RCCOLA

Asfaltohet rruga brenda fshatit Stublinë, po punohet intensivisht në rrugën Stublinë – Dobërçan

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Të enjtën është asfaltuar mbi 1 km rrugë në brendi të fshatit Stublinë, kurse kompania “Bejta Comerc” po punon me të gjitha kapacitetet në rrugën Stublinë – Dobërçan. Ky investim ua kthen shpresat banorëve të Stublinës për të jetuar dhe gjallëruar jetën.

Komuna e Gjilanit dhe Ministria e Infrastrukturës kanë investuar në një projekt shumë të dobishëm për brezin kufitar.

Rruga Stublinë – Dobërçan e cila lidhë shumë familje shqiptare nga Lugina në Kosovë dhe anasjelltas dhe asfaltimi i rrugës së mbetur brenda fshatit Stublinë, kanë ngjallur shpresat për një jetë më të rehatshme dhe më të dinjitetshme të banorëve të mbetur atje.

Të enjtën është asfaltuar rruga mbi 1 kilometër e cila përshkon tërë fshatin Stublinë dhe pos që u ndihmon shumë banorëve, kjo rrugë mendohet se do ta stopoj edhe kontrabandimin e mallrave, meqë policia tani ka qasje përgjatë tërë vijës kufitare.

Uji Dea

Banorët e mbetur në Stublinë i janë gëzuar tej mase këtij investimi. Bajram Qerimi banor tha se po ndihet shumë i lumtur.”As në ëndërr se kam paramenduar se kjo rrugë do të asfaltohet ndonjëherë. Tani vërtet kemi kushte edhe për punë edhe për jetë më të mirë. Me asnjë çmim nuk do ta braktisim fshatin edhe pse familjet tona shumë herë kanë pasur telashe e provokime nga xhandarmëria serbe” tha Qerimi.

Lutfi Haziri ndërkaq tha për rajonipress se investimet në fshatrat kufitare nuk do të ndalen.”Ne kemi obligim që të kujdesemi për ato familje që vërtet kanë vendosur mos ta braktisin fshatin. Stublina e ka merituar këtë investim sepse janë mbi 70 familje stublinase që ndodhen në Dobërçan, dhe rruga që po ndërtohet do ta ngjallë jetën e këtij fshati” tha Haziri.

Edhe, Rexhep Kadriu i cili është më meritori që investimet në brezin kufitar kanë qenë në agjendën e Qeverisë Haradinaj tha se rruga Stublinë – Dobërçan dhe rruga në brendi të fshatit është dashur të ndodhin edhe më herët. “Më vije mirë që vërtet Qeveria Haradinaj e ka kuptuar seriozitetin dhe jetesën e rëndë të fshatrave kufitare. Ky investim është i jashtëzakonshëm sepse mendojmë se gjallëria dhe jeta normale do ta ndihmojnë në masë të madhe jetën e këtyre banorëve “ u shpreh Kadriu.

Edhe, Basri Kqiku nga kompania “Bejta Comerc” e kontraktuar për ta ndërtuar rrugën Dobërçan – Stublinë dhe urën që lidhë këto dy fshatra tha se janë duke punuar në mënyrë intensive. “Po punojmë me të gjitha kapacitetet e mundshme dhe emei përpjekur që rruga të ndërtohet me të gjitha kriteret dhe standardet e parashikuara. Shpresoj shumë që gjithçka do të shkojë sipas planit dhe vitin tjetër kjo rrugë që ka rreth 6 kilometra të asfaltohet, kurse Ura të bëhet e gatshme për përdorim. Deri tani punët na kanë ecur mirë” u shpreh Kqiku./rajonipress/