Fundamenti

Arbnor Morina gjysmë-shekulli dedikuar futbollit

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Njeri ndër ish-futbollistët më të mirë në Kosovë dhe tani e sa vite njëri ndër trajnerët më të mirë që ka shteti i Kosovës, padyshim është 58 vjeçari Arbnor Morina i cili gjysmë shekulli ia dedikoi lojës së futbollit.

Para disa ditësh, Federata e Futbollit të Kosovës unanimisht ka zyrtarizuar se trajneri Arbnor Morina tani e tutje do të udhëheqë “Dardanët” e U17 drejt sukseseve të reja.

Arbnor Morina menjëherë pas luftës nga viti 2000 deri në vitin 2005 ishte Përzgjedhës i Grupmoshave U21, i cili për atë kohë nuk e mori asnjë cent sa ishte Përzgjedhës i kësaj kategorie.

Morina jo që nuk mori asnjë cent nga viti 2000-2005, por në të shumtën e rasteve sipas mundësive edhe kishte kontribuar nga xhepi i tij vetëm e vetëm që futbolli të ec përpara.

“Ishin kohëra të vështira por të lumtura. Ishte koha menjëherë pas luftës dhe gjithçka ishte shkatërruar, por kishim vullnet të jashtëzakonshëm , ishim të lumtur që po riktheheshim në fushat e futbollit, sakrifikuam edhe para luftës edhe mbas luftës.
Gjithë viteve 2000-2005, sa kam udhëhequr grupmoshat u21, nuk kam fituar asgjë financiarisht, në disa raste kam ndihmuar edhe vetë me sa kam pasur mundësi.
Unë personalisht edhe sot i falënderohem nga zemra të gjithë futbollistëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë të cilët na kanë dalur në ndihmë për ato vite, pasi ajo kohë ishte kur ne po themelonim shtetin e futbollin e Kosovës”, thekson Morina.

KKVITI

Arbnor Morina në moshën 18 vjeçare në vitin 1983-84, kishte debutuar në fanellën e Prishtinës në Ligën e Parë të futbollit të ish-Jugosllavisë, duke
zhvilluar një karrierë brilante si futbollist.

Morina është njëri ndër 30 futbollistët më së shumti paraqitje në 100 vjet e klubit tek FC Prishtina.

Përzgjedhësi i U17 të Kombëtares së Kosovës në futboll, Arbnor Morina, pas përfundimit të karrierës në vitin 1997, fillon zejen e trajnerit i cili për 26 vite me radhë me shumë sukses punoi në Prishtinë, Trepça’89, Vushtrri, Hysi, Drita, Gjilan, Besa, Feronikeli, Arbëria e Ferizaj.

Se cilat janë sfidat të cilat e presin Morinën me grupmoshat U17 me Kombëtaren e Kosovës, Morina ka bërë të ditur se është i lumtur që është rikthyer prapë nën-ombrellën e FFK-së.
“I falënderohem kreut të FFK-së, Agim Ademit, i cili ka besim në punën time. Do të punojmë me stafin tim për të mirën e futbollit dhe do të japim gjithçka nga vetja.
Çdo futbollist duhet ta ketë të qartë se do të luaj më i miri dhe vetëm më i miri. Të gjithë ata që do të jenë pjesë e grupit, duhet dashur shtetin dhe të djersitin mirë
fanellat, në këtë mënyrë ne synojmë të punojmë që ta bëjmë shtetin e Kosovës krenar kudo që do të paraqitemi”.

Kombëtarja e Kosovës U17, në kualifikimet për Euro 2023, është në Grupin e 9-të së bashku me Anglinë, Kroacinë dhe Ishujt Faroe. Ndeshjet do të zhvillohen me 3,6,9 Nëntor në Kroaci./rajonipress/