Arbëreshi që shkruan gjermanisht dhe kërkon rrënjët e tij shqiptare

Francesco Micieli: “Arbërishtja po vdes sepse nëse nuk e praktikon atë, ajo mbetet si një gjuhë e mësuar por e vdekur, diçka si latinishtja”.
Francesco Micieli është arbëresh, shkrimtar i shquar zviceran që shkruan në gjuhën gjermane. Duke qenë pjesë e një mërgate të vjetër, asaj arbëreshe në Itali, dhe një të reje, italoarbëreshe në Zvicër, te ai janë shtresuar së paku tri përkatësi kulturore.
Micieli është i lindur në Shën Sofi të Kalabrisë në vitin 1956. Në Zvicër, në Lüzefluch të Bernës i është bashkuar prindërve, në vitin 1965.
Ai tregon për albinfo.ch se si ndjehet në këtë konglomerat kulturash, çfarë bart nga kultura e të parëve, si duket jeta e tij prej një shkrimtari gjermanishtshkrues me gjuhë amtare arbërishten dhe me gjuhë të mësuar, italishten etj.
Albinfo.ch: Jeni rritur në tri kultura, në tri gjuhë: në kulturën arbëreshe, pastaj në atë italiane dhe së fundi jeni përcaktuar për gjermanishten si gjuhë të krijimtarisë letrare. Përse ka ndodhur kështu? Keni mundur fjala vjen të përcaktoheshit për italishten, që e njihni po kaq mirë.
Franesco Micieli: Një pyetje interesante. Unë në këtë pikë e shoh veten si një shkallë. Shkallarja e parë ishte gjuha ime amtare, arbërishtja, pastaj duke u ngjitur më lartë më është dashur të mësoja italishten pasi që ajo ishte gjuha e shkollës në Itali, dhe kjo ishte shkallarja e dytë. Duhet të sqaroj se kjo për ne, fëmijët arbëreshë ishte një kthesë e vështirë, sepse unë me kushërinjtë e mi shkonim në shkollë dhe, papritur, duheshim të flisnim italisht. Kjo ishte diçka shume e pazakonshme, e huaj për ne.
Por me kohë e mësuam edhe italishten e pastaj erdhi emigrimi. Unë erdha këtu në shkollën zvicerane dhe u detyrova që sa më shpejt që ishte e mundur ta mësoja gjermanishten zvicerane se ndryshe, shkoja kot në shkollë dhe nuk merrja vesh asgjë. Ndërsa shkalla e radhës erdhi kur mbërriti koha e gjimnazit pastaj e universitetit, gjegjësisht koha kur kam filluar të shkruarit. Ka qenë një moment interesant ky, i përcaktimit tim për tu marrë me letërsi; pija një kafe afër stacionit të trenit në Bernë dhe më erdhi papritur një aromë si e shën Sofisë, fshatit tim të lindjes (këtë e thotë në gjuhën shqipe). Kjo ndjesi më kujtoi gjyshen time dhe ky ishte momenti kur fillova të shkruaj.
“Gjyshja ime ka vetëm një dhëmb”, është tregimi i parë imi dhe atë e shkrova gjermanisht. Nuk e di përse. Ndoshta për shkak se rrethina ishte gjermanofone. Kështu, gjermanishtja u bë gjuha ime e krijimtarisë. Ndoshta për rastin tim mund të thuhet se “nuk kam qenë unë që e kam zgjedhur gjuhën por gjuha që më ka zgjedhur mua”.
Albinfo.ch: Në shumicën e veprave tuaja ngjarja zhvillohet në vendin e fëmijërisë suaj, në Shën Sofi të Kalabrisë ose lidhen me të. A mund të quheni për këtë arsye “shkrimtar i vendlindjes”? A mund të thuhet prandaj për ju se jeni shkrimtar italoabëresh që “vetëm” shkruan gjermanisht?
