Arrestohen 11 persona për regjistrime të paligjshme të studentëve në UP

Të enjten rreth orës 09:00, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka realizuar një operacion të gjerë policor në disa lokacione, me ç’rast ka arrestuar 11 persona, me dyshimin se kanë kryer vepra penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit, raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Personat e arrestuar janë:
E. B. i lindur në vitin 1984,
R. Z. i lindur në vitin 1984,
K. G. i lindur në vitin 1986,
A. J. i lindur në vitin 1985,
L. B. i lindur në vitin 1987,
A. H. i lindur në vitin 1988,
G. M. i lindur në vitin 1984,
M. B. i lindur në vitin 1984,
A. H. i lindur në vitin 1984,
K. M. i lindur në vitin 1988,
M. M. i lindur në vitin 1983.
Bazuar në hetimet policore, personat e dyshuar gjatë periudhës kohore nga viti 2009 e deri në përfundim të vitit 2012, me qëllim të përfitimit material kanë pranuar shuma të ndryshme të parave (nga 4 mijë deri në 10 mijë euro) me qëllim të regjistrimit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, të Edukimit etj. të Universitetit të Prishtinës, duke u shërbyer me organizata studentore.
Të njëjtit, po gjatë kësaj periudhe, kanë përfituar shuma nga 100 deri në 500 euro për kryerjen e provimeve nga lëndë të ndryshme mësimore, duke hyrë në provim në vend të studentëve tjerë, si dhe duke intervenuar tek profesorët për marrjen e notave kaluese.
Të gjitha veprimet dhe hetimet policore janë kryer nën autorizimin e prokurorit përkatës dhe me autorizimin e tij ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore, ku mund të ketë zgjerim të hetimeve edhe ndaj personave të tjerë.
Arrestohen edhe zyrtarë të tjerë të Fakultetit të Mjekësisë (Foto)
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Naim Haliti, para pak çastesh, në një prononcim për Tribunën ka konfirmuar se bazuar në deklarimet e zyrtarëve policorë janë arrestuar edhe zyrtarë tjerë të këtij fakulteti.
Haliti tha se nuk është në dijeni se kush janë të arrestuarit tjerë, por përveç asistentit të lëndës së anatomisë Esat Belaj, ka thënë se në vendin e punës është arrestuar edhe asistenti tjetër i lëndës së fiziologjisë Gazmend Maliqaj.
Dekani Haliti tha se zyrtarët policorë që kanë kryer operacionin në Fakultetin e Mjekësisë e kanë njoftuar atë për operacionin. “Por, më thanë se do të më njoftojnë me shkrim detajisht për të gjeturat që kanë çuar në arrestimin e zyrtarëve”, ka thënë Haliti.
Arrestohen zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë
Dy persona janë arrestuar sot, rreth orës 10 e 30 minuta, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Redaktori i Tribunës Alban Selimi ka qenë në vendin e ngjarjes momentin e arrestimit dhe ka bërë fotografi ekskluzive të arrestimit të punonjësve.
Ndonëse nuk është konfirmuar se kush janë punonjësit e arrestuar, burimet thonë se arsyeja e arrestimit ndërlidhet me falsifikime të kryera në këtë Fakultet. Perosni në foto mësohet se është Esat Bela, asistent në Fakultetin e Mjekësisë.
Gazeta Tribuna ka provuar të flasë me Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë Naim Haliti, mirëpo ai nuk ka pranuar të takohet pas arrestimeve në institucionin që ai drejton.
Kurse prodekani i Fakultetit të Mjekësisë Mehmet Maxhuni ka thënë se nuk është në dijeni se kush janë të arrestuarit.
Ndërkohë një zyrtar policor ka thënë se bëhet fjalë për një operacion të gjerë dhe do të ketë edhe arrestime të tjera në Universitetin e Prishtinës./tribuna/