Eko Higjiena

Askoli, vrau dy punëtorë kosovarë, italiani vetëvaret në qeli

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Xhanluka Çiferri, biznesmen ndërtimi nga Fermo, i cili në 15 shtatorin e shkuar kishte vrarë me pistoletë dy ish-punonjës nga Kosova, të cilët kishin shkuar t’i kërkonin pagat e prapambetura, është vetëvrarë.

Biznesmeni, sipas avokatit të tij, është vetëvarur në qelinë e tij në burgun e Askoli Piçenos. Çiferri, është lidhur me një litar në hekurat e dritares së banjës para aktit vetëvrasës.

Ai nuk ishte i vetëm në qeli, por shoku i dhomës e ka gjetur të vdekur kur ora ishte rreth 4 e mëngjesit. Sipas policisë, mësohet se ka lënë edhe një letër. Xhanluka Çiferri ishte akuzuar për vrasje të dyfishtë me pistoletë ndaj Nexhmedin Mustafës, 38 vjeç dhe Valdet Avdylit, 26 vjeç, punëtorë të migruar nga Kosova.

UBT

Gjatë marrjes në pyetje, Çiferri kishte dhënë versionin e tij për ngjarjen: “U mbrojta nga një agresion. Dy punëtorët ishin të armatosur me një sëpatë, pata frikë dhe qëllova me armë”.

Punëtorët kosovarë kërkonin 20 mijë euro rroga të prapambetura që ia kishin kërkuar disa herë punëmarrësit të tyre edhe përmes një paralajmërimi të shoqatës së sindikatave. Nexhmedini kishte katër fëmijë, ndërsa Valdeti kishte një djalë dhe ishte në pritje të një tjetri. “Nuk dinte me çfarë t’i ushqente fëmijët e tij”, – tregonte vëllai i Nexhmedinit.

I pasionuar pas armëve, italiani zotëronte rreth 40 pushkë dhe pistoleta. Sipas dëshmisë, pistoletën e mbante në garazh dhe kishte thënë se shkoi të marrë me vrap kur e pa veten i kërcënuar.