Arbër Bullakaj, kandidat për deputet në Parlamentin zviceran

Zgjedhjet parlamentare në Zvicër po afrohen. Më 20 tetor votuesit zviceranë do te zgjedhin përfaqësuesit e tyre për në Parlament dhe në Senat (Dhomën e Shteteve). Materiali votues ka arritur dhe që tani mund të votohet përmes postës. Shqiptarët në Zvicër (rreth njëqind mijë me pasaportë zvicerane) nuk mund të rijnë indiferentë ndaj këtyre zgjedhjeve. Për më tepër, një pjesë e tyre kanë zgjedhur t’i futen politikës për të qenë pjesë aktive e vendim-marrjes politike në këtë vend.

Jo të paktë, janë ata që sot janë këshilltarë komunal dhe deputetë në nivel parlamenti kantonal. Por, deri me sot, askush nuk ka arritur te zgjidhet në parlamentin federal . A do të ndryshojë kjo me zgjedhjet e 20 tetorit 2019 ? Në vazhdën e portreteve të kandidatëve shqiptarë në këto zgjedhje po sjellim bisedën me Arbër Bullakaj, kandidat nga partia socialiste për deputet në parlamentin zviceran.

Naim Malaj, Gjenevë më 3 tetor 2019

Një paraqitje e shkurtër e rrugëtimit tuaj ? Kush është Arbër Bullakaj? Formimi i tij arsimor e profesional ? Angazhimi i tij në politikë ?

Arbëri : Jam lindur në Kosovë në Suharekë. Isha vetëm 8 vjeç kur jemi Zvicër së bashku me familjen time. Babai im ka punuar punë të renda si sezonier. Prindërit më kanë mësuar ta çmoj punën, sa do e vështirë të jetë ajo. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë.

Sa i përket arsimimit, në fillim studiova për kontabilitet dhe më pas si menaxhues i projekteve. Isha i ngarkuar me financat në një firmë konsulente ndërkombëtare në disa vende (Zvicër, Austri, Angli dhe Gjermani). Pastaj kam punuar për Departamentin e Financave si dhe në një kompani IT-Consulting (e pranishme në 21 shtete). Ndërsa, ka 8 vite që kam firmën time këshilluese në zbatimin e softuerëve.

Angazhimi im politik fillon para shtatë vitesh me zgjedhjen time në parlamentin e qytetit Ëiler. Isha shqiptari i parë në kantonin Saint-Gallen që po zgjidhesha si këshilltarë komunal nga vota qytetare. Nga kjo kohë, kam udhëhequr disa fushata dhe nisma rreth migrimit, biznesit dhe taksave. Jam shumë aktiv në kryesinë e partisë dhe jam angazhuar në qytetin Ëill, për të rinjtë nën moshën 18 vjeç dhe ata pa pasaportë zvicerane, që të kenë të drejtë të paraqesin një iniciativë në parlamentin lokal. Kjo gjë, psh. nuk ekziston askund tjetër në Zvicër.

2. Pjesëmarrja juaj në këto zgjedhje është një dëshmi se shqiptarët në Zvicër nuk janë spektatorë indiferentë të zhvillimeve politike por se ata po bëhen pjesë aktive dhe e rëndësishme e shoqërisë zvicerane duke u përpjekur që gjithnjë e më shumë të jenë pjesë e vendim-marrjes politike. Çfarë e frymëzoi Arbër Bullakajn që të paraqitet si kandidat në këto zgjedhje? 

Arbëri : Edhe pse i ri në moshë (33vjeç) unë kam një përvojë politike 12 vjeçare. I zgjedhur në parlamentin lokal të qytetit Ëiler gjatë një periudhe 7 vjeçare si dhe nën-kryetar i partisë socialiste për kantonin St-Gallen prej pesë vitesh. Mendoj se është koha që të jem i pranishëm në politikën kombëtare të Zvicrës. Kjo është e rëndësishme për faktin që popullata me origjinë të huaj në Zvicër nuk është e përfaqësuar në parlamentin federal ku parlamentarët janë kryesisht të moshës 50 vjeç.

