Arbana Osmani moderon “E diell”

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Në këtë vit të pestë që nga edicioni i parë i programit “E diell” në “Top Channel”, moderatorja e njohur, Arbana Osmani, i rikthehet këtij formati me pesë orë transmetim në ekran. Pas një viti pauzë,këtë sezon të ri televiziv, “E Diell” do të vijë krejtësisht e ristrukturuar, ndërkohë që ende nuk bëhet e ditur data e saktë e së dielës së parë. Arbana do të moderojë në pesë orët e “E diell”, në transmetimin që do të zgjasë nga ora 14:00 deri në orën 19:30.

Në këtë maratonë të të dielave ajo të do të ketë për partnerë dy miqtë e saj më të ngushtë, Xhemi Shehun dhe Ledion Liçon, të cilët do të kenë rubrikat e tyre. Kësaj here autorësinë e programit e ka marrë përsipër autori i formatit të njohur italian prej shumë vitesh “Domenika in”, Luigi de Filippis. Me një eksperiencë të gjatë në shumë programe të tjera në ekranin e “Rai-t”, ai po përgatit këtë spektakël surprizues, së bashku me drejtorin e fotografisë, që është po ashtu italian. “E diell” do të realizohet në studiot e reja të “Top Channel” me teknologjinë më të fundit “hi tech”.

Sipas burimeve tona, pika më e fortë e programit do të jeta atmosfera në grup. Autorët po realizojnë një format me logjikën se ajo që i duhet publikut të të dielave, përveç debatit, muzikës, intervistave, lojërave etj., të cilat janë tradicionale, është dhe të qenët si një familje, ku secili “protagonist” në program do të ketë rolin e tij.

Po ashtu në këtë edicion të “E diell” pritet që të ftuarit të jenë të huaj, personalitete të njohur, fama e të cilëve ka kapërcyer kufijtë e vendeve ku jetojnë. Në program janë planifikuar të përfshihen të gjitha target grupet shoqërore, me idenë për të sjellë mbi të gjitha një të diel zbavitëse, këtë ditë pushimi për të gjithë. Për sa u përket moderatorëve, Arbana do të prezantojë në studio gjatë gjithë kohës, ndërsa Xhemit dhe Ledionit do t’u duhet të dalin nga kornizat e prezantuesve për të provuar edhe këngën e kërcimin. Programi është konceptuar si një komunikim ndëraktiv me batuta, humor dhe lirshmëri, gjë që tre prezantuesit do e bëjnë me qejf, pasi kalojnë shumë kohë jashtë ekranit bashkë dhe e njohin mirë njëri-tjetrin.

KKVITI

Deri tani kjo treshe prezantuesish është komentuar si simpatike në rrjetet sociale, dhe thuhet se do të vijnë në formë për sa u përket dhe linjave. Ledioni u shfaq të premten në mbrëmje me disa kilogramë më pak në ekran, si moderator i “The Voice Albania 3”, prezantim që do e bëjë paralelisht me “E Diell”. Ndërsa Arbana dhe Xhemi këtë sezon do të jenë të angazhuara vetëm me “E diell”.

Arbana: “Big Brother” do të rikthehet shumë ndryshe

Në fillim të 2009, Arbana hoqi dorë nga programi “E Diell” për edicionin e dytë të “Big Brother”, ndërsa këtë vit nuk do e shohim në “Big Brother”, por në “E diell”. Ajo i njoftoi fansat e saj disa ditë më parë në rrjetin social Instagram.

Edhe pse prezantuesja e njohur nuk pranoi të japë asnjë deklaratë personale për të rejat në “E diell”, pohoi se: “Big Brother” do të marrë pushim për një vit dhe do të rivijë shumë ndryshe vitin tjetër”. Produksioni ka menduar të sjellë kështu një rifreskim të formatit, që për gjashtë edicione ka qenë ndër më të ndjekurit dhe më popullorët në ekranin shqiptar. Shumë personazhe që kanë dalë nga ky “reality show” janë bërë të njohur, kanë fituar vëmendjen e audiencës në pak kohë. “Big Brother” këtë verë mbylli edicionin e gjashtë dhe shpalli fitues Anaid Kalotin. (Panorama)