk ekziston e drejta e bazuar me ligj, dhe si i tillë bie ndesh me ligjin. Kosova shënon numrin më të madh të të papunëve në Evropë, përkitazi me numrin e përgjithshëm të popullsisë.

Afër dyzet për qind e popullsisë mendohet se jeton thuajse në varfëri ekstreme, dhe mbi tridhjetë për qind e saj jetojnë në kushte jo të mira, dhe puna që ata bëjnë është për mbijetesë, përderisa luksi i politikanëve dhe zyrtarëve institucional shënon shkallën më të lartë dhe të pa parashikueshme, në fakt, pasuria që ata kanë bërë në mënyrë të paligjshme, lenë të kuptohet se Kosova vuan nga kjo sëmundje ose dukuri ogurzezë e cila po e rëndon Kosovën tani e katermbdhjete vjet radhazi.

Strategji plot, hajnia lulëzon

Një ndër faktorët kryesor që po pengon në masë të madhe Kosovën drejt integrimeve në përgjithësi, dhe në veçanti po i ftohë investitorët e huaj të hapin investime në Kosovë, është shkalla e lartë e korrupsionit nëpër institucionet e Kosovës në nivel qendror dhe atë lokal. Pavarësisht korrupsionit të konstatuar nga qarqe të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, zyrtar të qeverisë së Kosovës thonë se sipas tyre kanë hartuar strategjinë anti korrupsion dhe presin shumë shpejt rezultatet.

Nuk dyshoj në këtë, ngase agjensioni ekziston që moti dhe asnjë veprim konkret nuk është marr nga drejtues të kësaj agjencie, veprim për të cilin do të kuptonin qytetarët e Kosovës, dhe si i tillë do të tingëllonte si masë preventive për nëse jo shkatërrimin total, të paktën pakësimin e kësaj dukurie shkatërruese.

Përpos në nivelin qendror, korrupsioni në masë të madhe ka shtri teren edhe në nivele tjera me ndikim në Kosovë. Ekspertet këtë dukuri negative e cilësojnë si kancer i një shoqërie demokratike, dhe nuk del askush t’i thotë stop kësaj hajnisë që po e rëndon procesin dhe po pengon zhvillimin ekonomik e politik në Kosovë.

U bënë shumë vite që funksionon Agjencia kundër Korrupsionit, dhe ka mjaftë dëshmi se, informata të bazuara për raste konkrete korruptive u janë përcjell nga ky agjension në prokurori, por kjo e fundit nuk ka marrë asnjë masë konkrete për të gjykuar këtë dukuri të shëmtuar. Dukuritë korruptive jo që nuk janë të identifikuara, por proceset gjyqësore janë aq të neglizhuara sa që na krijojnë përshtypjen se asnjëherë nuk do të arrij të kryej punën e vet si duhet.

Nëpër çdo skaj të territorit të Kosovës flitet se korrupsioni ka shënua shkallën më të lartë që nga pas lufta në Kosovë, dhe asnjëherë nuk është njoftuar opinioni i gjerë se ka pasur ose jo ndonjë zyrtar të lartë institucional qoftë në nivel lokal qoftë në nivel qendror që të jetë dënuar për shkak të inkriminimit dhe përfshirjes në afera korruptive. Edhe nëse ka pasur ndonjë rast, ata kanë qen sa për të shpërqendruar vëmendjen e qytetarëve në aspektin medial dhe asgjë më shumë.

Institucionet e Kosovës kënaqen me faktin se është themeluar Agjensioni Kundër Korrupsionit, dhe mekanizmave që merren me luftimin e tij. Është fare lehtë të emërosh garniturë organizative në ndonjë institucion, por të vihet në funksion, kjo është e rëndësishme. Kryeministri dhe ministrat e kabinetit qeveritar janë nëpër fushata elektorale se toleranca ndaj korrupsionit do të jetë “zero”, përderisa qytetarët e Kosovës sot e asaj dite nuk dinë se është privuar ndokush nga e drejta për punë, e lere më të jetë gjykuar nëpërmes organeve gjyqësore për ata që janë të inkriminuar në korrupsion (hajni).

Të shikosh prioritetet e qeverisë “Thaçi I” dhe tani “Thaçi II”, është e pamundur të mos bien në sy plotë e përplot strategji të reja që nuk ishin në qeveritë e kaluara, plotë mekanizma të cilët janë të akredituar nga qeveria që të merren me luftimin e korrupsionit dhe dukurive tjera të kundërligjshme, ndërsa nga ana tjetër korrupsioni ka përparuar, ndërsa luftimi ndaj tij ka shënuar stagnim.

Që të jetë një qeveri funksionale dhe e përgjegjshme ndaj qytetarit, nuk do të thotë se të ketë në letër strategji të tilla, por do të duhej që ato strategji dhe mekanizma t’i futë në funksion dhe aktorët t’i shpie para drejtësisë.

Unë mendoj se kjo masë aq e lartë e korrupsionit në Kosovë, do të ishte shumë e natyrshme që me seriozitetin më të madh të mundshëm të jap përgjegjësi qeveria aktuale, për faktin se ka dallim nga qeveritë e mëparshme, ngase tani ka të krijuar mekanizmat që u përmendën më lartë e që do të kishte pasur mundësi nëse jo eliminimin, siç thash më herët, bile pakësimin e keqpërdorimeve.

