Fundamenti

Ardian Nuhiu trajneri i sukseseve e rekordeve

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Trajneri Ardian Nuhiu nuk është as “baba” e as “nëna” e Superligës, siq thirren disa trajner në futbollin e Kosovës, por është një profesionalist i cili me sportivitet feston fitoret e pranon humbjet.

Disa analistë të cilët i shohim në televizionet tona çdo të diele shumë herë e kanë sulmuar trajnerin Nuhiu, por ky i fundit asnjëherë të vetme nuk u morë me askënd por vazhdoj punën kolosale në FC Drita.

Trajneri nga Shkupi, ishte ardhur tek “bardhekaltërtit” në vitin 2018, si ndihmës i trajnerit nga Shqipëria, Shpëtim Duro, i cili nuk pati suksese me FC Dritën duke dhënë dorëheqje në ndeshjen e parë të stinorit pranverorë pas humbjes nga Vllazënimi në ndeshjen e Kupës së Kosovës.

Krerët e FC Dritës e angazhojnë Nuhiun si trajner të parë menjëherë nga java e 18 me 11 shkurt 2018, debutimin si kryetrajner e bën pikërisht në derbi kundër rivalit lokal Gjilanit, ku Drita fitoj derbin me rezultat 3-1.

“Ishte një përgjegjësi e madhe ta marrësh klubin nga java e 18, por në fund të kampionatit 2018/19 u pozicionuam në pozitën e 4-të stinorit, dhe e gjithë kjo ishte meritë e futbollistëve dhe e kryesisë”, kujton Nuhiu.

Trajneri nga Shkupi, Ardian Nuhiu në kampionatin 2019/20 arrinë të shpallet kampion në futbollin e Kosovës me FC Dritën, duke u shpallur edhe trajneri më i mire në futbollin e Kosovës.

Ndërsa, në stinorin 2020/21 dhe 2021/22 u shpall nënkampion i Kosovës, poashtu me Dritën zhvilloi edhe dy finale në Superkupë dhe Kupë të Kosovës.

Nuhiu me skuadrën e Dritës me shumë dinjitet dhe sukses përfaqësoi futbollin e Kosovës në garat ndërkombëtare në tri stinore radhazi, duke i zhvilluar dy ndeshje në Champions League duke nxjerr rezultat – një fitore e një humbje, poashtu të njëjtin rezultat e ka edhe në Europa League, ndërsa në Conference League ka tri fitore, dy barazime e tri humbje.

Fundamenti

Në të gjitha garat nga 160 paraqitje me FC Dritën, Nuhiu ka shënuar 89 fitore, 37 barazime e 34 humbje.

Ardian Nuhiu si gjithmonë modest e me pak fjalë, asnjëherë të vetme nuk akuzoi askënd, as arbitrat e ndeshjeve, as ata që e sulmuan në mënyra të ndryshme nëpër studiot televizive, por vazhdoi me punën e tij së bashku me shtabin e tij drejt sukseseve.

“Unë kam ardhur të punoj në një skuadër të cilën më kanë besuar presidentët e FC Dritës, se çka flasin njerëzit mua nuk më intereson. Ne kemi mbështetje maksimale nga krerët e klubit, dhe së bashku ju gëzohemi fitoreve, por edhe dëshpërohemi shumë kur pësojmë – ky është futbolli. Tani po bëhen katër vite tek “bardhekaltërtit” e Dritës, këto janë vite të jashtëzakonshme me shumë emocione, vështirësi e suksese – si në futbollin e Kosovës poashtu edhe në atë ndërkombëtar”, shprehet Nuhiu.

44 vjeqari Nuhiu, poashtu ka fjalë të mëdha për tifozët “Intelektualët” dhe për të gjithë futbollistët që kanë derdhur djersë në fanellën e FC Dritës.

“Tifozët ‘Intelektualët’ janë inspirimi jonë për çdo ndeshje që zhvillojmë, ata janë të jashtëzakonshëm, ata na japin emocion dhe përgjegjësi për ti gëzuar me rezultate pozitive dhe gjithmonë do të jemi krenar për kontributin e tyre.
Poashtu nga zemra i falënderojë të gjithë futbollistë që kanë dhe janë duke kontribuar për të mirën e klubit. Ne kemi një staf të mrekullueshëm të menaxhimit të klubit, siq janë: trajnerët, mjekët, ekonomët – të gjithë këta në mënyrën e tyre kanë kontribuar këto katër vite së bashku për t`i arritur qëllimet tona”.

Trajneri Ardian Nuhiu me klubin e FC Drita, janë të vetmit në futbollin e Kosovës që mbajnë konferenca të rregullta me gazetarë para çdo ndeshje, duke qenë transparent me futbolldashësit e me gazetarët.

Nuhiu kishte një karrierë të bujshme edhe si futbollist, ndërsa karrierën e ndërtoi në futbollin e Maqedonisë, Shqipërisë, Izraelit e Iranit – si sulmues i krahut të majtë e të djathtë. Nuhiu veshi edhe fanellën e Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut./rajonipress/