Anel Rashkaj tregon momentin kur vendosi të luajë për Kosovën, zbulon bisedën me Albert Bunjakin
3 maji i vitit 2016 është datë e shënuar për sportin e Kosovës. Katër vjet më parë ëndrra jonë e madhe u bë realitet pasi Kosova përfundimisht u bë anëtarja e 55-të e UEFA-s në Kongresin e Budapestit të Hungarisë, shkruan Zëri.info.
Anëtarësimi në familjen evropiane të futbollit e kurorëzoi sakrificën e shumë gjeneratave që e mbajtën gjallë futbollin dhe punën e guximshme e të palodhshme të drejtuesve të Federatës, donatorëve, klubeve, futbollistëve e punëtorëve sportivë.
Anel Rashkaj, futbollisti prizrenas, është ndër të parët që ka pranuar ta veshë fanellën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, teksa ai tregon me emocione për vendimin që të luajë për ‘Dardanët’.
“Unë kam pranuar të luaj për Kosovën që prej vitit 2008. Atëherë edhe ka qenë grumbullimi im i parë me Përfaqësuesen e Kosovën nën drejtimin e Edmond Rugovës”, u shpreh Rashkaj në Klan Kosova, përcjell Zëri.info.
“Pas ardhjes së Bunjakit, kam biseduar me të dhe i kam thënë se dua të luaj për Kosovën. Ka qenë emocionale për mua. Nuk kam pasur tërheqje ekonomike, por vetëm e kam ndjekur zemrën time”, vlerësoi prizrenasi.
“Pranimi në UEFA ka qenë një datë historike sidomos pas kontributit dhe sakrificës së njerëzve, sidomos të legjendës Fadil Vokrri. Tani po shihen edhe rezultatet. Kemi bërë një ngritje të jashtëzakonshme në futboll”, shtoi ai. /Zëri.info


