Angazhimi i të gjithëve çelësi i fitores së Lëvizjes VV në Viti

Gjilan – Visar Ymeri u bëri thirrje të pranishmëve që të rrisin angazhimin e tyre ditëve që vinë dhe të bëjnë sa më shumë takime në lagje dhe fshatra të Vitisë, pasi që sipas tij, takimet dhe kontaktet e shpeshta me njerëz janë aktivitetet më të rëndësishme të cilat sjellin fitoren.
Lëvizja VV! qendra në Viti organizoi një takim me kandidatët për asamble komunale të kësaj lëvizjeje për Vitinë.
Përveç të tjerëve, i pranishëm në këtë takim ishte edhe Visar Ymeri, deputet i Lëvizjes VV! në Parlamentin e Kosovës.
Mbledhjen e hapi kandidati për kryetar të komunës së Vitisë nga radhët e Lëvizjes VV! Salih Salihu, i cili njoftoi të pranishmit me aktivitetet e deritashme të kësaj Lëvizjeje në komunën e Vitisë, si dhe aktivitetet të cilat do të bëhen në ditët në vijim.
Salihu shprehi domosdoshmërinë dhe nevojën e një mobilizimi më të madh të të gjithë kandidatëve për asamble komunale të Vitisë për të siguruar fitoren e Lëvizjes VV! në këtë komunë, pasi që siç tha ai, fitorja jonë në Viti varet vetëm nga angazhimi dhe puna e të gjithë neve në ditët që vinë.
Më pas fjalën e mori Visar Ymeri i cili njoftoi të pranishmit rreth aktiviteteve të ndryshme të Lëvizjes VV! në mbarë Kosovën.
Ymeri u bëri thirrje të pranishmëve që të rrisin angazhimin e tyre ditëve që vinë dhe të bëjnë sa më shumë takime në lagje dhe fshatra të Vitisë, pasi që sipas tij, takimet dhe kontaktet e shpeshta me njerëz janë aktivitetet më të rëndësishme të cilat sjellin fitoren.
Shefi i shtabit zgjedhor për Vitinë, Jakup Demiri porositi të pranishmit që të përfundojnë sa më shpejtë listat për identifikimin e votuesve, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të forcave tona në teren.
Takimi përfundoi me zotimin e të gjithë të pranishmëve për angazhim dhe mobilizim më të madh deri në ditën e zgjedhjeve.
Komuna nuk është pushtet , por shërbim
Në vazhdën e aktiviteteve të tyre në komunë të Vitisë, përfaqësues të Lëvizjes VV! Takuan edhe banorët e fshatit Goshicë.
Përveç banorëve të këtij fshati të pranishëm në këtë tubim ishin edhe Salih Salihu, kandidat për kryetar nga radhët e Lëvizjes VV! si dhe Visar Ymeri deputet i kësaj Lëvizjeje në parlament të Kosovës.
Muhabi Zejnullahu, kryetar i pikës së Lëvizjes VV! në këtë fshat i cili përshëndeti të pranishmit duke u uruar mirëseardhje, dhe pastaj ia kaloi fjalën Salih Salihut.
Salihu i njoftoi të pranishmit për problemet dhe vështirësitë e shumta që kanë banorët e komunës së Vitisë, si dhe alternativën qeverisëse lokale të Lëvizjes VV! për zgjidhjen e këtyre problemeve. “Komuna nuk është pushtet por shërbim, ku kryetari i komunës duhet të jetë në shërbim të qytetarëve e jo e kundërta” tha Salihu.
Më pas fjalën e mori deputeti Visar Ymeri, i cili diskutoi rreth shumë problemeve në nivel vendi, dhe tregoi se si Lëvizja VV! angazhohet ti zgjidh këto probleme përmes alternativës së saj qeverisëse. Ndër programet e ndryshme që ofron alternativa qeverisëse, Ymeri përmendi edhe Taksën Progresive, e cila sipas tij e zvogëlon hendekun në mes të të pasurve dhe të të varfërve, ku të pasurit detyrohen të paguajnë taksa më të larta ndaj shtetit ndërsa të varfrit varësisht prej të ardhurave mujore, ose paguajnë taksa më të ulëta ose nuk paguajnë fare.
Krejt në fund u hap diskutimi ku të pranishmit diskutonin rreth problemeve të ndryshme dhe zgjidhjeve të tyre thuhet në njoftimin e VV qendra në Viti./rajonipress/