Artisti, megjithatë, mbetet artist i kohës…

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Para do dite, Gjimnazi “Hydajet Lezha” nga Lezha, u gjend në Gjilan për t’u ribinjakëzuar me kolektivin e Gjimnazit “Zenel Hajdini” të Gjilanit. Ky takim i ngrohtë e shumë miqësor u bë, më 21 të këtij muaji, në mes të 25 profesorëve të Gjimnazit “H. Lezha”, të cilët erdhën dhe u gjenden plot shende e verë në lokalet e gjimnazit të Gjilanit.

Pritja nga profesorët gjilanas ishte në nivel të lakmueshëm dhe të ngrohtë, sa që nga gëzimi dhe entuziazmi, nga të dy palëve, rodhën edhe lotët e kolegëve të dy gjimnazeve shqiptare.

Me këtë rast, te dy palët shkëmbyen njëri – tjetrit dhurata në mes vete. Drejtoresha Yllka Çupi nga Lezha, drejtorisë së Gjimnazit të Gjilanit ia dhuroi një emblemë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndërsa Sami Hoxha, drejtor i Gjimnazit, drejtorisë nga Lezha ia dhuroi monografinë e Gjimnazit të këtij qytetit me disa vepra të Tahir Dalipit, autor.

KKVITI

Në natën e dytë, mysafirët u ftuan tek restoranti “Luli”, ku vallja e kënga nuk u ndalë gjer në orët e vona të mbrëmjes. Aty u gjend edhe Nazim Gagica, drejtor i Arsimit të Gjilanit, i cili, pasi i përshëndeti mysafirët nga Shqipëria, u dëshiroi mirëseardhje në Gjilan, dhe enkas për mysafirët e veçantë lezhjanë, këndoi tri këngë popullore. Por, para se të këndojë, ky këngëtar e drejtor, i tha dy fjalë para të gjithë të pranishmëve se, këngëtari gjithmonë ka qenë e mbetet artist i kohës…
“Shihni, unë para do dite jam pranuar në postin e detyrës së Drejtorit të Arsimit në Gjilan. Por, ju mësimdhënës të nderuar, nëse kërkohet ky post, duhet ta keni shpirtin e artistit -artist. Pra, secili njeri që e udhëheq një fushë të dijes, ai duhet ta ketë një profesion që i fle në shpirt, të jetë vërtet artist. Edhe unë, pos detyrës sime zyrtare, këngën e kam pjesë të shpirtit, e cili art përherë më ushqen dhe më zgjon ndjenja për argëtim dhe jetë… Ju faleminderit!”

Pasuan duartrokitjet frenetike nga dy kolektivet e gjimnazeve shqiptare, të cilët, si një, këtë mbrëmje të ngrohtë, e festuan në mënyrë më madhështore me këngë e valle popullore shqipe. Vërtet, artisti mbetet artist!/tefik selimi/rajonipress/