Mobi Casa

Kontrolli institucional mbi gjithçka

Mosfunksionimi i duhur i pushtetit gjyqësor, mungesa e legjislacionit çfarë i duhet një shteti demokratik, që ka guximin të marrë dhe të shqyrtoj me përgjegjësi çështjet të cilat parashtrohen nga mekanizmat qeveritar kundër korrupsionit, disa parti opozitare parlamentare të heshtura për shkak të ndërgjegjes jo të pastër që bartin mbi supe për shkak të inkriminimeve në afera korruptive në kohën sa ishin në pozitë, qeveria si institucion me një performancë të shkëlqyer në korrupsion, do të jenë disa faktor kryesor të cilët me papërgjegjësinë më të madhe i kanë ftohur dhe vazhdojnë t’i ftohin investimet nga jashtë, gjë që populli është ai i cili po e paguan me mund.

Për të dalë nga ky kaos korruptiv, për të shënuar një përparim të luftës kundër korrupsionit, do të duhej që qeveria e Kosovës të mënjanohet nga deklaratat mediale, duke u thirrur në luftën kundër dukurive që bien ndesh me ligjin, por të krijojnë mekanizma të mirëfilltë profesional dhe në çdo gjykatë të bëjë evidentimin e lëndëve dhe rasteve të cilat kanë të bëjnë me çështje korruptive.

Është forma e vetme e cila do të krijonte një zbardhje të rasteve që bien ndesh me ligjin, dhe të vihen para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Është e vetmja mundësi e cila do të reflektonte pozitivisht edhe tek qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët që jetojnë në diasporë dhe që kanë interesim të investojnë në Kosovë, por edhe tek investitorët e huaj të cilët kërkojnë një terren ligjor për investime në të ardhmen.

Është e pamundur të anashkalojmë pa e përmendur edhe ndikimin e qeverisë në organet e drejtësisë dhe rendit. Institucionet kanë krijuar modele ndikimi mbi këto organe dhe është e pamundur që këta të fundit të ushtrojnë drejtë dhe me përgjegjësi detyrën për të cilën janë të thirrur.

Në Kosovë askush nuk ka mundësi të nis një projekt për investime, pa kaluar nëpër duart e udhëheqësve qeveritar, të cilët paraprakisht kërkojnë përqindjen e tyre sa ata kanë nevojë dhe më pas, nëse ndahen të kënaqur, atëherë lejojnë, nëse nuk i përshtaten, nxjerrin “argumente” të shumta për të penguar.

Kjo ka funksionuar dhe vazhdon të funksionoj për shkak të bindjes ndaj tyre nga ana e njerëzve të biznesit, sepse pa nënshtrimin e tyre nuk arrijnë të bëjnë asgjë. Këtë dukuri në aspektin politik mund ta quajmë “kontrollo gjithçka dhe po kaq përfito”

Kur politika (ç)njerëzohet

Është një thënie “për të shkatërruar një popull, humbjani moralin”. Janë dy faktor kryesor që ndikojnë tek institucionet tona që zhyten deri në fyt në korrupsion, dilingjillëk e dukuri tjera. Kosova ka një udhëheqje e cila si sfidë ka moralin dhe etikën. Si kurrë më parë, shteti ynë po përballet me probleme të “çnjerëzimit institucional”. Qytetarët e Kosovës që për mendimin tim janë aq të ndershëm të ndërgjegjshëm, profesional dhe etik, duhet të angazhohen që përmes trysnisë së tyre, të aludojnë në zgjidhjen e shpejtë të këtyre “nyejve” që janë krijuar në politikë dhe tu hapë rrugë rinisë së Kosovës e cila nga dita në ditë sa vjen e arsimohet e edukohen në fryma demokratike të vendeve përparimtare ku funksionon ligji dhe ku dora e pushtetit prekë në popull.

Për fund

Fatkeqësisht politika dhe politikanët në Kosovë, katërmbëdhjetë vjet me radhë bëjnë akuza të ndërsjella kundër njëri tjetrit për vjedhje e korrupsion në përmasa shqetësuese, megjithatë prokuroria e shtetit dhe gjykatat nuk kanë ushtruar asnjëherë përgjegjësinë e tyre kushtetuese, ku ka qen dashtë të bëhen hetime serioze ndaj aferave korruptive, dhe aktorët që abuzojnë me pushtetin dhe paranë e popullit fukara, t’i nxjerrin para drejtësisë.

Zotimi përmes deklaratave publike nëpër televizione e gazeta, as nuk ka mundësi ta kufizoj e as sfidoj hajninë, përkundrazi, të tilla deklarata vetëm sa u forcojnë imunitetin politik hajdutëve dhe atyre që abuzojnë me shtetin dhe shkelin mbi ligjet e tij. Kosova duhet të krijoj një gjyqësor të pavarur dhe të pa ndikuar politikisht, njerëzit e pushtetit duhet t’i heqin duart nga mekanizmat gjyqësor duke i lënë pavarësinë e veprimit mbi bazën e kushtetutshmërisë.

Vetëm në këtë mënyrë ekziston mundësia e identifikimit të personave që keqpërdorin me paranë publike dhe pasurohen me to duke varfërua gjithnjë e më shumë qytetarin. Kosova dhe qytetarët e saj, vetëm kështu mund të dalin nga kjo rrugë pa dritë, nga hajnia që na “koriti” para botës bashkëkohore, është e vetmja formë që të futet demokracia dhe rendi institucional e kushtetues.