Arbër Ismajli njofton për normalizimin e jetës në Gjilan

Gjilan – Komiteti për menaxhimin e emergjencave në Gjilan, sot është mbledhur për të analizuar situatën pas vendimit të qeverisë për masat lehtësuese të fazës së tretë, të zhvillimit të jetës normale në Kosovë.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i shoqëruar edhe nga të gjithë përfaqësuesit e institucioneve lokale e rajonale, në adresimin para mediave, ka thënë se janë në koordinim të plotë për zhvillimet e fundit dhe njëkohësisht kujdesin për rastet që janë ende në vetizolim për parandalimin e Covid-19.

“Përkundër vendimit të qeverisë për masat lehtësuese në fazën e tretë, ne sot kemi diskutuar për gjendjen e 27 rasteve të cilat edhe më tutje në bazë të rekomandimeve profesionale, janë duke qëndruar në vetizolim, deri në shërimin e plotë nga Covid-19. Gjendja shëndetësore e tyre është stabile dhe me simptoma të lehta. Këto dy-tri ditë do të bëhet përsëri ritestimi i tyre dhe shpresojmë shumë që rezultatet të jenë negative. Drejtoria e Shëndetësisë është në kontakte të vazhdueshme dhe po trajtojnë secilën kërkesë që vjen nga këto familje, duke i falënderuar për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë Ismajli.

Ai ka potencuar se sot në Gjilan ka filluar të normalizohet jeta, ku pjesa më e madhe e bizneseve që lejohen të punojnë në bazë të këtij vendimi, kanë filluar punën dhe aktivitetin e tyre, që po përcillet nga puna në terren e inspektorëve komunalë, në bazë të rekomandimit të masave të parapara të veprimit.

“Bizneset e Gjilanit janë duke respektuar masat lehtësuese dhe konform rekomandimeve profesionale. Ka shumë paqartësi në vendimin e mbrëmshëm, por zyrtarisht do t’i drejtohemi Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë për të vepruar në bazë të planit që ka Komuna e Gjilanit për këtë fazë”, ka njoftuar Ismajli.

Në njoftimin për çerdhet që me vendimin e qeverisë mund të fillojnë sot, Gjilani nuk do ta bëjë këtë, sepse është vlerësim i profesionistëve, që ato duhet të dezinfektohen dhe të sigurohet plotësisht që gjithçka është gati për t’i hapur ato.

“Sot dhe nesër do ta bëjmë dezinfektimin e çerdheve dhe vlerësimi profesional se a është gjithçka në rregull për të filluar puna, në mënyrë që fëmijët e Gjilanit të jenë të sigurtë në Institucionet parashkollore”, ka njoftuar ai.

Ismajli ka hequr të gjitha dilemat edhe sa i përket realizimit të projektit në qendër të qytetit, që ditëve të fundit janë ngritur nga individë dhe grupe të ndryshme politike.

“Në qendër të qytetit të Gjilanit është duke u realizuar projekti i zgjerimit të rrugës, rregullimit të trotuarit dhe njëkohësisht ruajtja e hapësirës publike. Duhet të hiqet dilema e qytetarëve apo e atyre janë ndikuar nga deklaratat opozitare duke rënë në grackën e opozitës se ‘po prishet parku e kualifikime të tjera’. Parku mbetet i njëjti, hapësira gjelbëruese gjithashtu, por e mira është investimi i infrastrukturës nëntokësore, rregullimi i trotuarit sipas standardeve dhe i rrugës njëkohësisht”, ka thënë mes tjerash, nënkryetari Arbër Ismajli. /rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).