E gjithë kjo na bën që të mendojmë që ne kemi nevojë për një frymë të re në parlamentin federal e cila do ta përfaqësojë Zvicrën ndryshe nga ata parlamentarë në moshë. Bota po ndryshon shpejtë, ndërsa politika ka ngecur tek skemat dhe strukturat e vjetra. Kjo është një arsye pse kemi nevojë për njerëz që njohin mirë ekonominë, digjitalizimin, por edhe migracionin. Kjo do t’ishte fusha ime si ekspert.

Cilat janë çështjet që i keni më përzemër për të cilat do të angazhoheni nëse zgjidheni në parlamentin federal?

Dy, nga pesë tematikat e trajtuar gjatë fushatës, i kam më përzemër. E para, politika familjare. Paradoksalisht, Zvicra si vend i pasur, sipas një raporti të UNICEF zë vendin e fundit në Evropë përsa i përket politikës familjare. Kur u bëra baba, kisha drejtë vetëm një ditë pushimi, e njëjta gjë edhe kur ndërrova banesën. Kjo çështje duhet ndryshuar sepse nuk është e denjë për Zvicrën. Duhet bërë një hap të madh përpara të vlerësimit të politikave familjare. Kjo do të thotë paga të barabarta të grave me burrat, më shumë çerdhe për fëmijë. Këto gjëra janë të përballueshme për Zvicrën.

Një çështje tjetër që më flen në zemër ka të bëjë me nënshtetësinë. Zvicra, një vend ku jetojnë shume kombësi ka ligjin më të ashpër për marrjen e nënshtetësisë së saj. Një ligj përplot kushte e pengesa dhe i shtrenjtë, gati 40’00 franga zvicerane. Unë do të doja të kërkoj që ta ndryshojë këtë në mënyrë që sa më shumë njerëz të natyralizuar të përfshihen në demokracinë zvicerane duke u bërë anëtarë të barabartë me të tjerët.

4. Shqiptarët në Zvicër janë të shumtë që kanë dy-shtetësinë dhe si rrjedhojë edhe të drejtën e votës. Së pari, pse qytetarët shqiptaro-zviceranë duhet të votojnë në këto zgjedhje  dhe së dyti, a mund te themi, edhe pse kandidat i një partie politike zvicerane, megjithatë do të jeni një zë i shqiptarëve në parlamentin zviceran ?

Demokracia jonë frymon nga pjesëmarrja aktive e qytetarëve, nëse ata nuk votojnë, ajo dobësohet. Në vende tjera bëhen kryengritje bile edhe luftëra, sepse njerëzit nuk kanë as të drejtat minimale demokratike. Fatkeqësisht në Zvicër, vetëm 31% e migrantëve me të drejtë vote, votojnë. Kjo do të thotë se gati 70% e tyre nuk votojnë. Kjo, duhet të ndryshojë.
Unë përfaqësoj një brez që nuk i shtron pyetjen tjetrit nga vjen, çfarë beson dhe ç‘farë ngjyre ka.

Unë vij nga një brez ku nuk ka rëndësi nga vjen, çfarë beson dhe çfarë ngjyre të lëkurës ke. Jam për një politikë që respekton dhe përfshin të gjithë njerëzit pa asnjë dallim. Ndër të tjera, unë konstatoj se ne jemi njerëz me origjina të ndryshme, 37% banorëve në Zvicër kanë një prejardhje të huaj. Këta njerëz ndihmuan në ndërtimin e Zvicrës dhe për ta pasuruar atë. Ne duhet ta tregojmë këtë hapur. Midis tyre, më shumë se 300,000 shqiptarë punonin çdo ditë në Zvicër, duke bërë gjëra të mëdha, duke jetuar dhe krijuar një familje. Ne gjithashtu shënojmë shumë gola për Kombëtaren e Zvicrës dhe po bëhemi gjithnjë e më të suksesshëm ekonomikisht dhe shoqërisht. Jam shumë i kënaqur për këtë zhvillim pozitiv dhe shpresoj që së shpejti do të përfaqësohemi në Parlamentin Federal.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).