Aristokrati me “pendrek”
Nga Lavdim Hamidi – Shpresa të mëdha nga Skenda i vogël padyshim se kanë militantët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ata tash e tutje, pas formimit të Qeverisë së re, të cilën për herë të parë në historinë e pasluftës e udhëheq LDK-ja, nuk do të mundë të ankohen se nuk ka kush t’i ndriçojë vrasjet politike të pasluftës, viktima të së cilës kanë qenë edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, në trashëgiminë e të cilit thirret e gjithë partia.
Thirren në këtë trashëgimi, edhe gati 9 vjet pas vdekjes së presidentit Rugova, pasi që drejtuesve aktualë të LDK-së, kjo ua mbush “hambarët” me vota, të cilat më pas konvertohen në fuqi politike e financiare.
Falë qindra mijëra votave të LDK-së, Isa Mustafa arriti të zgjidhet kryeministër i Kosovës e bashkëpartiaku i tij, Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.
Si i porositur emërimi i tyre në krye të Qeverisë ndodhi vetëm pak ditë pas shënimit të 14-vjetorit të vrasjes së bashkëpunëtorit të tyre të ngushtë, Xhemajl Mustafa, krahut të djathtë të Ibrahim Rugovës.
Vrasja e Xhemës dhe e disa zyrtarëve të tjerë të LDK-së, si: Ismet Raci, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj,…, për të cilët u fol edhe në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës më 8 dhjetor, fatkeqësisht vazhdojnë të mbeten të pandriçuara.
Eksponentë të lartë të LDK-së deri më tani, kur nuk kanë udhëhequr Qeverinë, kanë mundur edhe të arsyetohen dhe jo rrallë të drejtojnë gishtin akuzues kah partitë tjera se nuk po i ndriçojnë këto vrasje, duke aluduar shpeshherë se pikërisht kundërshtarët e tyre politikë nuk po e bëjnë një gjë të tillë për shkak se janë të përfshirë në këto vrasje.
Por, gjitha këto arsyetime para elektoratit tash e tutje nuk do të pinë ujë, pasi që pikërisht Ministrinë e Punëve të Brendshme do ta drejtojë Skënder Hyseni i LDK-së.
Ky i fundit për ta dëshmuar se e ndjen peshën e institucionit që e drejton duhet të gjejë kurajën dhe të fillojë t’ua “heqë pluhurin” dosjeve të këtyre vrasjeve të rënda të pasluftës, për të vazhduar njëkohësisht edhe me prioritetet tjera katërvjeçare në krye të MPB-së.
Hyseni e ka rastin ta dëshmojë se është i vendosur ta luftojë krimin e organizuar edhe korrupsionin, ashtu siç trumbetonte në fushata zgjedhore, duke mos i amnistuar as bashkëpartiakët e tij në qeveri, apo partnerët e koalicionit.
Nëse ka dyshime të bazuara, ai duhet të ndihmojë në zhvillimin e hetimeve policore edhe ndaj mikut të tij të shtëpisë, Ahmet Shala, tashmë ambasador në Japoni, për të cilin ka pasur akuza në vazhdimësi nga përfaqësuesit e disa ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara se është i përfshirë në dallavere gjatë procesit të privatizimit në Kosovë, si drejtues i lartë në ish-Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (AKM).
Dorën në zemër, gjasat janë shumë më të mëdha që elektorati i LDK-së të mbetet i dëshpëruar nga kjo qeverisje e partisë së tyre me PDK-në, sesa të ndodhë e kundërta.
E me këtë rast Skenda do të vazhdojë të mbahet mend si “aristokrat” i LDK-së, ashtu siç pëlqen ta quajë veten dhe si një zyrtar që i pëlqejnë verërat e shtrenjta, e jo si një ministër që do ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.