Rrënjët, trungu dhe gjethet
F. Micieli: Vështirë të bëhet një përkufizim i tillë… Megjithatë: rrëfimet e mia kanë brenda tyre gjithmonë retrospektiva nga vendlindja edhe kur zhvillohen këtu, Ato lidhen me të qenët i huaj, me gjuhën, me arbëreshët. Është kjo një temë që zë vend gjithmonë te unë. Kështu është për shembull libri “Meine italiänische Reise” (Udhëtmi im italian). Unë e rrëfej aty tregimin e një gruaje arbëreshe që jeton në Zvicër, e cila shkon në Shqipëri me një synim të pazakonshëm: Të udhëtojë prej atje me anije për në Itali, që të përjetojë ndjenjën që mund të kenë pasur paraardhësit e saj para 500 e sa vitesh. Se si kanë marrë rrugën për në Itali ata, të ndjekur nga turqit, si e kanë kaluar detin. Kjo perspektivë rrëfimi ndodh vazhdimisht te unë. Qenia ime prej shkrimtari mund të krahasohet me atë të trupit të një peme: kur e shikon trungun, ti nuk i sheh rrënjët por i ndjen ato sepse ndryshe trungu do të rrëzohej… Pra unë jam një shkrimtar zviceran gjermanishtshkrues me rrënjë arbëreshe-italiane. Unë e parapëlqej pikërisht fjalën rrënjë dhe jo atë “prejardhje” etj. Janë rrënjët pastaj vjen trungu dhe më tutje vijnë gjethet.
Albinfo.ch: Ju keni fituar vite më parë çmimin “Chamiso” i cili jepet për shkrimtarët që shkruajnë gjermanishten si gjuhë të huaj.
F. Micieli: Çmimin “Chamiso” e kam fituar vite më parë dhe mandej e kam fituar edhe një docenturë poetike në Universitetin e Dresdenit, Gjermani, që është mbështetur nga burimi i njëjtë që mbështet Chamison, nga fondacioni gjerman Bosch.
Albinfo.ch: A keni qasje me kulturën, gjegjësisht me letërsinë e vjetër arbëreshe?
F. Micieli: Po, i kam disa njohuri rreth asaj letërsie. Patjetër që e njoh De Radën sepse, veç tjerash, ai madje ka jetuar në fshatin pranë fshatit tim dhe ka qenë shkrimtar shumë i madh. Por kam gjithashtu edhe njohuri mbi këngët arbërisht. Domethënë, nuk jam ndonjë specialist i kësaj letërsie por njohuritë elementare nuk më mungojnë. Po ashtu edhe shkrimtarët aktualë arbëreshë i njoh nga pak. Vetëm pak ditë më parë kam lexuar një libër të një poeti arbëresh aktual nga Shën Dhimitri, me poezi të botuara paralelisht, në gjuhën arbëreshe dhe italiane.
Me babanë flas vetëm arbërisht
Gjithashtu unë vazhdoj të vizitoj Kalabrinë, ndonëse ka gjithnjë më pak njerëz që njoh atje tash. Një motër e babait me të cilën kam qenë mjaft i lidhur, ka vdekur vitin e kaluar. Por babai im jeton këtu, në Zvicër.
Albinfo.ch: Si flisni me babanë?
F. Micieli: Eh, me të flas ekskluzivisht në gjuhën arbëreshe. Sigurisht me një gjuhë të thjeshtë, pa pretendime, gjuhë që kufizohet në nevojat elementare, që ka të bëjë me punët e ditës. Në këtë komunikim gjithsesi, hyjnë edhe mjaft fjalë italiane.
Albinfo.ch: A na e improvizoni një bisedë të tillë të shkurtër me plakun?
F. Micieli: Po ja, unë i telefonoj atij dhe e pyes: Oj tat`, si rri? Ai më përgjigjet: Aaaa, u` rri mirë, ti si rri? Rri mirë edhe u` dhe ç`e bon? Ja, ruaj televizionin”. Bisedën tonë të thjeshtë e përfundojmë zakonisht me një: “rri mirë”.
Albinfo.ch: Në një rast keni premtuar se do të shkruani një libër në gjuhën arbëreshe?
F. Micieli: Unë edhe më dëshiroj ta bëj këtë, nuk heq dorë nga kjo ide, por ende nuk e kam shkruar. Ideja ime ishte që të shkruaj vjersha shumë të shkurtra në arbërishte pasi që arbërishtja sot funksionon vetëm me një fjalor të ngushtë fjalësh përditshmërie, ashtu sikur edhe këngët e saj. Kam menduar që të shkruaj poezi mbi babanë tim për shembull, arbërisht dhe të përkthyera gjermanisht.
Albinfo.ch: A po ruhet arbërishtja në Itali?
F. Micieli: Me futjen e mjeteve moderne të komunikimit masiv po bëhet gjithnjë më e vështirë ruajtja e saj. Ndonëse ende e flasin nga pak, gjuha e folur megjithatë po humbet te të rinjtë. Edhe pse ka disa vite që atje mund të mësohet arbërishtja, ka edhe në universitetin e Kozencës katedër ku mund të studiohet shqipja, problemi është se gjuha zë gjithnjë më pak vend në përditshmërinë e popullit atje. Dua të them se edhe nëse ti e studion arbërishten ose shqipen dhe nuk e praktikon atë, ajo mund të mbetet si një gjuhë e mësuar por e vdekur, diçka si latinishtja.
Ligjërata në vendin e të parëve
Albinfo.ch: Cila është lidhja e Francesco Micielit me kulturën dhe letërsinë shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë?
F. Micieli: Kam disa njohuri për vendin e të parëve dhe kam lexuar disa libra por më shumë rastësisht, jo me të studiuar. Në Shqipëri kam qenë nja pesë herë, në Tiranë dhe në Shkodër. Në të gjitha rastet kam qëndruar me ftesë të universiteteve të atjeshme dhe pjesërisht me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane. Atje kam ligjëruar si shkrimtar i letërsisë gjermane, me rrënjë shqiptare. Meqë në fokus të krijimtarisë sime janë çështje si identiteti, gjuha, integrimi, emigracioni, këto ishin dhe temat e mia në ligjëratat e mbajtura atje.
Në Kosovë kam qenë vetëm një herë. Kjo ka qenë në vitin 2001 kur, së bashku me Hilmi Gashin e kemi realizuar filmin dokumentar “Arbëreshë- Ein Migrationsblues”. Ky film bën fjalë për mërgimin si fenomen i pranishëm ndër shqiptarët në dy kohë dhe kontekste të ndryshme por që i lidh dhimbja.
Albinfo.ch: A e njihni diasporën shqiptare në Zvicër, çfarë raporti keni me të?
F. Micieli: Nuk kam ndonjë raport profesional ose të rregullt por po, natyrisht, kam një numër të njohurish me të cilët herë pas here takohem. E kam fjalën për poetin Shaip Beqiri me të cilin pimë kafe e bisedojmë për çështje letërsie, për Osman Osmanin, Hilmi Gashin me të cilin e kemi bërë bashkë edhe filmin e përmendur etj.
Albinfo.ch: Deri më tash nuk u është përkthyer asnjë libër në gjuhën shqipe?
F. Micieli: Mjerisht jo, vetëm fragmente nga librat e mi janë përkthyer. Këtu hyjnë pjesë nga romani “Unë di vetëm se babai im i ka duart e mëdha” pastaj disa poezi, hyrja e librit “Udhëtimi im italian” ku protagonisti e sheh veten gjithmonë të emigruar; së pari nga gjuha e tij amtare në gjuhën italiane pastaj në gjuhën e huaj, në gjermanishten etj. Tash, së fundi, një studente nga Shkodra, që ka studiuar në Grac, po e bën një punim për librat e mi dhe ka përkthyer pjesë nga to për punimin e saj.
