Arifi: Qeveria Kurti s’bëri asgjë për Luginën e Preshevës

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, është shprehur i zhgënjyer nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, lidhur me organizimin dhe përkrahjen ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët ka pothuajse një muaj që kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Arifi ka thënë se nuk është parë ndonjë angazhim i Qeverisë Kurti ashtu siç kishte bërë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili dërgonte serbë me autobusë që të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit në Kosovë.

“Atë që e shoh nga Kryeministria jonë në Kosovë për mua është dëshpëruese sepse tërë kohën këto 30 ditët e fundit nuk është treguar zgjuarsi sa i përket organizimit dhe suportimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Do të mund të ndodhte njëjtë siç ka bërë Serbia, ka dërguar autobusë me serbë në Kosovë që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit në aso kohe, ne nuk kemi parë një angazhim të tillë të Qeverisë së Kurtit në 30 ditët e fundit përveç një video në fillim dhe statusit që e ka shënuar sot në përfundimin e këtij procesi”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, të dhënat janë të mira në përgjithësi sepse siç thotë Arifi, ka pasur një dyfishim të popullsisë në komunën e Preshevës dhe një angazhim në gjithë Luginën për të rritur numrin edhe më shumë.

“Sepse jemi mbi 120 mijë qytetarë në Luginën e Preshevës”.

Ai ka thënë se regjistrimin që po e përjeton Kosova në këtë momentum të dialogut është një regjistrim që e përforcon edhe më shumë pozitën e Kosovës në negociata.

“Për këtë arsye dua t’i falënderoj të gjithë që kanë marrë pjesë në motivim apo në regjistrim, sepse kanë treguar një largpamësi dhe patriotizëm. Pos asaj që në Medvegjë kemi pasur pengesa në regjistrim, në përgjithësi regjistrimi ka qenë në favor të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, shtoi Arifi.

“Në Medvegjë janë penguar shqiptarët, terminet nuk iu kanë përmbajtur, nuk kanë ardhur regjistruesit serbë, kur i kanë regjistruar nuk i kanë regjistruar asnjë rezident, administrata komunale në Medvegjë ka qenë dekonstruktiv dhe kanë marrë notë proteste nga OSBE-ja sepse ka pasur ankesa të shumta shqiptarët atje. Politika serbe atje ka pasivizuar 7 mijë shqiptarë viteve të fundit, dhe tash janë munduar përmes regjistrimin t’i përshtaten kësaj shifre të 10 viteve të fundit dhe kështu kanë krijuar pengesa të shumta në terren”, ka thënë ai.

Teksa e ka komentuar deklaratën e president serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se po fryhen listat për të cilën ka reaguar edhe kryeministri Kurti, duke kërkuar vëzhgim ndërkombëtar në gjithë procesin e numërimit, Arifi ka thënë se nuk ka pasur tjera pritshmëri nga Vuçiqi.

“Nuk kam pritur diçka tjetër nga Vuçiq sepse është një retorikë që e përdorë në vazhdimësi edhe pse në fund gjithmonë mundohet të përfundojë më një gjuhë kinse demokratike që njeriu të mos mund të kuptojë se a është autoritar që është apo një pseudo-demokrat që nuk është, në këtë kontekst nuk prita asgjë më tepër”, është shprehur Arifi.

Se sa mund të paraqesë kjo problem në të dhënat që duhet të regjistrohen, Arifi nuk ka shprehur dyshime, ngase siç ka potencuar ai, regjistrimi është financuar dhe mbikëqyrur nga Bashkimi Evropian.

“Regjistrimi është financuar dhe mbikëqyrur nga BE-ja dhe në këtë kontekst jemi unifikuar dhe kemi arritur një sukses të mirë në këtë regjistrim. Kemi besim në BE. Nëse manipulohen shifrat apo nëse nuk dalin ashtu siç i kemi regjistruar ne, atëherë kjo nënkupton se BE-ja është involvuar në manipulimin e këtyre shifrave, gjë që nuk e besoj”.

“Të thënat e Vuçiqit janë më shumë shprehje e dëshpërimit të asaj që politikat e tij diskriminuese dhe pasivizuese të shqiptarëve në këto 10 vitet e fundit, tash me regjistrimin tonë janë demaskuar, në këtë formë edhe dëshpërimi iu ka shtuar dhe për mua është diçka e frikshme”.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat, Arifi: Për mua është asgjë thënës

Në anën tjetër, Arifi ka komentuar edhe vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës lidhur me targat e automjeteve që nuk i kanë konvertuar nga ato ilegale në RKS.

“Unë jam kritik nga përmbajtja e vendimeve. Shihet defacto nga larg që pesha e levrës është në anën e Serbisë dhe serbët në veri të Kosovës kurse ne nuk po dimë të ngritim këtë peshë. Për mua ajo që kam qenë kritik është që të mos merren me targa dhe simbolika të thjeshta por me substancë me fjalën reciprocitet. Tash po i kthehet boomerang edhe Qeverisë Kurti që ka hyrë në një qorrsokak me vendimin mbi targat duke menduar se po bëjnë ku me dit se çfarë ndaj Serbisë. Nuk shkon kështu, për mua është asgjë thënës është vendimi mbi targat”.

Duke pasur parasysh përbërjen demografike sidomos në Preshevë, numri i shqiptarëve në Serbi i afrohet shifrës 100 mijë. Përgjigje, dilemat do të marrin pas një nëntorit, datë kur përfundon regjistrimi i popullsisë dhe publikimit zyrtar të rezultateve. /RTVD/Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS