RCCOLA

Asfaltimi me hapat e breshkës, torturohen banorët, vozitësit dhe afaristët e zonës

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Edhe pse ishte nisur asfaltimi i një pjese të rrugës hyrëse dhe dalëse me katër korsi, Gjilan-Livoç i Ulët, e cila ka gjatësi prej mbi 3 kilometrash dhe gjerësi prej 20 metrave, kjo rrugë tashmë është bërë shumë torturuese për vozitësit, banorët përreth dhe afaristët.

Ishte paralajmëruar se më 1 korrik 2018 do të shtrohej me asfalt deri tek pompa e benzinës kjo rrugë, por me gjasë asfaltimi i kësaj pjese do të vonohet edhe për një kohë, pasiqë po punohet me hapat e breshkës.

Banorët e zonës, vozitësit dhe vet afaristët e asaj pjese janë në hall me pluhurin dhe kushtet e rënda të rrugës.

Fidanishtja

Ramadani një banor i kësaj zone tha se është bërë e padurueshme jeta. “Ka shumë pluhur i cili po depërton në shtëpitë tona. Vërtet është e patolerueshme kjo vonesë sepse rruga është dashur të kryhet shumë më herët” tha ky banor.

Ndërkaq afaristët e zonës ndihen edhe më të dëmtuar nga mos asfaltimi i rrugës. Reshati një afarist thotë se kjo çka po ndodhë vërtet është e pafalshme. “Jemi të dëmtuar skajshmërisht sepse na ka ra puna dhe kemi pengesa serioze nga pluhuri i shumtë”.

Ndryshe gjatë vizitës në terren, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ishte shprehur i lumtur që po realizohet një projekt kapital.
“Jam shumë i lumtur që sot filluam këtë projekt kaq të rëndësishëm në vlerë prej 2 milionë eurove. Zgjerimi i rrugës do të shkoj deri në qendër të qytetit, tek semaforët, e që realisht e integron në zonën urbane Livoçin e Ulët. Rruga po bëhet sipas standardeve, me zonën e gjelbër, infrastrukturën përcjellëse nëntokësore dhe ndriçimin publik”./rajonipress/