Albinfo.ch: Ju jetoni prej më shumë se 45 vitesh në Zvicër, ku ka jetuar ose jeton akoma një numër jo i vogël arbëreshësh. A ka pasur diaspora arbëreshe ose a ka ende, në Zvicër, ndonjë vendtakim ose klub ku është mbajtur lidhja mes tyre?
F. Micieli: Mjerisht nuk ka më, por ka pasur para vitit 1973, kur shumë prej arbëreshëve bashkë me italianet tjerë kriza ekonomike e njohur “e naftës” i detyroi të ktheheshin. Megjithëse nuk ka pasur shoqata, klube të mirëfillta, ka pasur vende ku ata janë takuar. E kujtoj për shembull një prift që vinte shpesh nga Shën Sofia dhe rreth tij bëheshin bashkë arbëreshët në ndonjë meshë, në kisha të ndryshme ose në lokale tjera. Sot, nuk ka asgjë nga këto. Edhe shërbimet fetare mbahen në kisha katolike, edhe pse shumica e arbëreshëve janë ortodoksë. Po ashtu, në kohën për të cilën po flisja, kishte një deri 2 herë në vit tubime ku deri 200 persona bëheshin bashkë, për festa ose raste të veçanta.
Albinfo.ch: çfarë keni botuar kohëve të fundit
F. Micieli: Në gusht të vitit 2012 është botuar libri më i ri “Schwazenbach, schlaflos in Lützelflüh” që është një kujtim nga fillimi i viteve 70`, koha e iniciativës së madhe për dëbimin e të huajve, të udhëhequr nga politikani James Schwarzenbach. Jam duke planifikuar një turne leximesh prej këtij libri nëpër Zvicër. Libri është shkruar nga perspektiva e një të huaji, ndonëse jo konkretisht e një italo-arbëreshi.
Albinfo.ch: Ju një kohë të gjatë keni jetuar si shkrimtar i lirë. A mund të jetohej vetëm nga shkrimet?
F. Micieli: Nuk ka qenë e lehtë, por unë, përveç prozës, kam shkruar shpesh edhe për teatro, pjesë teatrore ose libreto për opera. Ato janë inskenuar në Bernë, në Lucern pastaj në Wiesbaden (Gjermani) etj. Por viteve të fundit kam një pozitë më të përshtatshme, më komode. Ligjëroj në Shkollën e Lartë në Bernë dhe vazhdoj të shkruaj.
E dini, në Shkollën e Lartë të Bernës ekziston drejtimi ku u japim bazat e shkrimit letrar atyre studentëve që kanë ambicie për tu bërë shkrimtarë. Unë ligjëroj në këtë shkollë bashkë me kolegët e mi, ku jam docent me normë të pjesshme. Këtu punoj prej 10 vitesh. Para kësaj vetëm kam shkruar.
Deri vonë kam qenë më aktiv në organizimet letrare. Kam qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Zvicrës nga viti 2007-2010, e më parë nga viti 2005 anëtar i kryesisë. Tash jam vetëm anëtar i kësaj shoqate e cila është e vetmja në nivelin nacional.
Bisedë arbërisht e Francescos me babanë
Unë i telefonoj atij dhe e pyes: Oj tat`, si rri? Ai më përgjigjet: Aaaa, u` rri mirë. Ti si rri? Rri mirë edhe u` dhe ç`e bon? Ja, ruaj televizionin”. Bisedën tonë të thjeshtë e përfundojmë zakonisht me një: “rri mirë”.
Ku i gjejmë arbëreshët në Zvicër?
“Në Zvicër, para vitit 1973 ka pasur vende ku janë takuar arbëreshët. E kujtoj një prift që vinte shpesh nga Shën Sofia dhe rreth tij bëheshin bashkë arbëreshët në ndonjë meshë, në kisha të ndryshme ose në lokale tjera. Po ashtu, kishte një deri 2 herë në vit tubime për festa ose raste të veçanta. Sot, nuk ka asgjë nga këto. Edhe shërbimet fetare mbahen në kisha katolike, edhe pse shumica e arbëreshëve janë ortodoksë.