Askush nuk ndëshkohet!
Ishte raportuar për manipulim të testit të maturës, por deri më tani asnjë nxënës që kishte arritur të kopjojë gjatë testit nuk është ndëshkuar.
Ndëshkimit deri më tani i kanë shpëtuar edhe administratorët të cilët kanë qenë të obliguar të mbikëqyrnin nxënësit gjatë testit dhe të pengonin kopjimin, por të cilët le që nuk e kishin penguar kopjimin, por disa nga ta edhe kanë ndihmuar nxënësit gjatë testit. Megjithatë, përfaqësues të ministrisë paralajmërojnë se të gjithë ata nxënës që kanë kopjuar dhe ata administratorë që e kanë lejuar një gjë të tillë, do të ndëshkohen.
Mustafë Kadriu, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, thotë se të mërkurën do të dalin me emër dhe mbiemër të nxënësve dhe administratorëve që kanë manipuluar në ditën e mbajtjes së testit. Sipas tij, nxënësit që kanë kopjuar do t’iu anulohet testi, ndërsa për administratorët ndëshkimi do të jetë më i madh, por nuk ka treguar se për çfarë ndëshkimi do të bëhet fjalë.
“Të mërkurën do të dalim me emra dhe me mbiemra të nxënëseve dhe administratorëve që e kanë manipuluar testin. Ne jemi duke i identifikuar të gjitha, i kemi lexuar raportet dhe jemi duke i klasifikuar kush çka ka bërë”, ka thënë Kadriu, duke shtuar se pas publikimit të emrave do të ndërmerren masat. “Sigurisht se atyre nxënësve që kanë manipuluar do t’iu anulohet testi. Po ashtu do të tregojmë edhe për administruesit dhe ndaj atyre personave do të ndërmerren masa sipas ligjit”, ka thënë Kadriu. /Tribuna/


