Arifi: Nuk e di pse jam në Gjykatë…
Gjilan – Në gjykimin e zhvilluar kundër Kabil Hajdarit dhe Nexhmedin Arifit kanë dëshmuar të martën Fahredin Sylaj nga ATK-ja, Refik Ahmeti nga BPB dhe Xhelal Hoxha nga ish kompania “Univerzal”. Nexhmedin Arifi tha për rajonipress se nuk e ka të qartë pse ndodhet në bankën e të akuzuarve dhe përse akuzohet. Askush nuk më ka pyetur deri tani për asgjë, as nuk më ka akuzuar asnjë dëshmitarë. Unë të gjitha veprimet e mija i kam ndërmarrë duke u bazuar në ligj dhe jam plotësisht i pafajshëm tha ai.
Të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan ka vazhduar gjykimi ndaj kreut të Vitisë Nexhmedin Arifi i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe Kabil Hajdarit i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”.
Në seancën e sotme kanë dëshmuar Fahredin Sylaj zyrtarë në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Sylaj në mënyrë profesionale ka paraqitur para trupit gjykues që po kryesohet nga Hasan Sadiku dhe Veli Kryeziu të gjitha dyshimet e ngritura nga ana e Prokurorisë.
Sylaj tha se raporti i kontrollit i ATK-së ka konstatuar se në këtë rast kemi shmangie nga tatimi bazë mbi 79 mijë e 800 euro. Sylaj tha se për ATK përgjegjës në këtë rast janë zyrtarët e kompanisë “Univerzal”.
Dëshmi para trupit gjykues ka dhënë edhe Refik Ahmeti drejtor në Bankën Private të Biznesit (BPB) i cili ka dëshmuar për transferet e kompanisë “Univerzal”.
Dëshmitari i radhës Xhelal Hoxha shef i financave në “Univerzal” nuk ka arritur të përfundojë dëshminë e tij pasiqë gjykata e ka shtyrë për 3 shtator seancën e radhës.
Avokatët mbrojtës Shemsedin Piraj që mbron Nexhmedin Arifin dhe Sabit Maliqi që mbron Kabil Hajdarin kanë kërkuar nga trupi gjykues që në këtë rast të kryhet një ekspertizë financiare në mënyrë që mos të humbet kohë kotë rreth dyshimeve të ngritura.
Ndërkaq Nexhmedin Arifi tha për rajonipress se ende nuk e ka të qartë pse ndodhet në Gjykatë.”Unë ende nuk e di pse ndodhem këtu. Vërtet jam i befasuar me këtë mënyrë sepse unë po humbi kohë me orë të tëra derisa ende nuk e di saktësisht se çfarë kam bërë. Askush deri tashti nuk më ka akuzuar mua dhe kjo dëshmon se unë nuk kam përgjegjësi penale meqë me kohë i kam transferuar-deleguar përgjegjësit tek kryetari i bordit Xhevat Bislimi” tha Arifi.
Arifi tha se i respekton institucionet e drejtësisë, por vërtet ndihet keq sepse asnjëherë nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin.”Në jetën time dhe në punën time institucionale gjithmonë jam bazuar në ligj dhe drejtësi. Gjithçka që kam vepruar në rastin e “Univerzalit”është e bazuar në vendimet e asamblesë komunale” tha Arifi.
Ndryshe që nga seanca e parë edhe Nexhmedin Arifi edhe Kabil Hajdari i kanë mohuar veprat penale para trupit gjykues që po e kryeson Hasan Sadiku.
Ndryshe sipas aktakuzës kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi akuzohet për veprën penale “korrupsioni zyrtar” derisa Kabil Hajdari për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”.
Sipas aktakuzës i dyshuari Kabil Hajdari në gusht të viti 2008 deri në maj 2011, derisa ka qenë drejtor në NP “Univerzal”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore nga datat 24.03.2009, deri më 01.01.2011, mjetet e trustit pensional për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje: Kadri Halabaku, Bajram Aliu, Berat Ymeri, Ruzhdi Musa, Hysni Beqiri, Sabit Salihu, Sabri Rrahimi, Ali Islami, Taf Mustafa dhe Agron Misini, edhe pse kanë qenë në listën e pagave, trusti pensional atyre nuk u është paguar fare, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë të 16 mijë eurove.
Kabil Hajdari gjithashtu dyshohet se ka shmangur mos pagesën e tatimit në Administratën Tatimore të Kosovës në vlerën e 79.815.29 eurove.
Kurse, Nexhmedin Arifi dyshohet se duke qenë në pozitën e kryetarit të Vitisë më 22 gusht 2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti apo tjetrin, në kundërshtim me Ligjin mbi ndërmarrjet publike, ka marrë vendimin mbi ekzekutimin e vendimit të Kuvendit komunal për derajonalizimin e KRM”Higjiena”, njësia punuese në Viti e cila ishte pjesë integrale e “Higjienës” në Gjilan.
Arifi gjithashtu akuzohet se nuk e ka respektuar shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e as vendimin e Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë atë vendim. Sipas aktakuzës Arifi i ka mundësuar Kabil Hajdarit që të keqpërdor mjetet e kompanisë publike duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerën e 79 mijë eurove./rajonipress/


