Arbnor Morina: Po na mungojnë futbollistët e lënduar
Gjilan – Skuadra e Arbnor Morinës, Gjilani edhe pas 12 javëve nuk ka pësuar humbje, ajo në javën e fundit barazoi në Pejë me Besën me rezultat të bardhë 0-0.
Për djelmoshat e Morinës ishte ky barazimi i 8 ndërsa ka shënuar 4 fitore. Një sukses i tillë për trajnerin Morina dhe skuadrën e Gjilanit, është jashtëzakonisht i madh duke i ditur lëndimet të cilat futbollistët e Gjilanit i kanë pësuar duke u larguar nga fusha nga 6 muaj.
Lëndime të rënda patën pësuar Zgjim Mustafa, Diar Mustafa e Fatih Karahoda, ndërsa në shumë ndeshje tjera mungonin edhe futbollist të tjerë duke i vështirësuar punën Morinës në ndeshjet e Superligës.
“Filozofia ime e lojës është të kem skuadër sulmuese, por në gjendjen të cilën gjendemi po vërehen mungesat e mëdha pas lëndimeve që kemi pasur me futbollist, jemi “harrnu” aq sa kemi mundur por futbollistët janë lodhur edhe për shkak këtyre mungesave ne po luajmë me tre sulmues por rastet nuk po mundemi t`i realizojmë dhe fitoret po na ikin nga duart, por duke e parë gjendjen e lëndimeve ne jemi shumë mirë edhe pse futbollistët po japin gjithçka nga vetja fitoret po na mungojnë”, ka thënë Morina.
Për trajnerin Morina mjaft befasuese është se lëndimet që kanë pësuar futbollistët e Gjilanit, arbitrat nuk i kanë ndëshkuar as me kartona të verdhë.
“Nuk e kam të natyrës të ankohem por po më duhet të përsëris, futbollisti kundërshtar ta lëndon një futbollist dhe ta largon për 6 muaj jashtë fushës e të mos ndëshkohet as me karton të verdhë kjo nuk do koment, këto gjëra nuk mundesh t`i gjeshë as atje ku luhet futbolli më primitiv e te ne thirren në profesionalizëm”, thekson i shqetësuar Morina.
Trajneri Morina, është i habitur dhe mjaft i shqetësuar se si ndëshkohen lehtësisht futbollistët e Gjilanit nga arbitrat. “Arbitrat le ta kryejnë punën ashtu siç duhet jo të jenë për dikend nënë e për dikend njerkë, edhe këtu jemi ndëshkuar mbi 70% pa arsye, por vullneti i futbollistëve dhe shtabit tim kemi arritur gjerë këtu dhe jam i kënaqur me kontributin që po japin futbollistët, por mos harroni unë ndeshjet po i zhvilloj me 50% të futbollistëve që i kam në dispozicion”.
Timonjeri i “bardh e kuqëve” të Gjilanit, ka shpjeguar edhe njëherë rastin e mikrofonit të Super Sportit në ndeshje me Besën në Pejë.
“Ju lutem hulumtoni dhe ma gjeni vetëm një rast në botë që televizionet i vendosin afër pankinës së futbollistëve mikrofonat, pankina është e futbollistëve dhe shtabit ne aty gjatë 90 minutave komentojmë dhe ndërtojmë lojën e skuadrës, e jo të na përgjojnë se çka bisedojmë dhe si e ndërtojmë ndeshjen”.
Në javën e 13 skuadra e Gjilanit është mysafire e Feronikelit në Drenas./rajonipress/


