Asambleja aprovon disa vendime, opozita braktis seancën

Kamenicë – Kuvendarët në seancën e sotme patën mjaft çështje për të debatuar për 15 pika të parapara të rendit të punës. Seancën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit zoti Bajram Dermaku.
Në seancë merrnin pjesë pos kryetarit të komunës Begzad Sinanit, drejtorët komunal, ekipi komunal i OSBE-së, shoqëria civile e mjetet lokale të informimit.
Kuvendarët i aprovuan të gjitha pikat e parapara për këtë seancë. Kuvendi komunal do të pasurohet duke i krijuar edhe disa komitete konsultative.
U aprovua propozim vendimi për formimin e komitetit konsultativ për shërbime publike nga këshilltarët e Kuvendit komunal, si edhe vendimi për shpalljen e konkursit për komitetet konsultative : Komiteti për planifikim, zhvillim lokal ekonomik dhe ambient, Komiteti për arsim kulturë, rini dhe sport dhe për persona me aftësi të veçanta. Komiteti për shëndetësi, çështje sociale dhe emergjenca.
Anëtarë të komitet për shërbime publike, u propozuan gjatë seancës nga përfaqësuesit e partive politike, si: Minivere Maka,(LDK) Arlinda Morina (PDK) Florim Demolli(AKR) Arsim Thaçi (VV) dhe Zekirja Sermaxhaj (PD).
Këshilltari Besnik Rrudhani, propozoi që pikat 6,7,8 që kishin të bënin me: Propozim vendimin për miratimin e ofertës përzgjedhur për menaxhimin me qira të vend gjuetisë së përbashkët, propozim vendimin për përzgjedhjen e ofertës lidhur me dhënien e pronësisë komunale në shfrytëzim me qira për ndërtimin e një stalle, si dhe propozim vendimin, për përzgjedhjen e ofertës lidhur me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim me qira të ish objektit të vjetër të sallës së Kuvendit komunal.
Besniku në emër të delegatëve të LDK-së deklaroi se nëse nuk hiqen këto pika për të cilat tha se nuk është kompetent Kuvendi, nuk do të marrin pjesë në debatim e as votim, por do ta lëshojnë sallën e Kuvendit, ashtu edhe vepruan.
Delegatëve të LDK-së, iu bashkua edhe këshilltari i Vetëvendosjes Arsim Thaçi. Kur ata u kthyen në sallë, Kuvendi kishte miratuar edhe piken e nëntë dhe të dhjetën.
Ndërsa kërkesa e QKMF-së, për aparaturë komplete të rëntgenit u aprovua pa kundërshtime.
Diskutime të shumta krijoi projekt marrëveshja për integrimin e kompanisë higjienike të Kamenicës me kompaninë regjionale “Eco -Higjiena” me seli në Gjilan, nga e cila ishte ndarë para dy vitesh me vendim të këtij Kuvendi.
Disa këshilltarë e konsideruan integrimin si jo të favorshëm për komunën e Kamenicës. Kryetarit të komunës i’u dashtë që disa herë të jap sqarime për arsyet dhe domosdoshmërinë e këtij integrimi, duke i arsyetuar përfitimet që do të jenë në shërbime cilësore.
Ai tha se për dy vite që ishte shpallur e pavarur kompania nga “Eko- Higjiena” sa probleme kanë dalur edhe nuk ishte përmirësuar shërbimi, nuk janë kryer shumë obligime, si edhe ato ndaj ATK-së, nuk ka pasur xhirollogari të vetën e probleme tjera.
Kuvendi aprovoi edhe kërkesën e komitetit për komunitete, për organizimin e një punëtorie në Shqipëri, për përgatitjen e planit të punës së këtij komiteti për vitin 2015 thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kamenicës./rajonipress/