UBT

Arkivi ndërkomunal hap ekspozitën “Gjilani në fotografi të vjetra”

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Ekspozita e titulluar “Gjilani në fotografi të vjetra” që është realizuar nga arkivi ndërkomunal i Gjilanit pasqyron qytetin e Gjilanit nëpër kohë e vite. Në hapje të ekspozitës morën pjesë edhe Qemajl Mustafa, Ramë Manaj e Veton Nevzati.

Në galerinë e arteve në Gjilan është hapur ekspozita “Gjilani në fotografi të vjetra”. Në këtë ekspozitë që i kushtohet 100 vjetorit të shtetit shqiptarë , Gjilani përmes fotografive tregohet dhe pasqyrohet pozita, zhvillimi, rritja , infrastruktura, arkitektura e qytetit me pamje nga koha e shpalljes së pavarësisë deri në vitet `70 –ta të shekullit XX.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ramë Manaj, kryeshef i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, i cili tha se është ky një organizim kuptimplotë, që para qytetarëve sjell pamje nga e kaluara e jonë dhe rifreskon memorien tonë. Sipas Manajt, faktografia e fotografia kanë një rëndësi të veçantë, ngase të tanishmen e bartin në distancë.

Eco Higjiena

Edhe Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, ka thënë se ajo që është ekspozuar është një pasuri e çmueshme dhe ka folur për punën e mirë që po e bënë Arkivi Ndërkomunal i Gjilanit, i cili sipas tij do ta ketë përkrahjen edhe në të ardhmen.

Kurse Veton Nevzati drejtor për kulturë , rini e sport tha se këto fotografi shpalosin copëza të kujtesës sonë kolektive për hapësirën ku kanë jetuar qytetarët e Gjilanit.

Nazmi Mujaj drejtor i arkivit ndërkomunal tha se janë ekspozuar mbi 40 fotografi dhe kjo ekspozitë është organizuar në kuadër të 100- vjetorit të shtetit shqiptar./rajonipress/