Asgjë e re nga Blloku: Haradinaj e mbështet marrëveshjen e 10 qershorit, e respekton kërkesën e LDK-së

Pas takimit të Bllokut LVAN në zyrat e AAK-së, për media u prononcua kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ceku se Blloku e ka humbur kryeparlamentarin, duke theksuar se këtë ua mori Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, ata në këtë takim kanë folur hapur dhe shtruar.
“Ishim nga të gjitha subjektet dy kolegë. Nuk kemi marrë vendim, por jemi shpjeguar”, tha ai, duke shtuar se në ditët në vijim do të takohen për t’i dhënë epilog kësaj pune.
“Jam autorizuar të them se temat që diskutohen në publik diskutohen nga Blloku dhe se ne do t’i zgjedhim në mënyrën më të mirë për vendin”.
Në lidhje me postin e kryeministrit nga ana e Bllokut, ai thotë se Isa Mustafa nuk e ka kërkuar këtë, porse LDK ndihet e dëmtuar në marrëveshjen e mëparshme dhe se kërkojnë një situatë të re.
“Marrëveshja e 10 qershorit nuk është e plotë. Pra, kërkohet një zgjidhje. E kuptoj se është kështu, se kemi situatë të re. Kemi provuar të gjejmë zgjedhje. Nuk kemi hyrë konkret në këtë”, tha ai, duke shtuar se e mbështet marrëveshjen e 10 qershorit, porse e respekton edhe kërkesën e LDK-së.
Haradinaj tha se nuk kanë biseduar se a do të heq dorë nga posti i kryeministrit, duke u thirr në marrëveshjen e 10 qershorit dhe duke thënë se nuk kanë biseduar direkt për këtë.
“Jam i gatshëm me vazhdu me marrëveshjen e mëparshme”, ka thënë ai, duke shtuar se Blloku nuk e dëshiron bankroton e shtetit.
“Ne kemi pasur koncept në nisje. Në atë koncept kemi punuar me besnikëri. Do ta ruajmë atë shumicë. Bllokut i takon Qeveria”, tha ai, duke shmangur sërish përgjigjen direkte nëse do të heq dorë nga kërkesa për të qenë kryeministër i Qeverisë së Bllokut. “Mbi bazën e 10 qershorit po punojmë. Ta shohim nëse ka marrëveshje tjera. Këto janë punë të shtëpisë”. /Telegrafi/