Arrestohet Albin Kurti dhe Glauk Konjufca
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se në këto momente, në magjistralen Ferizaj – Prishtinë, Policia ka ndaluar deputetët Albin Kurti dhe Glauk Konjufca së bashku me dy aktivistë të tjerë të Lëvizjes që ishin duke u kthyer nga aktivitetet që kishin në Shkup.
“Në shpërputhje të plotë me ligjin, pa asnjë dokument apo urdhërarrest, Policia po do që t’i arrestojë ata. Rreth 10 policë po i mbajnë të ndalur deputetët dhe dy aktivistët duke tentuar disaherë që t’i arrestojnë ata”, thuhet në njoftimin për media të këtij subjekti politik.
“Pozita ka vendosur që përmes dhunës policore ndaj deputetëve, ta mbrojë “Zajednicën”. Këto veprime të papranueshme do ta tensionojnë situatën, dhe përgjegjësinë për këtë e mbanë pushteti. Shteti policor dhe masat e dhunshme janë të patolerueshme dhe do të shpiejnë në krizë edhe më të madhe në vend”, përfundon ky njoftim.
Glauk Konjufca, vetëm është ndaluar nga Policia pasiqë për të nuk ka fletëarrest, derisa për Kurtin po.
Ndryshe, Gazeta Express ka raportuar ditë më parë se mund të arrestohet deputeti i VV’së, Albin Kurti.
Albin Kurti mund të dënohet deri në 5 vite burg
Përdorimi i gazit lotësjellës pa autorizimin e autoriteteve përkatëse, dënohet me ligj.
Edhe përdorimi i gazit lotësjellës përbën vepër penale dhe dënimi për të, parashihet prej 6 muaj deri në 5 vite.
Bazuar në Kodin Penal, neni 120, i cili përcakton përkufizimet e shprehjeve të përdorura në kod, pika 38 saktëson se çka konsideron armë, ku edhe gazi hyn në kategorinë e armëve.
“Armë – çdo send ose vegël e punuar me qëllim që nën presionin e gazrave, të cilat lirohen gjatë djegies së materieve shpërthyese, elektrike, gazrave nën presion ose energjisë tjetër potenciale, hedhë predha në formë të një plumbi të vetëm, grumbulli prej saçmash, gazi, lëngu, shigjete ose përbërësish të tjerë, që krijohet dhe përdoret për të shkaktuar lëndime trupore ose dëm fizik, qoftë edhe psikologjik, si dhe secili send tjetër, qëllimi kryesor i të cilit është kryerja e sulmit fizik ndaj integritetit fizik të njerëzve ose ndaj pasurisë.”, precizohet në Kodin Penal të Kosovës.

