Aprovohet raporti i drejtorisë së Shërbimeve Publike

Gjilan – Komiteti për Shërbime Publike (KSHP) ka miratuar Raportin e punës së Drejtorisë së Shërbimeve Publike, që e ka paraqitur drejtori Behar Mehmeti, i cili ka thënë se objektivat janë planifikuar në përputhje me mundësitë buxhetore të Komunës.
“Kemi qenë shembull i mirë në mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Kurse, te mirëmbajtja verore ka pasur disa vonesa për shkak të zgjatjes së procedurave të prokurimit, por edhe këtu kemi bërë një zgjidhje të përkohshme dhe i kemi sanuar rrugët brenda qytetit dhe ndërkohë është përzgjedhur operatori i rregullt, i cili ka vazhduar me riparimin e rrugëve tjera”, ka thënë Mehmeti.
Sipas tij punë e mirë është bërë edhe te ndriçimi publik, ku pos riparimit të rrjetit ekzistues, në bashkëpunim me USAID-in është realizuar edhe projekti i ndriçimit të ri publik në qendrën e qytetit, në vlerë mbi 150 mijë euro.
Ndërkaq, në projektet e vogla, ku përshihen intervenimet urgjente në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit dhe punë të tjera të rëndësishme për qytetarët, janë shpenzuar 115 mijë euro. Mehmeti përmendi një ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit në Kodrën e Dëshmorëve, ku është zgjidhur një problem i kahershëm i furnizimit me ujë.
“Disa projekte të ujësjellësit dhe kanalizimit në Bresalc, Ponesh e Pogragjë, janë realizuar në bashkëpunim me donatorët, sikurse në këtë formë do të ndërtohet edhe rezervuari i ujit në Kodrën e Dëshmorëve, që ka kapacitet prej 3000m/3 dhe do të zgjidhë përfundimisht problemin shtytjes së ujit në pikat e larta. Ky projekt, në vlerë 1.5 milionë euro, financohet nga zviceranët”, ka thënë Mehmeti.
Përndryshe, ka thënë Mehmeti, ngecje ka pasur vetëm te gjobat në trafik, që ka ndodhur për shkak të ndryshimit të ligjit mbi komunikacionin, por kjo nuk ka ndodhur me fajin e drejtorisë, e cila planifikimin e të hyrave e ka bërë duke u bazuar në vitet paraprake. Pagesa e gjobave në trafik, tani nuk bëhet më në polici, por realizohet përmes gjykatës, ku procedurat janë shumë më të gjata.
Sa u përket shpenzimeve, Mehmeti ka thënë se prej vitit të kaluar janë marrë përsipër edhe shërbimet e varrimit, që brenda një muaji, arrijnë në 12-13 mijë euro, por që është një shërbim i cili është mirëpritur nga qytetarët.
Zijadin Maliqi (LDK) tha se ka pasur vonesa në riparimin e rrugëve dhe sugjeroi që tenderi për mirëmbajtjen verore të shpallet me herët, në mënyrë që të mos përsëritet kjo situatë, ndërkaq shprehu brengosje që ende nuk është përzgjedhur kompania për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve.
Shaqir Ukshini (PDK), kryesues i KSHP, tha se objektivat, krahasuar me planin, nuk janë realizuar në tërësi, duke nënvizuar se të hyrat e përgjithshme janë mbi 22 për qind më të ulëta. Ai u shpreh i pakënaqur edhe me gjendjen e ujësjellësve në disa fshatra, të cilët janë realizuar nga CDI-ja, duke nënvizuar se shumica e tyre nuk janë funksionale.
Sa i përket mirëmbajtjes dimërore të rrugëve, drejtori Behar Mehmeti tha se është kontraktuar një operator i përkohshëm, ndërsa pret që të bëhet rishpallja e tenderit për operatorin e rregullt, pasi që procedura e mëhershme është anuluar nga OSHP.
Sipas tij, plani i punës për vitin 2012, është realizuar. “Te të hyrat nga hapësirat publike ka pasur rritje. Rënie ka vetëm te gjobat, por kjo ka ndodhur për arsyet që e sqarova më parë”, ka thënë Mehmeti.
Mehmeti e pranoi se ka probleme te ujësjellësit në disa fshatra. “Sa u përket investimeve në rrjetin e kanalizimit dhe atë të ujërave atmosferike në qytet, ka thënë se investimet kapitale nuk janë kompetencë e kësaj drejtorie. Ne merremi me mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka thënë se janë duke u bërë përpjekje nga Komuna, që në bashkëpunim me UN-HABITAT-in, të bëhet trajtimi i tërësishëm i rrugës “Adem Jashari”, nga pjesa e Xhamisë së Madhe e deri te shkollat e mesme, ku përfshihet gjithë infrastruktura nëntokësore.
KSHP ka miratuar edhe Planin e punës së Drejtorisë për Shërbime Publike për vitin 2013. /rajonipress/