Arifi: Flamuri do të valoj në komunën e Bujanocit, por pa spektakle nëpër ballkone

Bujanoc- “Nga qeveritarët në Prishtinë, kemi marrë premtimin e tyre se ata do të përkujdesen maksimalisht në realizimin e drejtave tona kolektive dhe individuale”, shprehet Arifi, duke shtuar: “Kemi besim të plotë se përfaqësuesit e Kosovës në këto bisedime do të dinë që të mbrojnë më së miri interesin e Kosovës, por edhe të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka deklaruar Mr.Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit për agjencinë informative kombëtare « Presheva Jonë »

Lideri i Partisë Demokratike, Nagip Arifi, njëherësh dhe prefekt i Bujanocit, në një intervistë dhënë për “Presheva Jone”, flet për situatën aktuale politike në Luginë, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe fati i Luginës, aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar në Luginë dhe sa është unik faktori politik shqiptar i Luginës së Preshevës, në realizimin e verdiktit të popullit të shprehur në Referendumin e vitit 1992.

“Presheva Jone”: Fillimisht zoti kryetar a mund tw na përshkruani për situatën aktuale politike të Luginës së Preshevës?

Arifi: Për të qenë i sinqertë situata aktuale politike e shqiptarëve të Luginës është e pafavorshme dhe nuk mundemi të jemi të kënaqur me një situatë të tillë. Pse?- Janë një mori faktorësh që kanë ndikuar në krijimin e një situate të tillë: – Lugina Preshevës është në një gjendje postkonfliktuoze me të gjitha pasojat si rrjedhojë e luftës në Kosovë dhe luftës së UÇPMB-së në periudhën 2000-2001, mos-respektimi i marrëveshjes së Konçulit, getoizimi i shqiptarëve që nga periudha Milosheviqjane e më herët, varfëria ekstreme dhe mos-zhvillimi ekonomik, por edhe prezenca permanente e formacioneve të ndryshme policoro-ushtarake ndikuan drejtpërdrejt në shpërnguljen e Malësisë së Bujanocit dhe Preshevës, si dhe emigrimin e të rinjve nëpër shtetet perëndimore, mos-përfshirja adekuate dhe proporcionale e shqiptarëve nëpër organet shtetërore, ndikuan drejtpërdrejtë në krijimin e kësaj klime politike; problemi i kufirit me Kosovën, mos qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave, mosnjohja e Republikës së Kosovës nga Serbia dhe problemet e tyre reflektohen drejtpërdrejtë në Luginë, si dhe mos-uniteti i faktorit politik në Luginë dhe bajraktarizmi kanë krijuar një gjendje që nuk është për të lakmuar, por mbetemi gjithnjë me shpresë dhe bindje se këto sfida mund të tejkalohen.

“Presheva Jone”: Dialogu i Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë veç ka rifilluar , por edhe kësaj radhe me përfaqësimin e Luginës së Preshevës..Çka donë të thotë kjo z.kryetar ?

Arifi: Ngërçi në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të zgjidhet vetëm se me bisedime dhe dialogut në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së dhe SHBA-ve, ne mundemi vetëm ta përshëndesim dhe kemi besim të plotë se përfaqësuesit e Kosovës në bisedime do të dinë që të mbrojnë më së miri interesat e Kosovës, por edhe të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në bisedat që i kemi pasur me qeveritarët në Prishtinë, kemi marrë premtimin e tyre se ata do të përkujdesen maksimalisht në realizimin e drejtave tona kolektive dhe individuale.

“Presheva Jone”: Çka mund të na thoni lidhur me aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar në Luginë?

Arifi: Aktivitetet në komunën e Bujanocit në kuadër të festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë deri me 27 Nëntor kryhen dhe organizohen në kuadër të Shtëpisë së kulturës kurse manifestimi qendrorë më 28 Nëntor organizohet nga Komisioni ndërpartiak dhe nga OVL-ja për Luginën e Preshevës. Aktivitet e shtëpisë së kulturës janë të larmishme në të gjithë fushat kulturore, përkujtuese dhe historike.

“Presheva Jone”: Pas 100-vjet pavarësi të shtetit shqiptar, Lugina pa flamur. Pse? A do të valojë sivjet flamuri në godinën e Komunës se Bujanocit?

Arifi: Konstatimi juaj do të kishte qenë më i saktë se Lugina edhe pas 100 vjet mbet jashtë shtetit shqiptarë, kurse flamuri kombëtar i Skënderbeut dhe i Ismail Qemalit, çdo herë ka qenë prezent në zemrat e shpirtrat e shqiptarëve të Luginës dhe deri më sot, nuk ka pasur konsensus të spektrit politik dhe intelektual të Luginës që për interesa ditore apo për hir të shumë kushtetutave ta shtrembërojnë flamurin kombëtar për të cilin për një shekull me radhë shumë shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë luftuar dhe janë flijuar.
Edhe sivjet do të valoj flamuri kombëtar në komunën e Bujanocit, por jo duke krijuar spektakle nëpër ballkone, sepse një herë Ismail bej Qemali me 28 Nëntor 1912 nga ballkoni i ndërtesës së qeverisë së përkohshme në Vlorë e ka ngritur flamurin dhe çdo simulim i këtij veprimi bëhet vetëm për poenë të imtë politikë dhe për asgjë tjetër.

“Presheva Jone”: Në këtë rajon u mbajt një referendum. Sa është unik faktori politik shqiptar i Luginës së Preshevës, në realizimin e verdiktit të popullit të shprehur në Referendumin e vitit 1992?

Arifi: Fatkeqësisht, vullneti i shprehur i popullatës së Luginës së Preshevës ku në mënyrë masovike u përgjigj pozitivisht në pyetjet e shtruara në Referendumin e vitit1992, në shumicën e rasteve është keqpërdorur nga momenti në moment për nevoja ad-hoc duke mos-respektuar sinqeritetin e popullatës në momentet më të vështira kur edhe u votua.

Referendumi i 1992 për shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të mbetet një dokument legjitim i cili kurrë nuk do ta humbë peshën dhe vlerën. Është e vërtetë se faktori politik shqiptar i Luginës së Preshevës nuk është unik, por edhe sikur të kishte një unitet të plotë, realizimi i këtij referendumi nuk varet vetëm nga ne por duhen të bashkëdyzohen shumë kushte dhe të piqen shumë faktorë për t`u realizuar dëshira e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të jetuar në një shtet të përbashkët. / Bisedoi : Metali Krasniqi./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).