UBT

Arnohet “Rruga e Kombit”

/ 2 minuta lexim

Ende pa u bërë gjashtë muaj nga përurimi i 60 kilometrave të autostradës “Ibrahim Rugova” po i ndërrohet asfalti. Rreth dy kilometra të kësaj autostrade në afërsi të Suharekës është dashur të gërryhen deri në bazë nga kompania ndërtuese “Bechetel&Enka”, për t’u rishtruar.

Por ky fenomen nuk duket të jetë shqetësues për Qeverinë e Kosovës, përderisa në kompaninë ndërtuese “Bechtel&Enka” nuk kanë dashur të flasin. Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës ka pohuar për Tribunën se problemet e tilla janë paraparë edhe me kontratë. Ai ka thënë se prishja e asfaltit nuk ka ndodhur për shkak të cilësisë së punimeve por për shkak të rrëshqitjeve gjeologjike.

“Në kuadër të projektit të autostradës janë paraparë rrëshqitjet gjeologjike dhe kjo ka ndodhur në atë hapësirë dhe kompania kontraktuese do ta sanojë gjendjen”, ka thënë Nitaj. Sipas tij, e gjithë puna për riparimin e autostradës nuk do të ketë kosto shtesë për Qeverinë e Kosovës.

Mobi Casa

“Autostrada ka garancion njëvjeçar pas pranimit teknik të punimeve dhe e gjithë ajo rrugë do të rregullohet nga kompania punëkryerse ‘Bechtel&Enka’”, ka thënë Nitaj. Në anën tjetër, në kompaninë ndërtuese “Bechtel&Enka” nuk kanë dashur të flasin në lidhje me rastin, pavarësisht asaj se zëdhënësja e kësaj kompanie Ela Ruçi kishte premtuar se do të përgjigjet.

Ndryshe, projekti më i madh i Qeverisë së Kosovës, autostrada Prishtinë – Vërmicë, ka filluar të ndërtohet në prill të vitit 2010. Deri më tani në qarkullim janë lëshuar 60.4 kilometra, derisa deri në fund të këtij viti kur edhe do të përfundojë ky projekt, kanë mbetur edhe 40 kilometra të tjerë. Ndërkohë, kostoja përfundimtare e këtij projekti pritet të jetë rreth 800 milionë euro.(tribuna)