ARKATANA

Arsim Bajrami: Ja si do të shpërndahet Parlamenti më i dobët i Kosovës

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Profesori i Parlamentarizmit në Universitetin e Prishtinës, Arsim Bajrami, tregon se si do të procedohet kërkesa e deputetëve për shpërndarjen e Parlamentit. Ai tregon se, sipas Kushtetutës, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme duhet të votojnë 2/3 e numrit total të deputetëve për shpërbërjen e Parlamentit. Sipas tij, kjo është legjislatura më e dobët që ka pasur Kosova. “Mendoj se shpërbërja është një sanksionim i Parlamentit për faktin se ai është jofunksional. Për faktin se ai nuk është i aftë t’i realizojë funksionet kushtetuese”, thotë Bajrami, në një intervistë për Express. Express: Si do të procedohet sot me shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës?

A. Bajrami: Fillimisht do të prezantohet mocioni i nënshkruar nga deputetët e PDK’së dhe LDK’së. Mund të jetë një debat, pastaj do të procedohet me procesin e votimit dhe do të konsiderohet votimi i vlefshëm në qoftë se për votim votojnë 2/3 e numrit total të deputetëve. Pra, duhet të jenë 81 deputetë me votë pro për t’u shpërndarë Parlamenti dhe për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Express: Rrjedhimisht, për këtë vendim nuk duhen votat e 2/3 e deputetëve të minoriteteve?
A. Bajrami: Për shpërndarjen e Parlamentit nuk duhet fare 2/3 e pakicave, sepse kjo çështje nuk paraqet interes vital dhe Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh shumicën e dyfishtë kur është në pyetje shpërndarja e Parlamentit.

Express: Si do të funksionojnë puna e Kuvendit dhe Qeverisë pas shpërbërjes së Parlamentit?

A. Bajrami: Pas shpërndarjes së Parlamentit në fakt bie edhe Qeveria. Është një pasojë kushtetuese që ka përfunduar mandatin por vazhdon të funksionojë si Qeveri në dorëheqje. Sa i përket Parlamentit, pushon aktiviteti i tij dhe mund të funksionojë vetëm institucioni i Kryesisë vetëm për çështje administrative, sepse asnjë funksion i Parlamentit nuk është aktiv deri në konstituimin e Parlamentit të ri.

Express: Ligjërisht, kur është e mundshme të shkohet në zgjedhje pas votimit për shpërndarjen e Parlamentit?
A. Bajrami: Kushtetuta e Kosovës e parasheh dy afate me rastin e shpërbërjes së Parlamentit: Afatin minimal, që është 30 ditë, dhe afatin masksimal për të shkuar në zgjedhje, që është 45 ditë. Brenda këtij afati kohor duhet të mbahen zgjedhjet dhe Presidentja duhet të dekretojë fillimisht shpërndarjen e Parlamentit dhe pastaj, pas konsultimeve me partitë politike, të dekretojë edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme.

ARKATANA

Express: Shumëkush këtë përbërje të Parlamentit e ka parë si më të keqen në historinë e re parlamentare të Kosovës. Cili është vlerësimi juaj në ditën e fundit të kësaj legjislature?

A. Bajrami: Ky është mandati im i katërt si deputet i të gjitha legjislaturave dhe edhe unë pajtohem me këtë vlerësim të opinionit publik, se kjo ka qenë njëra prej legjislaturave më të dobëta në historinë e parlamentarizmit. Mendoj se është mirë që ai po shpërndahet sepse janë shpresat e mëdha se cilado legjislaturë e ardhshme do të jetë shumë më funksionale dhe shumë më e fokusuar në funksionet e veta kushtetuese, sepse 50 për qind e aktiviteteve të këtij Parlamenti është shpenzuar në debate jashtë mandatit kushtetues që ka Parlamenti. Besoj se nuk do të kemi legjislaturë më të dobët se kjo që po i përfundon mandati. Ky Parlamenti më shumë se 2/3 ka qenë i ri dhe kjo është një praktikë shumë e rrallë. Ndoshta, një nga faktorët e imazhit të dobët të këtij Parlamenti është pikërisht mos përtëritja jofunksionale e Parlamentit.

Express: Ju e keni favorizuar shpërndarjen e Parlamentit sa herë që ka pasur ngërçe institucionale. Do të duhej të shpërndahej më herët, apo edhe tash është koha e duhur për të shkuar në zgjedhje të reja?

A. Bajrami: E ligjëroj lëndën e “Parlamentarizmit” në Universitetin e Prishtinës dhe mendoj se në momentin kur Parlamenti ka filluar të bjerë në krizë, e kjo krizë i ka gati një vit, Parlamenti është dashur të shpërndahet në mënyrë që të mos zhgënjehet opinioni publik me pritjet që ka nga Parlamenti. Mendoj se shpërbërja është një sanksionim i Parlamentit për faktin se ai është jofunksional. Për faktin se ai nuk është i aftë t’i realizojë funksionet kushtetuese dhe është një metodë demokratike e zgjidhjes së krizave institucionale dhe shkuarjes drejt zgjedhjeve demokratike për të rivendosur demokracinë parlamentare.

Express: Çka do të ndodhë me pagat e deputetëve?
A. Bajrami: Sipas ligjeve në fuqi, deputetët që nuk kanë një pagë tjetër, përfitojnë edhe 12 muaj asistencë, nëse nuk marrin edhe ndonjë pagë tjetër në buxhetin e publik të Kosovës kanë të drejtë derisa nuk punësohen të marrin pagan edhe një vit si një garancion kushtetues.