Ardian Mehmeti: Po më shkelen të drejtat e garantuara ligjore
Gjilan – Ardian Mehmeti nga Zarbinca, Komuna e Bujanocit me vendbanim në Gjilan u ka shkruar medieve për padrejtësitë që ai pretendon se po i bëhen në procesin gjyqësor që është ngritur ndaj tij për veprat penale që lidhen me terrorizmin. Mehmeti thotë se atij po i shkelen shumë të drejta të garantuara dhe se nuk po zhvillohet një proces gjyqësor normal ndaj tij.
Ardian Mehmeti student i Fakultetit Ekonomik dhe i Studimeve Islame përmes familjarëve nga burgu i ka dërguar një letër medieve dhe institucioneve vendore ku shkruan për padrejtësitë që po i bëhen atij në procesin gjyqësor që po udhëhiqet nga EULEX-i, raporton rajonipress.
Mehmeti është arrestuar më 5 nëntor 2013 në Prishtinë siç thotë ai pas një simulim të blerjes së armëve nga Policia e Kosovës dhe AKI. Siç thotë ai në letër pas 15 muajve hetime i është ngritur aktakuza për terrorizëm.
Ardian Mehmeti thotë se pas stërzgjatjes së këtij procesi gjyqësor ende nuk ka shenja të zhvillimit normal të procedurës penale konform akteve ligjore. “Me këto zvarritje të Prokurorisë dhe Gjykatës mua po më shkelen të drejtat e garantuara për një proces të rregullt gjyqësor dhe shumë të drejta të tjera të garantuara edhe me konventat ndërkombëtare. Unë kam pasur kontakte e takime edhe me përfaqësuesit e OSBE-së, KMDLNJ, avokatit të popullit, por pa sukses. I vetmi mekanizëm i cili do të mund të bënte lëvizje në këtë drejtim shpresoj të jetë “presioni” mediatik dhe opinioni i shoqërisë civile”.
Mehmeti ka thënë se këto janë hallkat e vetme që ai mund t`i qaj hallet për padrejtësitë që po i bëhen në kurriz të tij dhe të familjes. “Unë e kam thënë disa herë edhe para policisë e hetuesve se jam i pafajshëm dhe se nuk kam lidhje me rastin. Kërkojë drejtësi dhe përshpejtim të rastit pasiqë jam student i dy fakulteteve” ka shkruar Ardian Mehmeti. /rajonipress/


