Ashpërsohet opozita, Valentina i bënë nervoz

Gjilan – Ndjejmë obligim moral për të njoftuar opinionin e gjerë, se sot (e hënë), më 29.09.2014, Grupi i Këshilltarëve Komunal të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, kanë braktisur seancën e dhjetë të Kuvendit Komunal, për sjelljen e papërgjegjshme dhe mos respektimin e orarit të vazhdimit të seancës nga kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila më tepër se 40 minuta është vonuar për të filluar seancën e pasdites. Kështu thuhet në deklaratën e përbashkët e Grupit të Këshilltarëve Komunal të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në reagim thuhet se ashtu si gjithmonë, me kohë të gjithë anëtarët e Kuvendit ju kishin përgjigjur ftesës për seancën e paraparë për sot, e cila në pjesën e paradites, me gjithë vërejtjet pati rrjedhë të natyrshme dhe normale.
Me të përfunduar pika 3.2, e cila kishte të bëj me Projekt propozimin e Buxhetit për vitin fiskal 2015 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2016-2017, e cila pikë me shumicë votash është aprovuar, kryesuesja publikisht potencoi se deri në ora 13:30 është pauza.
Dhe pa asnjë kundërshtim të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal respektuan vendimin e saj për pauzë. Tamam në kohën e duhur, pikërisht në ora 13:30, për të mos thënë të gjithë anëtarët e Kuvendit, mbase ka mundur të mungojë ndonjëri, por shumica dërmuese ishin në sallë, me përjashtim të kryesueses, e cila as pas 40 minutave pritje nuk erdhi në sallë për të vazhduar pikat e radhës së rendit të ditës, e që kishin mbetur hiç më pak se shtatë pika të rendit të ditës për tu diskutuar, duke i shtuar edhe pikën në të ndryshme.
Kjo nuk është hera e parë që Kryesuesja e Kuvendit pa konsultim me askënd cakton vet kohën e pushimit dhe të njëjtën nuk e respekton, duke injoruar të gjithë anëtarët e Kuvendit dhe pjesëmarrësit tjerë.
Kjo sjellje e saj e papërgjegjshme ndaj këtij institucioni të lartë komunal, është mirë që të qortohet nga kreu më i lartë i komunës, por edhe nga vetë anëtarët – kolegët e partisë së saj, sepse vërtetë kjo sjellje e sotme nuk justifikohet me asgjë thuhet në reagimin e Sahit Abazit, shef i GK të PDK dhe Nevzat Isufi, shef i GK të LVV./rajonipress/