Aprovohet raporti gjashtëmujor i Begzad Sinanit

Kamenicë – Kuvendi Komunal ka mbajtur seancën e muajit korrik, në të cilën u morën vendime të rëndësishme dhe u trajtuan çështje të ndryshme.Kryetari i Komunës Begzad Sinani e ka paraqitur punën gjashtëmujore të ekzekutivit dhe e ka vlerësuar atë si të suksesshme.
“Kemi pasur rënie të shpenzimeve dhe kursime në sektor të ndryshëm deri në 49%, ndërsa të arritura të mëdha janë investimet kapitale milionëshe në rrugët e malësisë, inicimi i projektit të Pendës së Kremenatës, përfundimi në afat rekord i punimeve në shumë projekte të infrastrukturës dhe shume punë të tjera të mira që janë bërë” ka thënë Sinani i cili u ka bërë thirrje asambleistëve të opozitës që të sjellin edhe ata projekte për aprovim në Kuvend.
Raporti gjashtëmujor i punës së Kryetarit dhe raporti financiar u aprovuan me shumicë votash nga Kuvendi.
Kuvendi ka aprovuar rishikimin buxhetor në të cilin janë përfshirë të gjitha vendimet e marra nga kjo përbërje, duke i hapur rrugë realizimit të shumë projekteve.
Është aprovuar në parim kërkesa e AKV “Albana” nga Hodonoci për mbështetje financiare në vlerë 5.070 euro si dhe kërkesa e Grupit të Grave për një trajnim në Durrës në vlerën 4.850 euro.
Poashtu është aprovuar kërkesa e komisionit për dhënien me qera të pronave komunale për kompensimin e punës së tyre.
Delegatët kanë vendosur që emërimi i rrugëve të shtyhet për seancën e radhës për shkak se materiali ka ardhur me vonesë./rajonipress/