UBT

Arsimimi është politika më e mirë për të rinjtë e Kosovës

/ 6 minuta lexim

Nga Arif Shala – Arsimimi është politika më e mirë ekonomike, është politika më e qëndrueshme afatgjatë për të pasur një ekonomi të zhvilluar dhe të qëndrueshme. Po ashtu, është politika me largpamëse drejt ndërtimit të një shoqërie që punon dhe një shoqërie që funksionon mbi një rend ligjor.

Përgatitja për tregun e punës është sfida reale e një qeverie në vizionin, në projektin dhe në përpjekjet që lidhen me sistemin arsimor. Jo duke i detyruar nxënësit apo studentët që të mësojnë përmendësh, që të recitojnë ato që mësojnë përmendësh dhe që në fund të marrin rezultatin ndërkohë që shteti lan duart me ta, por duke nxitur dijet praktike dhe duke bashkërenduar të gjitha energjitë e sotme të shoqërisë në funksion të një sistemi dhe të një jetë shkollore dhe universitare që duhet të jetë ajo që nesër duam të realizohet në Kosove si ambicie dhe si cilësi.

Duke u bazuar te studimet dhe anketat e zhvilluara nga institucionet e besueshme ndërkombëtare se sistemi arsimor në Kosove renditet në vendet e fundit të të gjitha listave botërore, si për sa i përket analfabetizmit, ashtu edhe për nivelin e mësimdhënies që nga shkollat fillore e deri të universitetet. Por, kjo situatë mund dhe duhet të ndryshoje nuk guxojmë të luajmë me edukimin. Në një shtet të vogël si Kosova potenciali njerëzorë është kapitali kryesor I zhvillimit. Si pasojë përqendrimi në edukim dhe reformimi i sistemit akademik në Kosovë nuk duhet të jete zgjedhje por duhet të jetë domosdoshmëri.

Duam një sistem arsimor që aftëson çdo Kosovar për t’ia dalë mbanë me punën e vet të ndershme. Jemi një vend që aspiron të jetë pjesë e tregut europian e që në fakt s’ka asgjë të përbashkët me këtë treg në fushën e arsimit. Sot arsimi ka nevojë për një politikë të re. Sot sfidat e mëdha të një krize globale, bota e mençur i njeh si sfida të rritjes së cilësisë dhe të natyrës së arsimimit. Qeveria e Kosovës i ka politizuar shkollat dhe mësuesit i ka kthyer në shërbëtorë të pushtetit. Siç po shihet kjo qeveri se ka prioritet arsimin,kjo qeveri e ka prioritet që te politizoje atë duke e politizuar deri ne atë masë që është tani.

Problem tjetër i madh është fakti se shumë persona, të cilët punojnë në mësimdhënie në universitet private ose publike jo vetëm që nuk e meritojnë në bazë të kritereve akademike të jenë mësimdhënës, por për më tepër nuk kanë as respektin më të vogël për profesionin e shenjtë që bëjnë. Mungojnë në shumicën e ligjëratave, nuk janë të disponueshëm për konsulentë me studentët.

Hidromorava

Profesorët në Europë shquhen për horizonte të larta akademike, për thjeshtësinë njerëzore dhe për dashurinë e madhe që kanë për dijen. Ndërsa një pjesë profesorësh në Kosove, të ngjajnë me rrugaçë të vërtetë, që nuk kanë as etikë e as pamje prej personi që përfaqëson dhe shpërndan dije. Sistemi ynë arsimor ka nevojë për reformim të thellë që të jetë i niveleve dhe standardeve europiane. Universitetet tona kane nevoje për profesor me orar te plotë, që duhet t’i dedikohen vetëm mësimdhënies dhe të mos ushtrojnë asnjë profesion tjetër alternativ. Profesorët duhet të rekrutohen si në universitet private ashtu edhe në shtetërore mbi bazën e CV më të mira dhe të konkurseve të organizuar nga stafet akademike e jo në bazë të asaj se cilit subjekt politik i takojnë dhe prej nga vijnë. Pra,duhet një herë e përgjithmonë të kuptohet se arsimi është i shenjt dhe si pasojë nuk ka vend për klane politike.

Gjithashtu, kemi plot raste në Kosovë ku shumë persona kanë mbaruar studimet në një lëmi dhe japin mësim në nje lëmi krejt tjetër. Nuk mund të lejojmë persona që kanë mbrojtur doktoraturën për pikture të japin mësim për marrëdhënie ndërkombëtare. Gjithashtu, sot ka plot të rinjtë të diplomuar jashtë me rezultate të larta, të cilët nuk mund të japin mësim dhe të sjellin risi nëpër universitet Kosovare, sepse vendet e tyre janë të zënë nga profesorët e literaturës së vjetër që nuk pranojnë as të dalin në pension. Pra, kjo qasje tregon qartë se arsimi në Kosovë ka dështuar, ky dështim do të ndikoj shumë negativisht te gjeneratat e sotshme edhe ato që do të vijnë. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës duhet të kuptoj njëherë e mirë se ofrimi i qasjes në arsimin e lartë për secilin individ duke akredituar institucione të shumta nuk ka të bëjë asgjë me sigurimin e kualitetit akademik.

Ka ardhur momenti që universitet të stimulojnë dhe të investojnë në kërkimin shkencor dhe në prodhimin akademik. Në gjithë universitet perëndimore për çdo argument ka tekste alternative për çdo lëndë, kurse në Kosove ndodh që në shumicën e rasteve të kemi libra të kopjuar keq nga profesorët, të cilët ua japin studentëve mbi bazën e shantazhit për marrjen e provimit Së fundmi, duhet të rritet mbështetja për studentët më të mirë dhe talentët. Kolegjet private dhe universitetet publike duhet të ofrojnë bursa dhe përkrahje ekonomike për të gjithë ata student që kanë rezultate të larta akademike. Kosova edhe më tutje është shumë larg krijimit të një sistemi të mirëfilltë të edukimit. Në kohën kur bota po ndryshon me shpejtësi marramendëse duke prodhuar dhe konsumuar dituri të re, rinia jonë vazhdon të qëndroj jashtë këtij procesi dhe në izolim. Kjo neglizhencë ndaj çështjes së edukimit do të na kushtojë si komb shumë në të ardhmen, jo vetëm për faktin se do të dimë më pak se të tjerët por edhe për faktin se do të jemi shumë më të varfër, në aspektin ekonomik, sesa kombet tjera të Bashkimit Europian.

(Autori është student doktorature në Republikën Federale të Gjermanisë)