Fundamenti

Arroganca nuk ndihmon

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Albin Kurti i ka fituar krejt – ashtu siç ka kërkuar, por duhet të punojë drejt – ashtu siç ka premtuar. Është e natyrshme droja se ai mund ta keqpërdor këtë fuqi politike. Por, qasja arrogante që mund të vijë nga numrat në Kuvend nuk i ndihmon as atij, as qytetarëve.

Nuk është pak të kesh mundësinë për të bërë vetë qeverinë. Nuk është pak të mundesh vetë të marrësh vendime, pa e patur drojën nëse me ty do të pajtohet edhe partneri i koalicionit qeveritar ose jo. Nuk është pak të bësh qeverinë pa u varur nga votat e subjektit politik serb, që punon sipas urdhrave të Beogradit, e që mundet fare lehtë të shantazhojë për arsye të ndryshme.

Albin Kurti ia ka dalë që për herë të parë në historinë politike të Kosovës të fitojë më shumë se gjysmën e votave dhe, rrjedhimisht, të krijojë qeverinë bashkë me komunitetet joshumicë joserbe, në një situatë polarizuese dhe në mungesë të thellë besimi të qytetarëve ndaj institucioneve. Por, numri i madh i deputetëve dhe fuqia e tij politike nuk duhet të kthehen në arrogancë qeverisëse.

Qeveria Kurti u votua nga 67 deputetë, numër afërsisht i njëjtë me atë që u krijuan edhe qeveri më pëparara. Por, tash dallimi është i madh, sepse me këta numra Kurti mund të bëjë çfarë të dojë pa frikën se nuk do të pajtohen partnerët tjerë. Është tjetër situatë nga ajo kur qeveritë nuk kishin një kryeministër, por dy e tre të tillë.

Qytetarët presin nga qeveria e re të jap përgjigje në zgjidhjen e shumë problemeve – që nga zhvillimi ekonomik e pandemia, deri te lufta kundër korrupsionit e sundimi i ligjit. Andaj është thelbësore që çdo veprim që qeveria do të ndërmarrë të jetë i arsyeshëm, i arsyetuar, e jo veprim inati ndaj kujdoqoftë. Tekefundit Albin Kurti i ka fituar krejt – ashtu siç ka kërkuar, por duhet të punojë drejt – ashtu siç ka premtuar. Është e arsyeshme droja se ai mund të përdor këtë fuqi ashtu si nuk duhet. Por, qasja arrogante që mund të vijë nga numrat në Kuvend nuk i ndihmon as atij, as qytetarëve.

* * *

Një balancë të pushtetit të fortë të Kurtit, në disa fusha mund ta bëjë presidenti. Tash për tash, pretendente për këtë pozitë është Vjosa Osmani. Pas krijimit të qeverisë, zgjedhja e presidentit do të jetë sfida e dytë e listës fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Uji Dea

Është e kuptueshme qasja e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk dëshiron të mundësojë zgjedhjen e Osmanit në krye të shtetit pa marrë garanca nga ajo se do të sillet karshi ligjeve dhe kushtetututës. Përvoja nga e kaluara, sidomos ajo e Hashim Thaçit president, ka treguar se si pozita e të parit të vendit mund të stërkeqet dhe të shndërrohet në gjithçka tjetër, veç jo në zyrë presidenti.

Në një vend normal kushtetuta do të duhej të ishte udhërrëfyes si duhet të sillet dhe të punojë jo vetëm presdenti a presidentja, por gjithsecili që mban një post publik. Por, në Kosovë ndër vite ka ndodhur që ligji është marrë në dorë nga politika dhe është përdorur e keqpërdorur për interesa të ndryshme.

Vjosa Osmani duhet t’i jep garanci LDK’së për shqetësimet që ngre, qoftë sa i përket kompetencave që ka në fushën e drejtësisë, qoftë në atë të politikës së jashtme. Mjafton të shihet se si ka degraduar shërbimi diplomatik, për të marrë vesh se si është vepruar deri tash.

Pra, është e nevojshme që presidenti, në këtë rast presidentja Osmani, nëse arrin të marrë votat e nevojshme, të kryejë punën e vet si duhet karshi korrektimit të veprimeve të qeverisë kur ato nuk janë të duhurat dhe mund të jenë jo në përputhje me regullativën ligjore.

* * *

Sigurimi ose jo i votave për zgjedhjen e Osmanit presidente është testi i parë i kryetarit të ri të LDK’së, Lumir Abdixhiku. Duket se në përgjithësi ekziston një disponim brenda strukturave të partisë që vota të jetë pro. Ndërkohë, PDK e AAK e kanë bërë të qartë me kohë që nuk kanë votë për Osmanin.

Se si do të qeveris Albin Kurti varet edhe nga ajo se çfarë opozite do të bëjnë LDK, PDK e AAK. Bazuar në diskutimet në Kuvend, në ditën kur u votua qeveria, gjasat janë që të paktën nga PDK e AAK do të vazhdojë një mënyrë e të bërit opozitë që nuk përkon me situatën e re të krijuar. Partitë opozitare duhet ta kenë të qartë se në vend ka ndodhur një ndryshim i madh jo vetëm në kutitë e votimit, por edhe në mendësinë e votuesve. Andaj, duhet ta ndjekin këtë ndryshim – qoftë në diskursin publik, qoftë në veprime, nëse nuk duan të përfundojnë në shifra edhe më të vogla në zgjedhjet e radhës.