UBT

Anel Rashkaj fillon shkollimin për trajner, ëndërron ta udhëheqë Kosovën

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Në një intervistë për Gazetën Express, ish kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Anel Rashkaj, tregoi se tashmë e ka nisur shkollimin për trajner. Ndërsa, zbulon edhe ëndrrën e re – që në të ardhmen t’i kthehet ekipit të “Dardanëve” si trajner i tyre.

Gjatë vitit që lamë pas, Anel Rashkaj u pensionua nga Kombëtarja e Kosovës, të cilës iu kishte bashkuar në kohë e kushte të vështira – qysh para anëtarësimit të vendit tonë në UEFA e FIFA.

Rashkaj ishte edhe kapiteni i parë i “Dardanëve”, ndërsa vlerësohet shumë kontributi i tij i dhënë në ndërtimin e ekipit tonë kombëtar ndër vite.

Përkushtimi i jashtëzakonshëm i tij te Kosova i kishte kushtuar edhe në karrierën e tij në nivel klubesh dhe ishte bërë idhull i tifozëve kosovarë, të cilët u pikëlluan kur Rashkaj përmes një videoje e bëri të ditur vendimin e tij për t’u përshëndetur nga Kombëtarja e Kosovës.

Mirëpo, e ardhmja mund ta sjell sërish Rashkajn në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Vet 32-vjeçari, i lidhur shumë emocionalisht me Kosovën, tashmë e ka një ëndërr – që t’i vij koha për t’u bërë selektor i “Dardanëve”, shkruan Gazeta Express.

Edhe pse ende është pjesë e futbollit aktiv si lojtar i skuadrës suedeze, Orgryten, Rashkaj tashmë e ka filluar procesin e shkollimit për trajner.

Në një intervistë dhënë Gazetës Express, Rashkaj nuk e ka fshehur ëndrrën e tij për ta udhëhequr Kombëtaren e Kosovës si një trajner profesionist dhe meritor.

“Veç kam filluar me licencimet e trajnerit dhe shpresoj të arrij edhe më shumë si trajner. Unë do të punoj që të arrij sa më shumë si trajner dhe në atë rrugëtim normal se drejtimi i Kombëtares është maja e suksesit”, deklaroi për Gazetën Express, Anel Rashkaj.

Ai shpreh keqardhje që Kombëtarja e Kosovës e kaloi një vit të keq me rezultate, ndërsa shpreson dhe beson që Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ta zgjedh një trajner adekuat për postin e përzgjedhësit.

UBT

“Duhet një analizë pak më e gjerë, por mendoj se ka shumë faktorë të ndryshëm dhe se tash i nevojitet ekipit një trajner i ri me një plan që e nxjerr nga çdo lojtar maksimumin e tij”, u shpreh 32-vjeçari.

Tani kur është pensionuar nga skuadra dardane, Rashkaj me endje dhe krenari e kujton karrierën e tij me fanellën e Kosovës.

“Janë momente e kohë që nuk harrohen. Fillimi ka qenë i veçantë, pas shumë vështirësive arritëm qëllimin të pranohemi në UEFA dhe FIFA dhe kanë qenë momente historike që nuk përsëriten”, u shpreh ish-kapiteni i Kosovës.

Anel Rashkaj për Express tregoi momentin më të mirë dhe më të keq me Kosovën, teksa foli edhe për vendimin për pensionim nga Kombëtarja.

“Momenti më i mirë ka qenë ndeshja kundër Anglisë dhe më i vështiri ajo kundër Maqedonisë së Veriut. Nuk ka qenë i lehtë vendimi për pensionim nga Kombëtarja, por mendoj se ka qenë momenti i duhur të tërhiqem”, nënvizoi Rashkaj.

Krejt në fund, ai foli edhe për aventurën e tij me ekipin e Orgrytes, që bënë pjesë në kategorinë e dytë të futbollit në Suedi.

“Sezoni ka përfunduar dhe tash jemi në pushime ku për momentin gjendem në Kosovë. Pritshmëritë për sezonin tjetër janë të hyjmë në Superligë dhe besoj se kemi gjasa të mira për t’ia arritur qëllimit”, përfundoi Rashkaj.

Aneli iu kishte bashkuar Kosovës para anëtarësimit në UEFA e FIFA, ndërsa ishte kapiten i “Dardanëve” në ndeshjen e parë të zhvilluar me leje të FIFA-s në miqësoren kundër Haitit në vitin 2014.

Ai ishte bërë lider meritor i ekipit kosovar, të cilin me mund të madh dhe me shumë sakrifica po e ndërtonte në atë kohë ish selektori Albert Bunjaki, për të cilin Rashkaj ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Por, i rëndësishëm Rashkaj ishte deri në fund të aventurës së tij, madje edhe kur ekipi kosovar ishte rritur dhe konkurrenca ishte shtuar. /GazetaExpress/